KOFSHA
Pjesa e këmbës nga këllku deri te gjuri. Meqë gjendet në anë të trupit, fjala hebraike mund t’i referohet edhe anës së diçkaje, si ‘ana’ e tabernakullit ose e një altari.—Da 40:24; 2Mb 16:14.
Shpata mbahej në anë të kofshës. (Da 32:27; Gjy 3:16, 21; Kng 3:8; Ps 45:3) Te Zbulesa 19:11-21, Krishti Jezu paraqitet mbi një kalë të bardhë lufte duke luftuar kundër ‘bishës’ dhe mbretërve të tokës me ushtritë e tyre. Titulli i tij «Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve» shfaqet qartë i shkruar në rrobën që i binte mbi kofshë, ku mbahet zakonisht shpata, simbol i autoritetit.
Mbathjet e priftërinjve në Izrael mbulonin mesin dhe kofshët, domethënë shkonin deri te gjuri, që të mos u dukej fare mishi kur shërbenin në shenjtërore dhe në altarin e Jehovait. Përndryshe do të vdisnin.—Da 28:42, 43.
Kur bëhej një betim ishte zakon që ai që betohej ta vinte dorën nën kofshën e atij të cilit i betohej. (Zn 24:2-4, 9; 47:29-31) Për domethënien e këtij gjesti shih POZICIONET DHE GJESTET (Betimi). T’i bije kofshës me shuplakë tregonte hidhërim, brengë dhe brejtje ndërgjegjeje.—Jr 31:19; Ezk 21:12.
Organet e riprodhimit. Meqenëse organet e riprodhimit gjenden afër kofshës, thuhet se pasardhësit ‘dalin nga pjesa e sipërme e kofshës’. (Zn 46:26; Da 1:5; Gjy 8:30) Kjo ndihmon të kuptojmë natyrën e ndëshkimit që e priste një grua fajtore për kurorëshkelje në fshehtësi.
Nëse një burrë dyshonte për besnikërinë e së shoqes, duhej ta çonte te prifti. Prifti e vinte gruan të qëndronte para Jehovait, merrte ujë të shenjtë (me sa duket ujë të pastër e të freskët), hidhte në të ca dhé nga dyshemeja e tabernakullit dhe lante ose fshinte në të mallkimet që kishte shkruar. Pasi e vinte të betohej se ishte e pafajshme, prifti i jepte ujin e hidhur që ta pinte. Nëse ishte fajtore, asaj ‘i thahej kofsha’ dhe i ënjtej barku. Nëse ishte e pafajshme, nuk i ndodhte asgjë.—Nu 5:12-31.
Në ç’kuptim ‘i thahej kofsha’ një gruaje kurorëshkelëse?
Në këtë fragment fjala «kofshë» është përdorur si eufemizëm për organet seksuale. (Krahaso Zn 46:26.) Logjikisht ndëshkimi prekte organet që ishin përfshirë në keqbërje. (Krahaso Mr 9:43-47.) Termi «thahet» do të kishte kuptimin «tretet» (The Holy Bible, përkthyer nga Shoqëria Biblike Katolike e Amerikës), «tkurret» (Da) ose «fishket» (Mo), dhe mund të tregojë atrofizimin e organeve seksuale dhe humbjen e pjellorisë e të aftësisë për t’u ngjizur. Përderisa burri duhej ta linte shtatzënë gruan e pafajshme, gruas kurorëshkelëse do t’i mohohej shtatzënia në të ardhmen. (Nu 5:28) Veç kësaj, gruas fajtore do t’i ënjtej barku si pasojë e mallkimit, jo e bekimit të shtatzënisë.
Pa dyshim, ky nuk ishte si ndëshkimet e praktikuara në Epokën e Errët, nga të cilat mund të shpëtoje vetëm me anë të një mrekullie. Uji në vetvete nuk kishte asgjë të dëmshme. Megjithatë, ishte ujë i shenjtë dhe kishte brenda dhé ose pluhur të shenjtë e në të ishin larë mallkimet e shkruara. Prandaj, ai përmbante simbolika të fuqishme dhe pihej para Jehovait pasi bëhej një betim solemn para tij. Nuk kishte asnjë dyshim në lidhje me përfundimin e çështjes. Nëse gruaja ishte fajtore, Jehovai bënte që uji të kishte fuqi mrekullibërëse dhe ajo merrte atë që meritonte. Kurorëshkelja dënohej me vdekje, por në këtë rast nuk ekzistonin dy dëshmitarët e nevojshëm. (Nu 35:30; Lp 19:15) Gjithashtu, në një rast të tillë, zakonisht nuk ishte zbuluar se kush ishte burri fajtor, i cili po ashtu meritonte vdekjen.