BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/98 f. 4-7
  • Sida: Si ta luftojmë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Sida: Si ta luftojmë
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mënyra për ta parandaluar
  • Kur të bësh analizat
  • Si mund të ndihmojë informimi?
  • Cilat janë mundësitë e mjekimit?
  • A janë vaksinat përgjigjja?
  • Arritje në luftën kundër SIDA-s
    Zgjohuni!—2004
  • Një kurë për SIDA-n​—Nevojë urgjente!
    Zgjohuni!—2004
  • Nënat me SIDA hasin një dilemë
    Zgjohuni!—2000
  • Sida: Çfarë shprese ka për të ardhmen?
    Zgjohuni!—1998
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 11/98 f. 4-7

Sida: Si ta luftojmë

TANI për tani për SIDA-n nuk ka asnjë kurë dhe shkenca mjekësore duket se ka pak mundësi për të gjetur një të tillë së shpejti. Ndonëse trajtimet e reja e vonojnë përparimin e sëmundjes, është shumë më mirë që në rradhë të parë të shmanget infeksioni. Megjithatë, përpara se të diskutojmë për parandalimin, le të shqyrtojmë se si kalon dhe nuk kalon nga një person në tjetrin virusi i SIDA-s (HIV).

Një person mund të infektohet në katër mënyra kryesore: (1) duke përdorur një gjilpërë ose shiringë të infektuar, (2) përmes marrëdhënieve seksuale (vagjinale, anale dhe orale) me një person të infektuar, (3) me transfuzion gjaku dhe produktet e gjakut, edhe pse ky rrezik është zvogëluar në vendet më të zhvilluara ku tani gjaku ekzaminohet për antitrupe të HIV-t dhe (4) nga nëna e tij ose e saj e infektuar me HIV, e cila mund të infektojë fëmijën e saj si përpara ashtu edhe gjatë lindjes ose ndërsa e ushqen me gji.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, provat shkencore të tanishme thonë se (1) nuk e merr SIDA-n siç merr një grip ose një të ftohur, (2) nuk e merr duke u ulur pranë dikujt që është me SIDA ose duke prekur apo përqafuar një person që është i infektuar, (3) nuk e merr duke ngrënë ushqimin që është prekur, përgatitur apo shërbyer nga një person i infektuar dhe (4) nuk e merr duke përdorur të njëjtat banjo, telefona, veshjet ose duke ngrënë apo pirë me të njëjtat enë. Gjithashtu, CDC-ja thotë se virusi nuk transmetohet nga mushkonjat ose ndonjë insekt tjetër.

Mënyra për ta parandaluar

Virusi i SIDA-s fshihet në gjakun e njerëzve të infektuar. Nëse një person i infektuar bën një injeksion, në gjilpërë ose shiringë mund të ngelet pak gjak bashkë me virusin. Virusi mund të kalojë te një person tjetër nëse ky bën një injeksion me gjilpërën që është infektuar në këtë mënyrë. Kurrë mos ki turp të pyesësh mjekun ose infermieren kur ke dyshim për gjilpërën ose shiringën që do të përdoret. Ti ke të drejtë ta dish; jeta jote është në rrezik.

Virusi i SIDA-s gjendet, gjithashtu, në spermën ose sekrecionet vagjinale të njerëzve të infektuar. Prandaj, në lidhje me parandalimin, CDC-ja rekomandon: «Mbrojtja e vetme e sigurt është të heqësh dorë nga kryerja e marrëdhënieve seksuale. Nëse doni të keni marrëdhënie seksuale, pritni deri sa të keni një marrëdhënie afatgjatë e besnike reciproke, të tillë si martesa me një person të painfektuar.»

