PALCA
Ind vaskular dhjamor e i butë që mbush zgavrat e pjesës më të madhe të kockave. Ka dy lloje palcash, palcë e verdhë dhe palcë e kuqe. Te të rriturit, kockat e gjata dhe rrumbullake kanë palcë të verdhë ose joaktive, të përbërë kryesisht nga inde dhjamore, kurse kockat e sheshta të kafkës, të brinjëve, të dërrasës së kraharorit dhe të legenit kanë palcë të kuqe ose aktive. Palca e kuqe luan një rol të rëndësishëm në formimin e gjakut. Ajo prodhon rruazat e kuqe që mbartin oksigjenin, pllakëzat që kanë funksion mpiksës dhe një përqindje të madhe rruazash të bardha që shërbejnë kryesisht për të luftuar infeksionet. Si një organ burimor i qelizave të gjakut, ajo ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe forcën e trupit. Prandaj Jobi (21:24) me të drejtë thotë me një gjuhë të figurshme se një njeri i shëndetshëm e i ushqyer mirë e ka palcën e kockave «plot njomësi».
Palca e kockave të kafshëve me sa duket përdorej si ushqim nga izraelitët. (Krahaso Mi 3:2, 3.) Ngaqë është e pasur me proteina, yndyrna dhe hekur, ajo ka shumë vlera ushqyese. Ja pse në banketin e Jehovait për të gjithë popujt ka «gjellë [simbolike] plot yndyrë e plot palcë».—Is 25:6.
Te Hebrenjve 4:12 thuhet se «fjala e Perëndisë» është më e mprehtë se një shpatë me dy tehe e mund të depërtojë deri në mendimet dhe motivet e një njeriu, sikur shkon deri në palcë, në pjesën më të brendshme të kockave.