ELAMI
1. Një nga pesë bijtë e Semit prej të cilëve erdhën ‘familje, sipas gjuhëve të tyre, në vendet e tyre, sipas kombeve të tyre’. (Zn 10:22, 31; 1Kr 1:17) Emrat e bijve të Elamit nuk bëhen të ditur; gjithsesi, emri i tij tregon edhe një popull, edhe një rajon në kufirin juglindor të Mesopotamisë.
Historikisht emri Elam përdorej për një zonë në provincën që quhet sot Kuzestan, në jugperëndim të Iranit. Elami përfshinte rrafshinën pjellore në lindje të luginës së Tigrit të Poshtëm, që lagej nga lumenjtë Karun dhe Karkeh. Pastaj shtrihej, me sa duket, në rajonet malore në veri dhe në lindje të rrafshinës, ndonëse për këta dy kufij të dhënat janë më të paqarta. Mendohet se në ato vise malore ndodhej rajoni i quajtur Anshan, i cili paraqitet në mbishkrime si pjesë e Elamit që nga kohët e moçme. Kështu Elami, që ndodhej në skajin lindor të Gjysmëhënës Pjellore, ishte në njëfarë kuptimi zonë kufitare, pra një ndër zonat ku banonin dhe sundonin kryesisht popullsi semite, që ndesheshin ose shkriheshin me popullsi me prejardhje nga bijtë e tjerë të Noesë, sidomos të degës jafetike.
Asirianët dhe babilonasit e quanin Elamtu vendin e Elamit, kurse shkrimtarët klasikë grekë e quanin Elimaidë, e hera-herës edhe «Suzianë», sipas qytetit të Suzës ose Shushanit, që dikur ishte me sa duket kryeqyteti i Elamit. Nën sundimin e Perandorisë Perse, Suza (Shushani) ishte qytet mbretëror. (Ne 1:1; Es 1:2) Ndodhej në rrugët tregtare që të çonin në juglindje dhe lart në rrafshnaltën iraniane. Orvatjet për t’i pasur nën kontroll ato rrugë, e bënë Elamin shënjestrën e mësymjeve të shpeshta të sundimtarëve asirianë dhe babilonas.
Gjuha. Kur flitet për Elamin, veprat e referimit në përgjithësi thonë se shkrimtari i Zanafillës e renditi Elamin nën Semin vetëm nga këndvështrimi politik ose gjeografik, sepse, sipas tyre, populli i Elamit nuk ishte semit. Këtë pikëpamje e bazojnë në idenë se gjuha e elamitëve nuk ishte semite. Mirëpo studimet tregojnë se mbishkrimet më të lashta të zbuluara në rajonin gjeografik që quhet Elam, janë «veçse lista objektesh të vizatuara në pllaka argjile, secili me një numër anash, të paraqitura me një sistem të thjeshtë vizash, rrathësh e gjysmërrathësh . . . dhe përmbajtja e tyre në atë periudhë është thjesht ekonomike ose administrative». (Semitic Writing, nga Xh. R. Drajvëri, Londër, 1976, f. 2, 3) Duket qartë se këto mbishkrime mund të quhen «elamite» vetëm në kuptimin që u zbuluan në territorin e Elamit.
Kështu, ata që janë kundër përfshirjes së Elamit në popujt semitë bazohen kryesisht në mbishkrimet e mëpasshme kuneiforme, që mendohet se i përkasin një periudhe të vonshme të mijëvjeçarit të 2-të p.e.s., si edhe në përmendoren e Behistunit (e shekullit të 6-të p.e.s.), që përmban tekste paralele në persishten e vjetër, në gjuhën akadiane dhe atë «elamite». Për mbishkrimet kuneiforme që u atribuohen elamitëve thuhet se janë në një gjuhë përngjitëse (gjuhë në të cilën rrënjët e fjalëve bashkohen për të formuar fjalë të përbëra, pra ndryshe nga gjuhët e eptueshme). Filologët nuk kanë arritur ta lidhin këtë gjuhë «elamite» me ndonjë gjuhë tjetër të njohur.
