HIDEKELI
Një prej katër degëve të lumit që dilte nga Edeni. (Zn 2:10-14) Në persishten e vjetër, Hidekeli quhej Tigra, prej nga vjen emri grek i lumit: Tigër. Në gjuhën arabe njihet si Shat-Dijla. Disa e quajnë lumi binjak i Eufratit, tok me të cilin ujit rrafshinat e Mesopotamisë.
Buzë lumit Tigër (Hidekel), Danieli mori vegimin e luftës për pushtet që do të zhvillohej mes ‘mbretit të veriut’ dhe ‘mbretit të jugut’. (Dn 10:4, 5; 11:5, 6) Pasi hyn në rrafshinat e Mesopotamisë, Tigri kalon pranë vendndodhjeve të shumë qyteteve të lashta. Në bregun lindor të lumit, kundrejt Mosulit të sotëm, shtrihen rrënojat e Ninevisë së lashtë. Në po atë anë, më në jug, është vendndodhja e Kalahut, kurse poshtë tij, në bregun perëndimor, gjendet Ashuri i lashtë. Pak më tej Bagdadit, në bregun perëndimor, janë rrënojat e Seleukisë, kryeqytetit të lashtë të dinastisë së Seleukajve.
Burimet e Tigrit ndodhen në lindje të Turqisë së sotme. Burimi më në perëndim është edhe më i largëti, pasi zë fill në malet në jug të liqenit Hazar, rreth 25 km në juglindje të qytetit të Elazigut e vetëm pak kilometra larg njërit prej burimeve të lumit Eufrat. Është e qartë, pra, se këta dy lumenj mund të kenë pasur fare mirë një burim të përbashkët para se Përmbytja globale të sillte ndryshime topografike në sipërfaqen e tokës. Gjatë 240 kilometrave të parë, burimi që është më në perëndim rrjedh drejt juglindjes dhe me të bashkohen burime të tjera më të vogla nga lindja. Pastaj, në një pikë në jug të skajit perëndimor të liqenit Van, lumi drejtohet më nga jugu. Ai përshkon një grykë të thellë, para se të dalë nga malet në pjesën e sipërme të rrafshinës së Mesopotamisë. Që atje e derisa takohet me lumin Eufrat, Tigrin e ushqejnë nga lindja katër degë: Zabi i Madh, Zabi i Vogël, ʽAdhaimi dhe Dijala.
Në përgjithësi mendohet që Tigri dhe Eufrati në lashtësi kishin grykëderdhje të ndryshme në det, por që, në rrjedhën e shekujve, skaji i sipërm i gjirit u mbush me lym, e kështu tani lumenjtë bashkohen. Pas bashkimit, formojnë lumin e gjerë të quajtur Shat-al-Arab, që përshkon afro 160 km para se të derdhet në Gjirin Persik.
Gjatësia e përgjithshme e Tigrit shkon rreth 1.850 km. Është lumë i gjerë, vende-vende 366 m, por në tërësi është i cekët dhe, nga Bagdadi e lart, mund të përshkohet vetëm nga mjete lundrimi me fund të sheshtë. Tigri rrjedh shumë më shpejt se Eufrati, është vetëm sa dy të tretat e gjatësisë së «binjakut» të tij dhe është më pak i rëndësishëm nga ana tregtare.