Vini re se për të mos u infektuar duhet mbajtur një «marrëdhënie besnike reciproke». Nëse ju jeni besnik, por partneri juaj nuk është, atëherë nuk jeni të mbrojtur. Kjo paraqet shpesh një problem për gratë që jetojnë në shoqëri ku ato sundohen seksualisht dhe ekonomikisht nga burrat. Në disa vende gratë as nuk lejohen të flasin për marrëdhëniet seksuale me burrat, jo më të diskutojnë për praktika mbrojtëse seksuale.

Gjithsesi, jo të gjitha këto gra janë të pafuqishme. Një studim i bërë në një vend të Afrikës Perëndimore tregon se disa gra ekonomikisht të pavarura ishin në gjendje, pa pasoja të dhunshme, t’u refuzonin marrëdhëniet seksuale burrave të tyre të infektuar. Në Nju Xhersi, SHBA, disa gra refuzonin të kryenin marrëdhënie nëse burri nuk donte të përdorte prezervativin. Sigurisht, ndonëse prezervativët prej gome mund të të mbrojnë kundër HIV-it dhe sëmundjeve të tjera të transmetuara seksualisht, ata duhen përdorur në mënyrë korrekte dhe konsekuente.

Kur të bësh analizat

Karen, e përmendur në artikullin e mëparshëm, mund të mos ketë bërë shumë për të mbrojtur veten kundër infeksionit. Burri i saj ishte infektuar disa vjet përpara se të martohej dhe u martuan në kohën kur epidemia e ekzaminimi i HIV-it ishin në fazat e tyre të para. Megjithatë, në disa vende, analizat për HIV-in janë bërë tani një procedurë rutinë. Prandaj, nëse një person ka ndonjë dyshim rreth gjendjes së saj apo të tij në lidhje me HIV-in, është e mençur që të bëjë analizat përpara se të lidhë një marrëdhënie. Karen këshillon: «Zgjidhe shokun e jetës me mençuri. Një zgjedhje e gabuar mund t’ju kushtojë shtrenjtë, edhe vetë jetën tuaj.»

Analizat mund të ndihmojnë për të mbrojtur një bashkëshort të pafajshëm në raste të tradhtisë bashkëshortore. Duke qenë se HIV-i mund të mos shfaqet në një analizë deri mbi gjashtë muaj pas infektimit, mund të jetë e nevojshme të bëhen disa analiza. Nëse marrëdhëniet seksuale rifillojnë përsëri (duke nënkuptuar kështu se bashkëshorti, i cili ka tradhtuar është falur), përdorimi i prezervativit mund të ndihmojë për t’u mbrojtur kundër infeksionit.

Si mund të ndihmojë informimi?

Është për t’u përmendur se megjithëse Bibla është shkruar shumë më përpara shfaqjes së SIDA-s, jetesa sipas parimeve të saj ndihmon për t’u mbrojtur nga sëmundja. Për shembull, Bibla dënon marrëdhëniet seksuale jashtë martesës, kërkon besnikëri brenda martesës dhe thotë se të krishterët duhet të martohen vetëm me ata që në mënyrë të ngjashme zbatojnë parimet biblike. (1. Korintasve 7:39; Hebrenjve 13:4) Ndalon, gjithashtu, të gjitha format e substancave abuzuese dhe marrjen e gjakut, të cilat ndotin trupin.—Veprat 15:20; 2. Korintasve 7:1.

Është e mençur të informohesh në lidhje me rreziqet që mund të përfshihen nga kontakti me personat e infektuar me HIV. Dijenia për SIDA-n i pajis njerëzit për t’u mbrojtur nga ajo.

Lidhja e Veprimit të SIDA-s thotë: «Në shumicën e rasteve SIDA mund të parandalohet. Deri sa të gjendet një kurë, informimi është gjëja më e mirë dhe tani për tani mbrojtësi i vetëm [i bashkësisë] kundër SIDA-s.» (Kursivi është yni.) Prindërit është mirë që të flasin hapur me njëri-tjetrin dhe me fëmijët e tyre rreth SIDA-s.

Cilat janë mundësitë e mjekimit?