Kur peshojmë informacionet e mësipërme, duhet të mbajmë parasysh se në rajonin gjeografik ku u përqendruan në fund pasardhësit e Elamit ka shumë mundësi të kenë banuar popuj të tjerë para ose edhe gjatë qëndrimit të elamitëve atje, ashtu siç banonin në Babiloni sumerianët e lashtë josemitë. Në një enciklopedi (Encyclopædia Britannica 1959, vëll. 8, f. 118) thuhet: «Anembanë vendit [të quajtur Elam] banonin fise të ndryshme, shumica e të cilave flitnin dialekte përngjitëse, edhe pse në krahinat perëndimore banonin semitë.»—Kursivi është yni; HARTA dhe TABELA, vëll. 1, f. 329 në botimin anglisht.
Mbishkrimet kuneiforme të gjetura në rajonin e Elamit nuk provojnë në vetvete se elamitët e vërtetë nuk kishin origjinë semite, siç e tregojnë shumë shembuj të lashtë historikë për popuj që përvetësuan një gjuhë tjetër si pasojë e mbizotërimit ose e depërtimit të elementëve të huaj. Po ashtu, ka shembuj të popujve të lashtë që përdornin krahas gjuhës amtare edhe një gjuhë tjetër për marrëdhëniet tregtare e ndërkombëtare, si për shembull gjuha aramaike që u bë gjuhë e përbashkët e shumë popujve. «Hititët» e Karatepes bënin mbishkrime dygjuhëshe (me sa duket në shekullin e 8-të p.e.s.), në shkrimin «hitit» me hieroglife dhe në gjuhën e vjetër fenikase. Në Persepoli, një qytet mbretëror pers, u gjetën rreth 30.000 pllaka argjile të epokës së mbretit pers Dari I. Pjesa dërrmuese ishin në gjuhën e quajtur «elamite». Prapëseprapë, Persepoli nuk mund të quhet qytet elamit.
Një dëshmi tjetër që tregon se është e paarsyeshme që tabela e kombeve në kapitullin 10 të Zanafillës të konsiderohet thjesht si gjeografike dhe jo si gjenealogji e japin disa skulptura të gdhendura për mbretërit elamitë që, sipas arkeologëve, i përkasin epokës së largët të Sargonit I (sundimi i të cilit daton nga fundi i mijëvjeçarit të 3-të). Këto skulptura jo vetëm paraqitin figura tipike akadiane (asiro-babilonase semite), por kanë edhe mbishkrime në gjuhën akadiane.—The Illustrated Bible Dictionary, nga Xh. D. Dagllasi, 1980, vëll. 1, f. 433.
Historia. Elami përmendet për herë të parë në Bibël si vend ose si komb në kohën e Abrahamit (2018-1843 p.e.s.), kur Kedorlaomeri, ‘mbret i Elamit’, marshoi bashkë me mbretër të tjerë aleatë kundër një koalicioni mbretërish kananitë në rajonin e Detit të Vdekur. (Zn 14:1-3) Tregohet se Kedorlaomeri ishte në ballë të aleancës dhe se kishte epërsi mbi mbretërit kananitë rebelë që pastaj ai i ndëshkoi. (Zn 14:4-17) Ajo fushatë, për të cilën ndoshta u desh një udhëtim vajtje-ardhje prej 3.200 km, nuk ishte e pazakontë për mbretërit e Mesopotamisë, qoftë edhe në atë epokë të hershme. Historia jobiblike dëshmon se në një periudhë nga fillimi i mijëvjeçarit të 2-të p.e.s., në Mesopotami kishte epërsi Elami. Një funksionar elamit që quhej Kudur-Mabuk ia doli të pushtonte qytetin e rëndësishëm të Larsës (buzë Eufratit, në veri të Urit) dhe vuri mbret atje të birin, Uarad-Sinin. Vlen të përmendet se emrat Uarad-Sin dhe Rim-Sin (vëllai i Uarad-Sinit që u bë mbret pas tij) janë që të dy emra semitë, një dëshmi tjetër kjo e pranisë së një elementi semit në Elam.
Hamurabi shkaktoi trazira e i dha fund epërsisë së Elamit në Babiloni. Vetëm nga fundi i mijëvjeçarit të 2-të p.e.s. Elami arriti ta merrte Babiloninë dhe të rivendoste sundimin e vet për disa shekuj. Mendohet se pikërisht në atë kohë, një stelë që përmbante të famshmin Kod të Hamurabit u çua nga Babilonia në Suzë, ku e zbuluan arkeologët e sotëm.
