Çfarë nënkupton e gjithë kjo?
JEZU KRISHTI tha se ‘përfundimi i sistemit’ do të karakterizohej nga luftëra, mungesa ushqimi, murtaja dhe tërmete.—Mateu 24:1-8; Luka 21:10, 11.
Që nga viti 1914 jetën e njerëzve e kanë rrënuar luftërat ndërmjet kombeve dhe ndërmjet grupeve etnike. Këto shpesh kanë filluar për shkak të ndërhyrjes politike të klerikëve. Së fundi edhe sulmet e përhapura terroriste po rrënojnë jetë njerëzish.
Me gjithë zhvillimet shkencore, në mbarë botën qindra milionë njerëz nuk kanë asgjë për të ngrënë. Çdo vit miliona njerëz vdesin si pasojë e mungesës së ushqimit.
Pjesë e shenjës që dha Jezui ishin edhe murtajat, domethënë epidemitë me sëmundje ngjitëse. Pas Luftës I Botërore një epidemi gripi mori më shumë se 21.000.000 jetë njerëzish. Ndryshe nga kohët e shkuara, kur epidemitë ishin pak a shumë të kufizuara në një zonë, kjo epidemi u përhap në kombet e tokës mbarë, e madje deri në ishujt e largët. Tani globin po e mbërthen SIDA, kurse në kombet në zhvillim vazhdojnë të bëjnë kërdinë epidemi të tilla, si: tuberkulozi, malarja, tifoja dhe kolera.
Sipas të dhënave, çdo vit ndodhin dhjetëra mijë tërmete të shkallëve të ndryshme. Pavarësisht nga mjetet që kemi dhe nga metodat e përditësuara të raportimit të tërmeteve, dëgjojmë e shohim shpesh në mjetet e informacionit për katastrofat që ndodhin në qendrat e populluara si pasojë e tërmeteve.
Bibla gjithashtu paratha: «Dije këtë, se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket se kanë një formë të devocionit hyjnor, por që në jetën e tyre nuk ndikohen prej fuqisë së tij; dhe nga këta largohu.»—2 Timoteut 3:1-5.
A nuk mendon edhe ti se po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar»?
A e ke vënë re se njerëzit janë bërë të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave dhe krenarë, në një masë të jashtëzakonshme?
A do ta vije në diskutim se bota është plot me njerëz që kërkojnë nga të tjerët, por që s’janë mirënjohës, që s’janë të gatshëm për asnjë marrëveshje dhe që s’janë besnikë?
A të ka rënë në sy që mosbindja ndaj prindërve, si edhe mungesa e përzemërsisë së natyrshme, është rritur jashtëzakonisht jo vetëm në disa vende, por në gjithë botën?
S’ka dyshim që e kupton se po jetojmë në një botë ku njerëzit gjithnjë e më shumë duan kënaqësitë dhe jo mirësinë. Këto janë pikërisht qëndrimet që sipas Biblës do të mbizotëronin në «ditët e fundit».
A ka nevojë për më shumë prova që të kuptojmë se në ç’kohë po jetojmë? Jezui paratha edhe se gjatë po kësaj kohe, lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë do të predikohej në gjithë tokën e banuar. (Mateu 24:14) A po bëhet kjo?
Kulla e Rojës, një revistë e bazuar në Bibël, që përqendrohet në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Jehovait, shtypet rregullisht në më shumë gjuhë se çdo revistë tjetër periodike.
Çdo vit, Dëshmitarët e Jehovait kalojnë më shumë se një miliard orë duke u folur të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë.
Tani botojnë literaturë që shpjegon Biblën në rreth 400 gjuhë, madje edhe në gjuhë që i flasin popullsi të vogla në vende të largëta. Dëshmitarët e Jehovait e kanë predikuar lajmin e mirë në të gjitha kombet; kanë predikuar edhe në shumë ishuj e territore që janë tepër të vogla për t’u vënë re në sferën politike. Në shumë vende, ata drejtojnë një program të rregullt arsimimi biblik.
Pra, lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë po predikohet në gjithë tokën e banuar, jo për të kthyer botën në besim, por për të dhënë dëshmi. Kudo qofshin, njerëzve po u jepet mundësia të tregojnë se interesohen për atë që krijoi qiejt dhe tokën. Po u jepet edhe mundësia të tregojnë respekt për ligjet e tij dhe dashuri për njerëzit e tjerë.—Luka 10:25-27; Zbulesa 4:11.
Është shumë afër koha kur Mbretëria e Perëndisë do ta pastrojë tokën nga gjithë të ligjtë dhe do ta bëjë parajsë.—Luka 23:43.
[Kutia në faqen 6]
Ditët e fundit të çfarë gjëje?
Jo ditët e fundit të njerëzimit, sepse për ata që kryejnë vullnetin e Perëndisë, Bibla përmban shpresën e jetës përgjithmonë.—Gjoni 3:16, 36; 1 Gjonit 2:17.
Jo ditët e fundit të tokës. Në Fjalën e Perëndisë premtohet se toka e banuar do të qëndrojë përjetë.—Psalmi 37:29; 104:5; Isaia 45:18.
Këto janë ditët e fundit të këtij sistemi të dhunshëm e pa dashuri, si edhe ditët e fundit të atyre që vazhdojnë të ndjekin rrugët e këtij sistemi.—Fjalët e urta 2:21, 22.
[Kutia dhe figura në faqen 7]
A është vërtet Bibla Fjala e Perëndisë?
Vazhdimisht profetët e Biblës shkruan: «Kështu thotë Zoti.» (Isaia 43:14; Jeremia 2:2) Edhe Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, e theksoi se ‘nuk fliste nga vetja e tij’. (Gjoni 14:10) Vetë Bibla e thotë qartë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.»—2 Timoteut 3:16.
S’ka asnjë libër tjetër që të jetë botuar në kaq shumë gjuhë, në më shumë se 2.200, sipas shifrës së dhënë nga Shoqatat e Bashkuara Biblike. S’ka libër tjetër që të ketë një qarkullim kaq të gjerë, më shumë se katër miliardë kopje deri tani. A nuk do të pritnit të tilla gjëra nga një mesazh që vjen nga Perëndia dhe që është për të gjithë njerëzit?
Për të shqyrtuar më plotësisht dëshmitë se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, shih broshurën Një libër për të gjithë njerëzit ose librin Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njeriut?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Do të nxjerrësh shumë dobi po ta lexosh Biblën me çmueshmëri, duke pasur parasysh se është vërtet Fjala e Perëndisë.
[Kutia dhe figurat në faqen 8]
Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?
Është qeveria e veçantë që ka themeluar Perëndia i vërtetë, Jehovai, Krijuesi i qiellit dhe i tokës.—Jeremia 10:10, 12.
Bibla thotë se Perëndia ia ka dhënë Jezu Krishtit këtë autoritet për të sunduar. (Zbulesa 11:15) Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se tashmë Perëndia i kishte dhënë autoritet shumë të madh, një autoritet që i jepte fuqi të kishte nën kontroll dukuritë natyrore, të shëronte çdo lloj sëmundjeje e madje të ringjallte edhe të vdekurit. (Mateu 9:2-8; Marku 4:37-41; Gjoni 11:11-44) Profecitë e frymëzuara të Biblës parathoshin se Perëndia do t’i jepte atij edhe ‘sundimin, lavdinë dhe mbretërinë, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbejnë’. (Danieli 7:13, 14) Kjo qeveri quhet Mbretëria e qiejve, sepse Jezu Krishti tani e ushtron që nga qielli sundimin e tij.
[Figurat në faqen 7]
Lajmi i mirë po predikohet në gjithë botën