MËSIMI 32
Shprehu me bindje
KUR dikush flet me bindje, të tjerët e kuptojnë se ai e beson plotësisht atë që po thotë. Një bindje e tillë ishte e dukshme në shërbimin e apostullit Pavël. Atyre që u bënë besimtarë në Selanik, ai u shkroi: «Lajmi i mirë që predikojmë nuk erdhi ndër ju vetëm me fjalë, por edhe . . . me bindje të fortë.» (1 Sel. 1:5) Bindja e tij ishte e dukshme si në mënyrën e të folurit, ashtu edhe në mënyrën e të jetuarit të tij. Po kështu, bindja e fortë duhet të jetë e dukshme në mënyrën se si i paraqesim ne të vërtetat biblike.
Të shprehësh bindje nuk do të thotë të jesh kokëfortë, dogmatik ose arrogant. Në vend të kësaj, kur një person flet për gjërat e Fjalës së Perëndisë me bindje, ai e bën këtë në një mënyrë që tregon besim të fortë.—Hebr. 11:1.
Raste për të shprehur bindje. Është e rëndësishme të flasësh me bindje kur je në shërbimin në fushë. Shpesh, njerëzit i kushtojnë mënyrës së të shprehurit po aq rëndësi sa edhe mesazhit. Ata e kuptojnë se ç’mendon ti në të vërtetë për atë që po thua. Bindja jote mund t’u tregojë, në mënyrë më të fuqishme sesa fjalët, se ke diçka shumë të vlefshme për t’u thënë.
Edhe kur i drejtohesh një auditori të përbërë nga bashkëbesimtarë është e nevojshme të shprehësh bindje. Apostulli Pjetër e shkroi letrën e tij të parë të frymëzuar «për të dhënë inkurajim dhe një dëshmi të zjarrtë se kjo është dashamirësia e pamerituar e vërtetë e Perëndisë». Lidhur me këtë, ai i nxiti vëllezërit: «Qëndroni të patundur.» (1 Pjet. 5:12) Kur i shkroi kongregacionit në Romë, apostulli Pavël u shpreh me një bindje që u solli dobi atyre. Ai shkroi: «Jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që kanë për të ardhur, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezu, Zotërinë tonë.» (Rom. 8:38, 39) Gjithashtu, Pavli shkroi në mënyrë bindëse lidhur me nevojën për t’u predikuar të tjerëve dhe zelli i tij në këtë vepër tregoi qartë që ishte i bindur personalisht për rëndësinë e saj. (Vep. 20:18-21; Rom. 10:9, 13-15) Një bindje e ngjashme duhet të jetë e dukshme edhe tek pleqtë e krishterë sot, ndërsa mësojnë të tjerët nga Fjala e Perëndisë.
Gjatë periudhave të studimit dhe në momente të tjera, prindërit duhet të shprehen me bindje kur diskutojnë për çështje frymore me fëmijët e tyre. Kjo kërkon që prindërit të kultivojnë në zemër dashuri për Perëndinë dhe për rrugët e tij. Atëherë mund t’u flasin me bindje nga zemra fëmijëve të tyre, ‘sepse goja flet nga mbushullia e zemrës’. (Luka 6:45; Ligj. 6:5-7) Pasja e një bindjeje të tillë do t’i motivojë, gjithashtu, prindërit që të japin shembullin e tyre për sa i përket ‘besimit pa hipokrizi’.—2 Tim. 1:5.
Të shprehesh me bindje është veçanërisht e rëndësishme kur të tjerët vënë në dyshim besimin tënd. Një shok shkolle, një mësues ose një koleg pune mund të shprehet i habitur që ti nuk merr pjesë në një festë të caktuar. Një përgjigje e vendosur dhe e argumentuar mirë mund ta ndihmojë atë që të respektojë qëndrimin tënd të bazuar në Bibël. Po sikur dikush të përpiqet të të joshë që të përfshihesh në një sjellje të gabuar, si: pandershmëria, abuzimi me drogën ose imoraliteti seksual? Është e rëndësishme ta bësh të qartë se nuk ke për t’u përfshirë kurrsesi në një sjellje të tillë dhe asnjë përpjekje e tij për të të bindur nuk do të ta ndryshojë mendjen. Kjo kërkon që të flasësh me bindje kur të hedhësh poshtë atë propozim. Ndërsa u rezistonte propozimeve imorale të gruas së Potifarit, Jozefi tha me vendosmëri: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?» Kur ajo këmbënguli, ai iku nga shtëpia.—Zan. 39:9, 12.