Simptomat e sëmundjes zakonisht nuk shfaqen për gjashtë deri dhjetë vjet pasi personi është infektuar me HIV. Gjatë këtyre viteve në trup bëhet një betejë. Viruse individualë shtohen dhe vrasin qelizat e sistemit imunitar. Qelizat e sistemit imunitar i përgjigjen. Përfundimisht, duke qenë se çdo ditë prodhohen miliarda viruse të reja, sistemi imunitar shpartallohet.

Në përpjekje për të ndihmuar sistemin imunitar kanë dalë ilaçe të ndryshme me emra komplekse të identifikuara nga shkronja: AZT, DDI dhe DDC. Megjithëse disa besonin se këto ilaçe premtonin dobi të madhe dhe madje një kurë të mundshme, shpresa të tilla u shkatërruan shpejt. Me kohë, ato jo vetëm që nuk kanë më efekt, por në disa njerëz shkaktojnë edhe efekte anësore: shterim të qelizave të gjakut, çrregullime të mpiksjes së gjakut dhe dëmtime të nervave të duarve dhe këmbëve.

Tani ka dalë një klasë e re ilaçesh: frenuesit e enzimës. Mjekët e japin këtë në kombinime të tre ilaçeve me barna të tjera antivirale. Provat kanë treguar se ndonëse kjo terapi e trefishtë nuk e vret virusin, e ndalon atë ose pothuajse ndalon shumëzimin e tij në trup.

Terapia e trefishtë ka sjellë përmirësim të dukshëm në shëndetin e atyre që janë të sëmurë. Megjithatë, ekspertët besojnë se mjekimi funksionon më mirë kur u jepet herët njerëzve të infektuar me HIV, përpara se simptomat të shfaqen. Kur kjo bëhet, mund të jetë e mundur për ta parandaluar, ndoshta për një kohë të pakufizuar, infeksionin për t’u zhvilluar në SIDA plotësisht të zhvilluar. Duke qenë se ky trajtim është i ri, mbetet për t’u parë se për sa kohë kjo terapi do të ndalë infeksionin.

Terapia e trefishtë është e shtrenjtë. Çmimi mesatar për tre ilaçe antivirale plus analizat laboratorike është 12.000 dollarë amerikanë në vit. Përveç peshës financiare, një pacient me terapi të trefishtë duhet të shkojë shpesh te frigoriferi, ku duhen mbajtur ilaçet. Zakonisht, një person merr disa tableta dy herë në ditë dhe të tjerë edhe tri herë në ditë. Disa duhen marrë kur stomaku është bosh, të tjera kur stomaku është plot. Terapia bëhet shumë më e ndërlikuar kur duhen marrë ilaçe të tjera për të luftuar shumë infeksione të tjera që pacienti me SIDA mund të jetë i prirur të marrë.

Shqetësimi më i madh i mjekëve është se ç’mund të ndodhë nëse një person ndërpret terapinë e trefishtë. Shumëzimi i virusit do të rifillojë pandaluar dhe ato viruse që kanë mbijetuar nga trajtimi mund t’u rezistojnë ilaçeve që një person merrte më parë për t’i luftuar ato. Llojet e HIV-it që i bëjnë rezistencë ilaçeve do të jenë më të vështira për t’u mjekuar. Për më tepër këto superviruse mund të kalojnë te njerëz të tjerë.

A janë vaksinat përgjigjja?

Disa kërkues të SIDA-s besojnë se çelësi për të ndaluar epideminë mbarëbotërore të SIDA-s është një vaksinë e sigurt dhe efektive. Nga viruset e dobëta janë bërë vaksina të suksesshme kundër etheve të verdha, fruthit, shytave dhe rubeolës. Normalisht, kur në trup futet një variant i dobët i virusit, sistemi imunitar jo vetëm që reagon për ta shkatërruar, por ndërton edhe mbrojtës që do të mundin me sukses çdo sulm të virusit real.

