Mënyrat që përdorin për të përhapur lajmin e mirë
TË KRISHTERËT janë urdhëruar që të ‘bëjnë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’, por kjo nuk do të thotë që duhet të bëjnë presion ose t’i kthejnë të tjerët me forcë. Detyra e Jezuit ishte për ‘t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve’, për ‘t’ua lidhur plagën atyre që e kanë zemrën të thyer’ dhe ‘për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen’. (Mateu 28:19; Isaia 61:1, 2; Luka 4:18, 19) Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë ta bëjnë këtë duke shpallur lajmin e mirë që vjen nga Bibla. Ashtu si tha profeti i lashtë Ezekiel, Dëshmitarët e Jehovait sot përpiqen të gjejnë ata «që psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen».—Ezekieli 9:4.
Mënyra më e njohur që përdorin për të gjetur këdo që pikëllohet për kushtet e tanishme, është duke shkuar nga shtëpia në shtëpi. Në këtë mënyrë bëjnë një përpjekje të vërtetë për të gjetur njerëzit, tamam si bënte Jezui kur «shkonte udhës nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë». Dishepujt e tij të hershëm bënë po njëlloj. (Luka 8:1; 9:1-6; 10:1-9) Sot, aty ku është e mundur, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të bëjnë disa herë në vit vizita në çdo shtëpi, duke kërkuar që të bashkëbisedojnë me të zotin e shtëpisë për disa minuta, rreth disa argumenteve lokale ose botërore, që janë me interes ose që na shqetësojnë. Mund të ofrohen për të shqyrtuar një ose dy shkrime, dhe nëse pronari i shtëpisë shfaq interes, Dëshmitari mund të rregullojë që ta vizitojë përsëri në një kohë të përshtatshme për një diskutim të mëtejshëm. Vihen në dispozicion Bibla dhe literaturë që shpjegon Biblën, dhe nëse pronari i shtëpisë dëshiron, drejtohet një studim biblik pa pagesë në shtëpi. Në të gjithë botën, janë drejtuar rregullisht, me individë dhe familje, miliona studime të tilla të dobishme biblike.
Një mënyrë tjetër në të cilën u transmetohet të tjerëve «lajmi i mirë i mbretërisë», është nëpërmjet mbledhjeve që mbahen në Sallat lokale të Mbretërisë. Atje Dëshmitarët mbajnë mbledhje çdo javë. Një mbledhje është një fjalim publik lidhur me një temë që ka interes aktual, e cila pasohet nga një studim i disa temave ose profecive biblike, duke përdorur si material burimor revistën Kulla e Rojës. Një tjetër mbledhje është një shkollë për stërvitjen e Dëshmitarëve, me qëllim që të bëhen shpallës më të mirë të lajmit të mirë, e cila pasohet nga një pjesë që i dedikohet diskutimit të veprës së dëshmisë në territorin lokal. Gjithashtu, një herë në javë, Dëshmitarët mblidhen në shtëpi private, në grupe të vogla, për të studiuar Biblën.
Të gjitha këto mbledhje janë të hapura për publikun. Nuk mblidhen asnjëherë para. Mbledhje të tilla janë të dobishme për të gjithë. Bibla thotë: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.» Studimi dhe kërkimet personale janë të domosdoshme, por kur mblidhemi së bashku me të tjerët është diçka nxitëse: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.»—Hebrenjve 10:24, 25; Proverbat 27:17.
Dëshmitarët, gjithashtu, përdorin mirë rastet për të folur rreth lajmit të mirë, kur takojnë njerëz të tjerë në jetën e përditshme. Mund të jenë disa fjalë të këmbyera me një fqinj a me një bashkudhëtar në një autobus ose aeroplan, një bashkëbisedim më i gjatë me një shok a të afërm ose një bisedë me një shok pune gjatë orës së pushimit. Pjesa më e madhe e dëshmisë që dha Jezui kur ishte në tokë ishte e këtij lloji—kur ecte përgjatë bregut të detit, kur ulej në një kodër, kur ftohej për drekë në shtëpinë e dikujt, kur merrte pjesë në një dasmë ose kur udhëtonte mbi ndonjë varkë peshkimi në Detin e Galilesë. Ai mësoi në sinagoga dhe në tempullin e Jerusalemit. Kudo që ndodhej, gjente raste për të folur për Mbretërinë e Perëndisë. Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të ndjekin gjurmët e tij edhe në këtë drejtim.—1 Pjetrit 2:21.
PREDIKIM ME ANË TË SHEMBULLIT
Asnjëra nga këto mënyra të shpalljes së lajmit të mirë, nuk do të kishte kuptim për ju nëse ai që do t’ua thoshte mësimet nuk do t’i zbatonte për vete. Të thuash një gjë dhe të bësh një tjetër është hipokrizi, dhe hipokrizia fetare ka larguar shumë veta nga Bibla. Bibla nuk mund të fajësohet me të drejtë. Skribët dhe farisenjtë i kishin Shkrimet Hebraike, por Jezui i akuzoi ata si hipokritë. Ai iu referua leximit të Ligjit të Moisiut nga ana e tyre, dhe më pas u tha dishepujve të tij: «Gjithçka t’ju thonë, bëjeni dhe zbatojeni, por mos bëni sipas veprave të tyre, sepse ata thonë, por nuk kryejnë.» (Mateu 23:3) Shembulli i jetës së drejtë të një të krishteri flet më shumë sesa orë të tëra predikimi. Kjo iu theksua grave të krishtera të cilat kishin burra jobesimtarë: «Të fitohen pa fjalë, nëpërmjet sjelljes së grave të tyre, pasi kanë qenë dëshmitarë okularë të sjelljes suaj të dëlirë.»—1 Pjetrit 3:1, 2.
Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen t’ua paraqesin lajmin e mirë të tjerëve edhe në këtë mënyrë: duke qenë shembull në sjelljen e krishterë që u rekomandojnë të tjerëve. Përpiqen t’u ‘bëjnë të tjerëve ashtu si dëshirojnë që të tjerët t’u bëjnë atyre’. (Mateu 7:12) Ata përpiqen të sillen në këtë mënyrë me të gjithë njerëzit, jo vetëm me Dëshmitarët e tjerë, miqtë, fqinjët ose kushërinjtë. Duke qenë të papërsosur, jo gjithmonë ia dalin mbanë 100 për qind. Por dëshira e zemrës së tyre është që t’u bëjnë të mirën të gjithë njerëzve, jo vetëm duke u dhënë lajmin e mirë të Mbretërisë, por edhe duke u shtrirë dorën për t’i ndihmuar kur është e mundur.—Jakovit 2:14-17.
[Figura në faqen 19]
Havai
[Figura në faqen 19]
Venezuela
[Figura në faqen 19]
Jugosllavia
[Figurat në faqen 20]
Sallat e Mbretërisë, të projektuara në mënyrë praktike, janë vende për të folur rreth Biblës
[Figurat në faqen 21]
Në jetën e tyre familjare, dhe në takimet me njerëzit e tjerë, Dëshmitarët përpiqen, me sinqeritet, të bëjnë ato gjëra që u rekomandojnë të tjerëve