KAPITULLI 35
Njerëzit mund të zgjohen nga vdekja!
NË QOFTË se vdesim, a do të dëshirojë Perëndia të na ringjallë, domethënë të na kthejë prapë në jetë? . . . Një njeri i mirë, Jobi, besonte se Perëndia e ka këtë dëshirë. Prandaj, në çastin kur Jobi mendoi se ishte duke vdekur, i tha Perëndisë: «Ti do të thërrasësh dhe unë vetë do të të përgjigjem.» Jobi tha se Perëndia Jehova do të dëshironte me zjarr ose do të dëshironte shumë ta ringjallte Jobin.—Jobi 14:14, 15.
Jezui është tamam si Atij i tij, Perëndia Jehova. Jezui dëshiron që të na ndihmojë. Kur një njeri me lebër i tha: «Po të duash ti, mund të më bësh të pastër», Jezui iu përgjigj: «Dua.» Pastaj e shëroi njeriun që ishte sëmurë me lebër.—Marku 1:40-42.
Si e tregoi Jehovai se i do fëmijët e vegjël?
Nga Ati i tij Jezui mësoi të kishte dashuri për fëmijët. Kohë më parë, në dy raste, Jehovai përdori shërbëtorët e tij për të ringjallur dy fëmijë. Elija iu lut Jehovait të ringjallte birin e një gruaje që ishte treguar mikpritëse me të. Jehovai e ringjalli fëmijën. Jehovai përdori gjithashtu shërbëtorin e tij Elise për të ringjallur një djalë të vogël.—1 Mbretërve 17:17-24; 2 Mbretërve 4:32-37.
A nuk është e mrekullueshme të dimë se Jehovai na do kaq shumë? . . . Ai nuk mendon për ne vetëm kur jemi gjallë. Na kujton edhe në qoftë se ndodh që të vdesim. Jezui tha se Ati madje i quan të gjallë ata njerëz që kanë vdekur e që ai i do. (Luka 20:38) Bibla thotë se ‘as vdekja, as jeta, as gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë nuk do të jenë në gjendje të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë’.—Romakëve 8:38, 39.
Kur ishte në tokë, Jezui tregoi se Jehovai kujdeset për fëmijët e vegjël. Ndoshta të kujtohet që Jezui e përdori kohën e tij për t’u folur edhe fëmijëve për Perëndinë. Por, a e dije se Perëndia i dha Jezuit fuqinë për të kthyer prapë në jetë fëmijë që kishin vdekur? . . . Tani do të flasim për një rast kur Jezui ringjalli vajzën 12-vjeçare të një njeriu me emrin Jair.
Jairi jeton me gruan e tij dhe me fëmijën e tyre të vetëm afër detit të Galilesë. Një ditë vajza e vogël sëmuret rëndë dhe Jairi e kupton se ajo ka për të vdekur. Ai fillon të mendojë për Jezuin, këtë njeri të jashtëzakonshëm për të cilin ka dëgjuar se mund të shërojë njerëzit. Prandaj, Jairi del që ta kërkojë Jezuin. E gjen në breg të detit të Galilesë, duke mësuar shumë njerëz.
Jairi kalon përmes turmës, arrin te Jezui dhe bie në gjunjë para tij. I thotë Jezuit: ‘Vajza ime e vogël është shumë sëmurë. Të lutem, a do të vish ta ndihmosh? Të përgjërohem të vish.’ Jezui niset menjëherë me Jairin. Edhe turma që ka ardhur për të takuar Mësuesin e Madh shkon pas tyre. Por, pasi kanë bërë ca rrugë, disa burra që po vijnë nga shtëpia e Jairit i thonë këtij: «Bija jote vdiq! Përse ta bezdisësh më mësuesin?»
Jezuit i kap veshi fjalët e atyre burrave. Ai e di sa i brengosur është Jairi tani që ka humbur fëmijën e tij të vetëm. Prandaj Jezui i thotë: ‘Mos ki frikë. Vetëm ki besim te Perëndia dhe vajza jote do të shpëtojë.’ Ata vazhdojnë të ecin derisa arrijnë te shtëpia e Jairit. Këtu miqtë e familjes janë duke qarë. Janë të trishtuar sepse vajza e vogël ka vdekur. Por Jezui u thotë: ‘Mos qani më. Fëmija nuk ka vdekur, por po fle.’
