BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Sidoni, sidonitët”
  • Sidoni, sidonitët

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Sidoni, sidonitët
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Fenikia
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Tiri
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Jehovai përul krenarinë e Tirit
    Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin I
  • Zarefati
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Sidoni, sidonitët”

SIDONI, SIDONITËT

Paraardhësi i sidonitëve ishte Sidoni, i parëlinduri i Kanaanit. Qyteti-port i Sidonit e mori emrin nga paraardhësi i tyre dhe për shumë vjet ishte qyteti kryesor i fenikasve, siç i quanin grekët sidonitët. Sot ky qytet njihet me emrin Saida.

Veç kësaj, një koloni sidonitësh u vendos rreth 35 km në jug të Sidonit dhe atë vend e quajtën Tir. Me kalimin e kohës, Tiri ia kaloi Sidonit në shumë aspekte, megjithatë nuk e humbi kurrë plotësisht identitetin si koloni sidonite. Nganjëherë mbreti i Tirit quhej ‘mbret i sidonitëve’ (1Mb 16:31), dhe Tiri e Sidoni shpesh përmenden bashkë në profeci. (Jr 25:22; 27:3; 47:4; Jo 3:4; Za 9:2) Mes dy qyteteve gjendej Zarefati ‘i Sidonit’, ku Elijan e ushqeu një vejushë gjatë një zie buke që zgjati shumë.​—1Mb 17:9; Lu 4:25, 26.

Në fillim Sidoni ishte kufiri verior i kombeve kananite. (Zn 10:19) Pasi Josiu mposhti mbretërit e Kanaanit Verior (që izraelitët i ndoqën deri «në Sidonin e populluar» në veri), vendi iu nda nëntë fiseve dhe një gjysmë fisi që nuk kishin marrë ende pjesë. Asokohe vendi që ishte nën kontrollin e Sidonit nuk ishte pushtuar akoma. (Js 11:8; 13:2, 6, 7; Nu 32:33) Asheri mori rrafshinat bregdetare në jug të Sidonit dhe, siç ishte profetizuar, «kufiri» i territorit të Zabulonit u shtri «drejt Sidonit», pra, në veri të Tokës së Premtuar. (Js 19:24, 28; Zn 49:13) Mirëpo, në vend se t’i përzinin sidonitët nga territori që u kishte caktuar Perëndia, asheritët u mjaftuan të jetonin mes tyre. (Gjy 1:31, 32; 3:1, 3) Gjatë periudhës së gjykatësve, fisi i Danit aneksoi Laishin, ndoshta një koloni sidonite, dhe e quajti Dan. Qyteti u pushtua kollaj, sepse njerëzit ishin «të qetë e të shkujdesur», pra, të papërgatitur për një sulm. (Gjy 18:7, 27-29) Sidoni përmendet edhe në lidhje me regjistrimin që u bë në ditët e Davidit.​—2Sa 24:6.

Qyteti-port i Sidonit, që kishte dy nga limanet e pakta të bregdetit fenikas, u bë qendër e madhe tregtare ku karvanët takoheshin dhe shkëmbenin prodhimet e tyre me mallin që sillnin anijet e linjave detare të Mesdheut. Ndër sidonitët kishte tregtarë të pasur, detarë të zotë dhe rremtarë të regjur. (Is 23:2; krahaso Ezk 27:8, 9.) Gjithashtu, ishin të famshëm si mjeshtër të prodhimit të qelqit dhe si endës e ngjyrues pëlhurash. Veç kësaj, njiheshin si druvarë të zotë dhe tregtarë të aftë të lëndës së drurit.​—1Mb 5:6; 1Kr 22:4; Ezd 3:7.

Feja e sidonitëve dhe pasojat e saj. Nga ana fetare, sidonitët ishin të shthurur; pjesë e rëndësishme e adhurimit të tyre ishin orgjitë e ndyra seksuale për nder të perëndeshës Ashtoreth. Duke i lejuar sidonitët të qëndronin mes tyre, izraelitët ranë në lakun e adhurimit të perëndive të tyre të rreme. (Gjy 10:6, 7, 11-13) Disa prej grave të huaja me të cilat u martua Solomoni ishin sidonite, dhe ato e shtynë mbretin të ndiqte Ashtorethin, perëndeshën e neveritshme të pjellorisë. (1Mb 11:1, 4-6; 2Mb 23:13) Edhe mbreti Akab bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait kur u martua me Jezebelën, bijën e një mbreti sidonit. Nga ana e vet, ajo bëri çmos që të nxiste adhurimin e rremë në Izrael.​—1Mb 16:29-33; 18:18, 19.

Sidonitëve iu desh të pinin nga kupa e zemërimit të Jehovait, në fillim kur dëgjuan shpalljet e profetëve të tij, e më vonë kur i shkatërruan babilonasit dhe të tjerët. (Is 23:4, 12; Jr 25:17, 22; 27:1-8; 47:4; Ezk 28:20-24; 32:30; Jo 3:4-8; Za 9:1-4) Historia jobiblike tregon se në Sidon sunduan njëra pas tjetrës Babilonia, Persia, Greqia dhe Roma.

Historia e Sidonit në shekullin I të e.s. Edhe pse adhurimi i sidonitëve ishte i shthurur, ata nuk ishin aq fajtorë sa Izraeli i pabindur. Prandaj, Jezui tha se Dita e Gjykimit do të ishte më e lehtë për banorët e Sidonit se për ata judenj të Korazinit e Betsaidës që e hodhën poshtë si Mesia. (Mt 11:20-22; Lu 10:13, 14) Ca kohë më vonë, kur Jezui po udhëtonte në krahinën përreth Sidonit, një grua fenikase tregoi besim tek ai. (Mt 15:21-28; Mr 7:24-31) Megjithatë, ‘turmat’ që Jezui kishte shëruar më parë, mes të cilave kishte edhe disa nga rrethinat e Tirit e Sidonit, me siguri që përbëheshin kryesisht nga judenj ose prozelitë. (Mr 3:7, 8; Lu 6:17) Në udhëtimin e parë për në Romë si i burgosur, Pavlin e lejuan të vizitonte vëllezërit në Sidon.​—Ve 27:1, 3.

Për arsye që historia nuk i tregon, Herod Agripa I «donte të luftonte» kundër sidonitëve, të cilët furnizoheshin me ushqim nga mbreti. Në ditën e caktuar për të zgjidhur çështjen, kur sidonitët duartrokitën Herodin duke thirrur «zë perëndie, e jo njeriu», engjëlli i Jehovait e goditi Herodin dhe atë e brenë krimbat.​—Ve 12:20-23.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo