Bëhen nëna tepër shpejt
«I dashuri im ishte shumë simpatik. Kishte para, mund të shkonim ku të donim dhe të bënim qejf. Por kur m’u vonua cikli, e kuptova se diçka nuk shkonte. Po mamasë si t’ia thosha? S’e kuptova si më ndodhi! Isha vetëm 16 vjeçe dhe nuk dija ç’të bëja.»—Nikola.
SOT, Nikolaa i ka kaluar të tridhjetat dhe është një grua e sigurt, plot energji dhe nënë e tre fëmijëve. Më i madhi nga fëmijët është 20 vjeç. Vite më parë ajo ishte një nga ato miliona adoleshente shtatzëna të pamartuara. Ashtu si nënat e tjera adoleshente, ajo u gjend përballë një morie sfidash, vendimesh të vështira dhe përballë një të ardhme të pasigurt.
Nikola nuk flet shpesh për tronditjen, mospranimin e realitetit, frikën, inatin dhe dëshpërimin që karakterizuan vitet e saj të fundit të adoleshencës. Ndërkohë që ajo ndodhej në një gjendje të tillë, bashkëmoshatarët e saj e kishin mendjen te veshjet dhe notat në shkollë. Mirëpo, gjendja e Nikolës nuk ishte e pashpresë. Ajo vinte nga një familje e dashur që ishte përpjekur t’i nguliste parime të larta morale. Ndonëse për ca kohë vendosi të mos u përmbahej këtyre parimeve—gjë që i solli shumë pasoja—më vonë këto parime e çuan drejt një jete të frytshme dhe domethënëse. Motoja e saj në atë kohë ishte: «Shpresa vdes e fundit.»
Mjerisht, jo çdo nënë adoleshente ka një familje që e mbështet apo një pikëpamje kaq optimiste. Shumë prej tyre bien shpejt në një gjendje mjerimi që duket e pashpresë. Disa duhet të përballen me pasojat emocionale të përdhunimit ose të dhunës.
Asnjë nga këto nuk është gjë e mirë për fëmijët e nënave adoleshente. Libri Nënat adoleshente: Ankthi dhe shpresa, (anglisht) thotë se fëmijët e nënave adoleshente «kanë prirjen të lindin nën peshë, të kenë më tepër sëmundje të moshës, të vdesin kur janë të vegjël dhe mund të mos marrin kujdesin e duhur mjekësor. Po ashtu mund të vuajnë më shumë nga uria dhe nga të kequshqyerit; bëhen viktima të dhunës dhe mund të kenë zhvillim më të ngadaltë sesa fëmijët e nënave në një moshë më të madhe». Në të vërtetë vajzat e nënave adoleshente kanë prirjen të bëhen vetë nëna që në adoleshencë, dhe kjo prirje është më e madhe se te vajzat e nënave joadoleshente.
Sa i përhapur është fenomeni i shtatzënisë në adoleshencë? Si mund t’i përballojnë me sukses nënat adoleshente sfidat e rritjes së fëmijëve? A ka ndonjë mënyrë për t’i ndihmuar të rinjtë që në radhë të parë të mos bëhen pre e një vështirësie kaq të madhe? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikujt e mëposhtëm.
[Shënimi]
a Në këtë seri artikujsh disa emra janë ndryshuar.