Kur Jezui thotë këtë, njerëzit fillojnë të qeshin, sepse e dinë që vajza ka vdekur. Atëherë, pse mendon që Jezui tha se ajo po flinte? . . . Si mendon, çfarë dëshiron t’u mësojë Jezui njerëzve? . . . Ai do që ata ta dinë se vdekja mund të jetë si një gjumë i thellë. Dëshiron t’u mësojë se me fuqinë e Perëndisë, ai mund t’i sjellë përsëri në jetë të vdekurit, po me atë lehtësi që ne mund ta zgjojmë nga gjumi një njeri.
Çfarë mësojmë nga tregimi për Jezuin që ringjalli vajzën e Jairit?
Jezui u thotë të gjithëve që të dalin nga shtëpia, përveç apostujve Pjetër, Jakov dhe Gjon, si edhe prindërve të vajzës. Pastaj shkon atje ku është fëmija. E merr për dore dhe i thotë: «Vajzë, ngrihu!» Menjëherë ajo ngrihet dhe fillon të ecë. Babai dhe mamaja janë jashtë mase të gëzuar!—Marku 5:21-24, 35-43; Luka 8:40-42, 49-56.
Mendo pak për këtë. Duke qenë se Jezui mundi ta sjellë prapë në jetë atë vajzë të vogël, a mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për të tjerët? . . . A mendon se ai do ta bëjë vërtet këtë? . . . Po, do ta bëjë. Vetë Jezui tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin [tim] dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.
Si mendon, a dëshiron Jezui t’i ringjallë njerëzit? . . . Ka një shembull tjetër në Bibël që na ndihmon t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Ajo që ndodhi një ditë afër qytetit të Nainit tregon se çfarë ndjenjash ka Jezui për njerëzit që vajtojnë kur u vdes dikush.
Nga qyteti i Nainit po del një varg njerëzish që po shkojnë të varrosin një djalë të vdekur. Nëna e tij është aty bashkë me njerëzit. Ca kohë më parë asaj i ka vdekur burri, kurse tani i vdiq edhe fëmija i vetëm. Sa e hidhëruar që është ajo! Shumë banorë të Nainit e shoqërojnë ndërsa çojnë jashtë qytetit trupin e djalit të saj. Gruaja po qan dhe njerëzit e tjerë s’mund të bëjnë asgjë për ta ngushëlluar.
Këtë ditë, rastësisht Jezui dhe dishepujt e tij po vijnë drejt Nainit. Afër portës së qytetit ata hasin turmën që po shkon të varrosë djalin e asaj gruaje. Kur Jezui sheh gruan që po qan, i vjen shumë keq për të. I preket zemra nga hidhërimi i madh i saj. Ai dëshiron ta ndihmojë.
Prandaj me butësi, e megjithatë me një vendosmëri që e bën gruan të dëgjojë, i thotë: «Mos qaj më!» Mënyra se si sillet e vepron ai bën që të gjithë njerëzit ta shohin me interes. Teksa Jezui shkon te trupi i djalit të vdekur, të gjithë me siguri pyesin veten se çfarë do të bëjë ai. Jezui urdhëron: «Djalosh, ty po të them: ‘Ngrihu!’» Menjëherë djali ngrihet ndenjur dhe fillon të flasë.—Luka 7:11-17.
Mendo si duhet të jetë ndier ajo grua! Si do të ndiheshe ti po të kthehej prapë në jetë një njeri që e doje, por që kishte vdekur? . . . A nuk tregon kjo se Jezui i do vërtet njerëzit dhe dëshiron t’i ndihmojë ata? . . . Mendo sa e mrekullueshme do të jetë në botën e re të Perëndisë të mirëpresim njerëzit që kthehen përsëri në jetë!—2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.
Çfarë tregon ringjallja e fëmijës të vetëm të kësaj gruaje?
Në atë kohë, disa nga këta të ringjallur do të jenë njerëz që i njihnim më parë, përfshirë këtu edhe disa fëmijë. Ne do t’i njohim se kush janë, ashtu si Jairi e njohu vajzën e tij kur e ringjalli Jezui. Të tjerët do të jenë njerëz që vdiqën qindra ose mijëra vjet më parë. Por Perëndia nuk do t’i harrojë ata vetëm sepse kanë jetuar shumë kohë më parë.
A nuk është e mrekullueshme të dimë se Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezui, na duan kaq shumë? . . . Ata dëshirojnë që ne të jetojmë jo vetëm disa vjet, por përgjithmonë!
Për shpresën e mrekullueshme të Biblës për të vdekurit, të lutem lexo Isainë 25:8; Veprat 24:15 dhe 1 Korintasve 15:20-22.