TIMNAHU
1. Vend në kufirin e Judës dhe të Danit. (Js 15:1, 10; 19:40-43) Disa mendojnë se vendndodhja është Kirbet-Tibnahu, rreth 6 km në perëndim të Beth-Shemeshit. Edhe pse emri i këtij vendi ngjan disi me emrin e lashtë, aty nuk janë zbuluar mbetje arkeologjike që datojnë para epokës romake. Shumë përkrahin idenë se ndodhej në Tell-el-Batashi (Tel-Batash), afro 7 km në perëndim-veriperëndim të Beth-Shemeshit, në anën jugore të luginës së përroit të Sorekut.
Samsoni zgjodhi për grua një filistine nga Timnahu kur «po kërkonte shkas kundër filistinëve», që në atë kohë sundonin mbi Izraelin. Rrugës për në qytet, në vreshtat e Timnahut, vrau një luan pa pasur asgjë në dorë. (Gjy 14:1-6) Në kohën e mbretit Akaz, filistinët pushtuan Timnahun me fshatrat e tij.—2Kr 28:16-19.
2. Qytet në rajonin malor të Judës. Studiuesit e lidhin këtë Timnah me Kirbet-et-Tabanën (Horvat-Tibnahun), rreth 3 km në veriperëndim të Gibeahut (El Jabʽën). (Js 15:20, 48, 57) Me sa duket, afër këtij Timnahu Juda kishte vendosur të qethte dhentë dhe në Enaim (që ishte rrugës për në Timnah) pati marrëdhënie me Tamarën, ngaqë e mori për prostitutë.—Zn 38:12-18.