Arti i zbukurimit të bastunëve
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Britani
«HABITEM gjithmonë kur mësoj se ka zona të tëra të ishujve britanikë, ku asnjëri nuk të kupton se çfarë ke ndërmend kur thua se pasioni yt është zbukurimi i bastunëve»,—thotë një mjeshtër i atij arti.
Shumë janë të njohur me bastunin ose me kërrabën e bariut. Arti i zbukurimit të bastunëve i transformon këto mjete të zakonshme në vepra të jashtëzakonshme arti. Për shekuj me radhë, barinjtë dhe fermerët e kanë provuar se ky zanat mahnitës kërkon mjeshtëri të konsiderueshme dhe shumë durim. Por çfarë përfshihet në artin e zbukurimit të bastunëve?
Zgjedhja e drurit
Hapi i parë është zgjedhja e drurit. Mund të përdoret çdo lloj druri që ka përmasat e duhura: kullumbria, molla ose dardha. Dushku i egër zgjidhet shpesh për nyjet e tij të spikatshme e tërheqëse. Por shumë zbukurues të bastunëve preferojnë të përdorin drurin e lajthisë së rëndomtë. Disa herë, nga një pemë del një rremb, i cili formon njëfarë këndi me një degë ose me një rrënjë. Kjo bën të mundur që i gjithë bastuni, doreza dhe trupi, të bëhet nga një pjesë e vetme e pemës.
Kur është koha më e përshtatshme e prerjes së trupit të bastunit? Zakonisht, kur pema është e fjetur dhe nuk i del lëng, megjithëse shumë zbukurues bastunësh pohojnë se periudha më e mirë është sapo e gjen pemën e përshtatshme, para se ta gjejë dikush tjetër! Sidoqoftë, pasi zbukuruesi i bastunëve ka mbetur i kënaqur që ka prerë një copë të përshtatshme materiali, ai duhet të lyejë me dhjamë ose me bojë fundet e copës së prerë, për të parandaluar plasaritjen e copës së drurit. Pastaj druri duhet të staxhionohet, një proces që mund të kërkojë dy ose më shumë vite. Vetëm atëherë zbukuruesi i bastunëve mund të fillojë gdhendjen.
Gdhendja e kokës
Kur bastuni nuk ka një dorezë ose kokë natyrale, zbukuruesi mund ta krijojë vetë dhe këtë e bën duke përdorur një bri lope, deleje ose dhie. Ashtu si trupi i bastunit, briri duhet të staxhionohet, kohë që zakonisht përfshin një vit. Pastaj, duke përdorur një morsetë, zbukuruesi i bastunëve i jep bririt formën që ka projektuar. Për breza me radhë, për ta bërë të përkulshëm bririn barinjtë kanë përdorur zjarrin e kovaçëve, ujin e valuar, prushin e një zjarri me torfë ose edhe nxehjen mbi një llampë me parafinë. Pas këtij procesi briri ishte gati për t’u shndërruar në çfarëdo gjëje që do të prodhonin imagjinata dhe mjeshtëria e bariut. Për shembull, ai mund ta gdhendte dorezën që t’i përngjante një qeni bariu, një zogu, një trofte ngjyrë kafe, kokës së një fazani ose një kafshe të vogël.
Kur gdhend bririn, zbukuruesi i bastunëve përkujdeset me përpikmëri për hollësitë. Nëse, për shembull, ai po modelon një troftë, pendët dhe bishti gdhenden me hekur të nxehtë dhe për të formuar çdo luspë individuale përdoret një mjet shpuese rrethor. Sytë mund të bëhen prej bririt të buallit të zi. Për të ngjyrosur trupin e troftës përdoret boja e shkrimit në vend të bojës së pikturës. Zakonisht nevojitet më shumë se një dorë ngjyrimi dhe aplikimi i bojës së shkrimit në sipërfaqen e lustruar mund të jetë një punë e lodhshme. Dora e fundit i jepet për ta bërë të qëndrueshme ngjyrën dhe për këtë punë bririt i hidhet një shtresë vernik.
Përfundimi i veprës së artit
Briri bashkohet me trupin e bastunit, duke përdorur një bulon çeliku, një gozhdë ose një kunj druri. Pastaj zbukuruesi i bastunëve me mjeshtëri e fërkon me një shparsë çeliku të hollë veprën e tij të artit. Më pas ai lustron dhe vernikon trupin e bastunit. «Për të bërë formën e një trofte, për të bërë pendët, etj. dhe për të bërë luspat në trupin e troftës, për ta ngjyrosur e për ta lustruar në mënyrë aq të mirë sa për të fituar një çmim në një garë, më duhen rreth 100 orë»,—shkruan një zbukurues bastunësh me përvojë.
Pa diskutim, zbukurimi i bastunëve kërkon një punë të imët. Por produkti përfundimtar mund të jetë një vepër e vërtetë arti dhe disa prej tyre kanë hyrë madje nëpër gara. Sidoqoftë, zbukuruesi i bastunëve e konsideron zanatin e tij si përkujtues të një epoke më të qetë, si një ilaç kundër streseve dhe presioneve të jetës moderne.