Nabukodonosori I (jo ai Nabukodonosor që shkatërroi Jerusalemin disa shekuj më pas) e uli sërish Elamin në një pozitë të nënshtruar. Gjithsesi, Elami përzihej shpesh në luftën për pushtet mes Asirisë dhe Babilonisë, derisa perandorët asirianë Senakerib dhe Ashurbanipal (Asenapar) e mundën ushtrinë elamite dhe shpërngulën një pjesë të popullsisë në qytetet e Samarisë. (Ezd 4:8-10) Veç kësaj, disa robër izraelitë u çuan në mërgim në Elam. (Is 11:11) Në mbishkrimet e perandorëve asirianë përshkruhet me gjuhë të gjallë ky nënshtrim i Elamit.
Pas rënies së Perandorisë Asiriane, Elami me sa duket përfundoi nën sundimin jafetik (arian). Mendohet se medët dhe persët ishin përhapur në rrafshnaltën iraniane disa shekuj më parë dhe, nën sundimin e Siaksaresit, medët luftuan krah babilonasve për të zaptuar kryeqytetin e Asirisë, Ninevinë. Danieli 8:2 siç duket tregon se, që nga ajo kohë, Elami u bë provincë babilonase. Cilatdo të kenë qenë pasojat e menjëhershme që pati tek Elami rënia e Asirisë, persët duket se arritën t’i merrnin Elamit rajonin e quajtur Anshan, përderisa secili nga sundimtarët persë Teispi, Kiri I, Kambisi dhe Kiri II mbajti titullin «mbret i Anshanit». Disa e shohin këtë pushtim të Anshanit si përmbushje të profecisë së Jeremisë për Elamin (Jr 49:34-39), kurse shumica e studiuesve mendojnë se pushtimi i Anshanit nga Teispi ndodhi shumë vjet para se të shpallej ajo profeci rreth vitit 617 p.e.s.
Tek Isaia 22:4-6 u paratha se harkëtarët elamitë do të ishin mes atyre që do të sulmonin Judën dhe Jerusalemin. U profetizua edhe se elamitët do të bashkoheshin me Medinë për të plaçkitur Babiloninë (539 p.e.s.), në një kohë kur Media ishte nën sundimin e mbretit pers Kiri II, «mbret i Anshanit». (Is 21:2) Pra, elamitët luajtën rol në çlirimin e Izraelit nga mërgimi. Sidoqoftë, disa herë ata kishin marrë anën e armiqve të popullit të Perëndisë, prandaj, në kohën e duhur, Elami dhe kombet e tjera do të detyroheshin të pinin nga kupa e zemërimit të Perëndisë dhe do të zbritnin në Sheol.—Jr 25:17, 25-29; Ezk 32:24.
Mes mijëra të pranishmëve në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. ishin edhe disa elamitë që e dëgjuan mesazhin e shpallur nga dishepujt në gjuhën që flitej asokohe në Elam. (Ve 2:8, 9) Megjithatë, më pas elamitët u zhdukën si komb dhe popull, siç ishte parathënë te Jeremia 49:34-39.
2. Derëtar levit gjatë mbretërimit të Davidit dhe bir i Meshelemiahut nga familja e korahitëve.—1Kr 25:1; 26:1-3.
3. Bir i Shashakut dhe një nga krerët e fisit të Beniaminit.—1Kr 8:24, 25, 28.
4. Paraardhës i një familjeje izraelite, 1.254 pasardhës të së cilës u kthyen nga Babilonia me Zorobabelin (Ezd 2:1, 2, 7; Ne 7:12), të pasuar nga një grup tjetër me 71 meshkuj që shoqëroi Ezdrën. (Ezd 8:7) Disa pasardhës të Elamit ishin mes atyre që pranuan t’i largonin gratë e huaja (Ezd 10:19, 26), dhe një përfaqësues i familjes nënshkroi besëlidhjen në kohën e Nehemisë.—Ne 10:1, 14.
5. Dikush që u quajt ‘Elami tjetër’, edhe ai kreu i një familjeje me të njëjtin numër pasardhësish, 1.254, të cilët ishin në grupin që u kthye në Judë me Zorobabelin.—Ezd 2:31; Ne 7:34.
6. Levit i pranishëm në përurimin e murit të Jerusalemit të organizuar nga Nehemia.—Ne 12:27, 42.