Si të shprehesh me bindje? Fjalët që përdor mund të ndihmojnë shumë për të pasqyruar bindjen tënde. Në shumë raste Jezui u parapriu pohimeve të rëndësishme me fjalët: «Po, me të vërtetë po të them.» (Gjoni 3:3, 5, 11; 5:19, 24, 25) Bindja e Pavlit pasqyrohej në shprehje të tilla, si «Jam i bindur», «Unë e di dhe jam i bindur në Zotërinë Jezu» dhe «Po them të vërtetën, nuk po gënjej». (Rom. 8:38; 14:14; 1 Tim. 2:7) Për sa i përket përmbushjes së fjalës së tij, në disa raste Jehovai i frymëzoi profetët që të bënin pohime të fuqishme të tilla, si: «Do të dalë patjetër i vërtetë.» (Hab. 2:3) Kur u referohesh këtyre profecive, mund të përdorësh një gjuhë të ngjashme. Në qoftë se nuk e vë besimin te vetja, por te Jehovai dhe në qoftë se u flet të tjerëve me respekt, shprehjet që pasqyrojnë një bindje të ngjashme do të japin dëshmi se ke besim të fortë.
Bindja mund të tregohet edhe nëpërmjet seriozitetit dhe forcës së shprehjeve të tua. Shprehjet e fytyrës, gjestet dhe lëvizjet e trupit luajnë një rol në gjithë këtë, ndonëse mund të ndryshojnë disi nga një person te tjetri. Edhe sikur nga natyra të jesh i ndrojtur ose të kesh një të folur të shtruar, kur je plotësisht i bindur se ajo që po thua është e vërteta dhe se të tjerët duhet ta dëgjojnë, bindja jote do të jetë e dukshme.
Natyrisht, çdo shprehje e bindjes sonë duhet të jetë e sinqertë. Po qe se njerëzit e kuptojnë që po shtiremi në vend që të flasim nga zemra, ka të ngjarë të arrijnë në përfundimin se mesazhi ynë nuk është i rëndësishëm. Prandaj, mbi të gjitha, ji vetvetja. Në qoftë se po flet para një auditori të madh, mund të jetë e nevojshme të flasësh me volum më të lartë se zakonisht dhe me më shumë forcë. Por qëllimi yt duhet të jetë që të shprehesh në mënyrë të sinqertë dhe të natyrshme.
Ç’do të të ndihmojë të shprehesh me bindje? Meqenëse bindja përfshin ndjenjat që ke për materialin, përgatitja e mirë është çelësi. Nuk mjafton të kopjosh materialin nga një botim dhe ta paraqesësh ashtu siç është. Duhet ta kuptosh qartë materialin dhe të jesh në gjendje ta shprehësh me fjalët e tua. Duhet të jesh plotësisht i bindur se materiali është i vërtetë dhe se ajo që po thua ka vlerë për auditorin. Kjo do të thotë që gjatë përgatitjes për mbajtjen e fjalimit, duhet të marrësh parasysh rrethanat e tyre, si dhe atë që tashmë dinë rreth argumentit tënd ose ç’mendojnë për të.
Të tjerët e kanë më të lehtë ta dallojnë bindjen tënde kur flet rrjedhshëm. Prandaj, përveç përgatitjes së një materiali të mirë, puno shumë edhe për mënyrën se si do ta paraqesësh. Kushtoju vëmendje të veçantë pjesëve të materialit që kërkojnë fuqi më të madhe, me qëllim që t’i zhvillosh pa qenë i tepër lidhur me shënimet. Mos harro, gjithashtu, të lutesh që Jehovai t’i bekojë përpjekjet e tua. Në këtë mënyrë do të ‘marrësh guxim me anë të Perëndisë tonë’ për të folur në një mënyrë që pasqyron bindjen për vërtetësinë dhe rëndësinë e mesazhit.—1 Sel. 2:2.