A ka me të vërtetë nevojë njerëzimi për një Mesi?
«BOTA KA NEVOJË PËR NJË MESI, THOTË NJË FUNKSIONAR»
Ky titull shfaqej në gazetën The Financial Post të Torontos, Kanada, më 1980. Funksionari i cituar ishte Aurelio Paccei, president dhe themelues i grupit intelektual të mirënjohur të quajtur Klubi i Romës. Sipas The Post, Paccei pranonte se «shpëtimi i vetëm i botës nga tronditjet shoqërore dhe ekonomike që kërcënojnë të shkatërrojnë qytetërimin, do të ishte një kryetar hirplotë, shkencëtar, politikan ose fetar.» Si të duket? A është bota me të vërtetë nën kushte kaq të dëshpëruara, saqë njerëzimi ka nevojë për një Mesi? Le të shqyrtojmë vetëm një nga problemet me të cilat ballafaqohet kjo botë—urinë.
DY sy të mëdhenj, të kaftë, janë ngulitur mbi ty nga fotografia e një gazete apo reviste. Janë sytë e një vogëlusheje që s’ka mbushur akoma pesë vjeç. Por ata sy nuk të bëjnë të buzëqeshësh. Nuk shkëlqejnë si sytë e fëmijëve, nuk shprehin një ndjenjë të lumtur habie dhe as besim naiv. Janë plot vuajtje, çoroditje, dhembje të heshtur, me uri të pashpresë. Vogëlushja po vdes urie. S’ka njohur tjetër veç vuajtje dhe uri.
Ndoshta, si shumë të tjerë, ti nuk qëndron me dëshirë mbi fotografi të këtij lloji dhe kështu kthen menjëherë faqe. Jo sepse nuk të intereson, por sepse ndihesh i frushkulluar, pasi mendon se tashmë për atë vogëlushe nuk mund të bëhet më asgjë. Gjymtyrët e tretura dhe barku i fryrë tregojnë se trupi i saj ka filluar tashmë të tresë vetveten. Ndërsa sheh këtë fotografi, vogëlushja tashmë mund të ketë vdekur. Më e keqja është, se ti e di që i saji nuk është aspak një rast i veçuar.
Cilat janë përmasat e problemit? Mirë, pra, a mund të marrësh me mend 14 milion fëmijë? Shumë prej nesh nuk munden; është një numër tepër i madh për t’u përfytyruar. Mendo, atëherë, për një stadium që mund të mbajë 40.000 vetë. Përfytyrojeni tani të stërmbushur me fëmijë, shkallë pas shkalle, kat pas kati, një oqean fytyrash. Vetëm kjo është mjaft e vështirë për t’u përfytyruar. Megjithatë do të duheshin 350 stadiume të tilla, plot me fëmijë për të arritur shifrën 14 milion. Sipas UNICEF-it (Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët) ky është numri i pabesueshëm i fëmijëve nën pesë vjeç, që çdo vit vdesin në vendet në zhvillim për shkak të ushqimit të keq dhe sëmundjeve që mund të paraprihen lehtë. Pak a shumë, kjo është e barazvlefshme me shfarosjen e përditshme të një stadiumi! Shto aty edhe numrin e të rriturve të uritur dhe do të kesh një shumë prej gati një miliard njerëzish në gjithë botën që vuajnë prej kequshqimit kronik.
Përse e gjithë kjo uri?
Ky planet prodhon tani më tepër ushqim, sesa njerëzit harxhojnë dhe ka aftësi të prodhojë edhe më shumë. E megjithatë, çdo minutë vdesin 26 fëmijë nga të ushqyerit e keq dhe sëmundjet. Gjatë po asaj minute, bota harxhon rreth 2.000.000 dollarë për qëllime ushtarake. A mund të marrësh me mend se çfarë mund të bëhej me gjithë këto para, apo vetëm me një pjesë të tyre, për këta 26 fëmijë?
Është e qartë, se uria në botë nuk i detyrohet mungesës së ushqimit apo të hollave. Problemi është shumë më i thellë. Sikurse është shprehur Jorge E. Hardoy, një profesor argjentinas, «në tërësi bota ka paaftësinë kronike për të ndarë komoditetin, fuqinë, kohën, mjetet dhe njohurinë me ata që kanë më tepër nevojë për këto gjëra.» Po, problemi nuk qëndron tek pasuritë e njeriut, por tek vetë njeriu. Duket se lakmia dhe egoizmi janë fuqitë sunduese në shoqërinë njerëzore. Një e pesta pjesë e popullsisë më të pasur të Tokës, gëzon 60 herë më tepër të mira materiale dhe shërbime, sesa një e pesta e më të varfërve.
Është e vërtetë se disa përpiqen sinqerisht për t’u siguruar ushqim të uriturve, por pjesa më e madhe e përpjekjeve të tyre pengohet nga faktorë që janë jashtë kontrollit të tyre. Shpeshherë uria godet vende që janë të përçara nga luftëra civile apo kryengritje dhe nuk është e pazakonshme për forcat kundërshtare që të pengojnë arritjen e furnizimeve me ndihma për ata që kanë nevojë. Të dyja palët kanë frikë se, duke u lejuar civilëve të uritur në territorin armik të marrin ushqime, ata do të ushqejnë armiqtë e tyre. Vetë qeveritë e përdorin urinë si një armë politike.
Nuk ka zgjidhje?
Mjerisht, problemi i miliona njerëzve të uritur nuk është kriza e vetme që godet njeriun bashkëkohor. Shkatërrimi i pafrenueshëm dhe helmimi i ambientit, plaga e vazhdueshme e luftës që gëlltit me miliona jetëra, epidemia e krimeve të ashpra që ngjallin kudo frikë dhe mosbesim, si dhe klima morale degjeneruese që, siç duket, shtrihet në rrënjët e pjesës më të madhe të këtyre sëmundjeve, të gjitha këto kriza globale, shoqërohen, si të themi dhe vërtetojnë po atë të vërtetë të pakundërshtueshme, se njeriu nuk mund të qeverizojë vetveten me sukses.
Padyshim, kjo është arsyeja për të cilën shumë njerëz dëshpërohen në kërkimin e zgjidhjes së problemeve botërore. Të tjerët ndihen si Aurelio Peccei, mendimtari italian i përmendur në fillim. Nëse ekziston një zgjidhje, arsyetojnë ata, ajo duhet të vijë nga një burim i jashtëzakonshëm, madje, ndoshta mbinatyror. Kështu, koncepti i një mesie ka tërheqje të fuqishme. Por, a është reale të shpresohet në një mesi? Apo një shpresë e tillë është vetëm një dëshirë e kotë?
[Burimi i figurës në faqen 3]
Fotografia WHO nga P. Almasy
[Burimi i figurës në faqen 4]
Fotografia WHO nga P. Almasy
Fotografia nga U.S. Navy