Dy eksperimente të bëra së fundi me majmunët tregojnë që problemi me HIV-in është se edhe virusi i dobët mund të bëhet vdekjeprurës. Me fjalë të tjera, në vend se të sigurojë mbrojtjen për të cilën ishte paracaktuar, vaksina mund të shkaktojë vetë sëmundjen.

Kërkimi për një vaksinë ka qenë zhgënjyes dhe dështues. HIV-i ka mbetur i pacenuar nga dhjetra shpikjet eksperimentale që pa dyshim do të kishin vrarë viruset më të dobëta. Për më tepër, HIV-i pëson ndryshime, duke e bërë atë një shenjë të pakapshme. (Aktualisht në botë ekzistojnë të paktën dhjetë familje të HIV-it.) Problemi shtohet duke qenë se virusi sulmon direkt pikërisht qelizat e sistemit imunitar, të cilat një vaksinë duhet t’i mbledhë në mbrojtje.

Një rol të rëndësishëm në kërkimet luan edhe ekonomia. Nisma Ndërkombëtare për Vaksinën e SIDA-s, me bazë në Uashington, pohon se ekziston një «nivel i ulët angazhimi nga industritë private». Kjo i atribuohej faktit se një vaksinë nuk do të sillte përfitime, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre do të shitej në vendet më pak të zhvilluara.

Pavarësisht nga vështirësitë, kërkuesit vazhdojnë të studiojnë për mënyra të tjera, në kërkim të një vaksine të suksesshme. Megjithatë, tani për tani, ka pak mundësi që të prodhohet një vaksinë së shpejti. Kur nga laboratori del një vaksinë premtuese, fillon detyra e lodhshme, e kushtueshme dhe mundësisht e rrezikshme e provimit te njerëzit.

[Kutia në faqen 5]

Kush po infektohet nga HIV-i?

Çdo ditë, në mbarë botën, infektohen rreth 16.000 njerëz. Thuhet se më shumë se 90 përqind jetojnë në vendet në zhvillim. Afërsisht 1 në 10 veta është fëmijë nën 15 vjeç. Pjesa tjetër janë të rritur, prej të cilëve 40 përqind janë gra dhe gjysma janë ndërmjet moshës 15 dhe 24 vjeç.—Organizata Botërore e Shëndetit dhe Programi i Lidhjes së Kombeve të Bashkuara për HIV/SIDA-n.

[Kutia në faqen 7]

Si mund ta dish se kush është i infektuar?

Nuk mund të themi se një person është i infektuar vetëm duke e parë në fytyrë atë. Edhe pse mbartësit pa simptoma të HIV-it mund të duken të shëndetshëm, ata mund ta përcjellin virusin te të tjerët. A mund të besosh vetëm te fjala e personit se ai nuk është i infektuar? Nuk është e thënë. Shumë prej atyre që janë të infektuar me HIV nuk janë të vetëdijshëm që e kanë. Ata që e dinë ndoshta e mbajnë të fshehur ose mund të gënjejnë. Një sondazh në Shtetet e Bashkuara tregoi se 4 nga 10 veta të infektuar me HIV nuk u treguan partnerëve të tyre seksualë për gjendjen e tyre.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Marrëdhënia ndërmjet HIV-it dhe SIDA-s

HIV është «virusi i mungesës së imunitetit njerëzor», virusi që ngadalë shkatërron pjesë të sistemit imunitar sëmundje-luftues të trupit. SIDA është «sindromi i mungesës së fituar të imunitetit». Është faza e fundit, jetëkanosëse e infeksionit të HIV-it. Emri përshkruan se si HIV-i e ka dëmtuar rëndë sistemin imunitar, duke e bërë pacientin pre të infeksioneve që sistemi imunitar ndryshe do t’i luftonte.

[Burimi]

CDC, Atlanta, Ga.

[Figura në faqen 7]

Bërja e analizave për HIV-in, përpara se të mendosh për martesë, është një zgjidhje e mençur

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo