Shfrytëzimi seksual i fëmijëve: Një problem mbarëbotëror
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË SUEDI
Shoqëria njerëzore po goditet nga një formë tronditëse e abuzimit me fëmijët, e cila ka një sferë veprimi dhe një natyrë që deri vitet e fundit nuk njiheshin gjerësisht. Për të parë se ç’mund të bëhet në lidhje me të, përfaqësues të 130 kombeve u takuan në Stokholm, Suedi, në Kongresin e parë Botëror Kundër Shfrytëzimit Seksual Tregtar të Fëmijëve. Atje ndodhej, gjithashtu, edhe një korrespondent i Zgjohuni!
KUR ishte 14 vjeçe, Magdalena u josh nga puna si «zonjë bujtine» në një birrari në Manila të Filipineve. Në të vërtetë, puna e saj përfshinte çuarjen e klientëve meshkuj në një dhomë të vogël dhe ekspozimin e trupit të saj për shfrytëzim seksual nga ana e tyre, që do të thoshte një mesatare prej 15 burrash brenda një nate dhe e 30 të tillëve të shtunave. Herë pas here, kur thoshte se nuk mund t’ia dilte dot më, pronari e detyronte që të vazhdonte. Shpesh, ajo e përfundonte ditën e punës në katër të mëngjesit, duke e ndierë veten të sfilitur, të dëshpëruar dhe të mjerë.
Saruni ishte një djalë i ri, jetim rrugësh, në Fnom Pen, Kamboxhia. Ai kishte sifilizin dhe njihej si një që kishte ‘shkuar’ me të huajt. Atij i ishte dhënë një vendbanim në një pagodë, ku do të ishte nën ‘kujdesin’ e një ish-murgu. Megjithatë, ky burrë abuzoi seksualisht me djalin dhe e vuri në dispozicion të të huajve për marrëdhënie seksuale. Kur vendbanimi i Sarunit në pagodë u rrënua, ai nisi të jetonte me tezen e tij, por ishte ende i detyruar të punonte rrugëve.
Këta janë vetëm dy shembuj të problemit të tmerrshëm që u trajtua nga fundi i vitit të kaluar, në Kongresin Botëror Kundër Shfrytëzimit Seksual Tregtar të Fëmijëve. Sa e përhapur është kjo praktikë? Në të janë përfshirë me qindra mijëra fëmijë, në të vërtetë, disa thonë me miliona. Një delegate e përmblodhi kështu problemin: «Fëmijët janë blerë e shitur si mallra seksualë dhe ekonomikë. Ata janë trafikuar brenda dhe jashtë kufijve si mallra kontrabandë, janë burgosur në shtëpi publike dhe janë detyruar t’u nënshtrohen një numri të madh shfrytëzuesish seksualë.»
Në fjalën e tij të hapjes së këtij grumbullimi, kryeministri i Suedisë, Goran Person, e cilësoi këtë shfrytëzim si «kategorinë më brutale, më të egër dhe më të neveritshme të krimit». Një përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara tha se ai «është një sulm nga të gjitha krahët mbi fëmijët . . . , ai është krejtësisht i ulët, si dhe dhunimi më i përbuzshëm i imagjinueshëm i të drejtave të njeriut». Ndërsa merrej në shqyrtim sfera e veprimit, natyra, shkaqet dhe pasojat e tij, nga podiumi u dëgjuan shumë shprehje të ngjashme zemërimi, ndaj shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
Një burim tha se «sfera e tij e veprimit i kalon kufijtë kombëtarë dhe se ndikimi i tij kalon nga njëri brez në tjetrin». Një tjetër pohoi: «Mendohet se çdo vit, në tregun ilegal të seksit, prej multimiliarda dollarësh , hyjnë një numër i përllogaritur prej 1 milion fëmijësh.» Me çfarë pasoje? «Ndjenja e fëmijëve për dinjitetin, identitetin dhe respektin për veten është minuar, ndërsa aftësia e tyre për t’u besuar të tjerëve është topitur. Shëndeti i tyre fizik dhe emocional është vënë në rrezik, të drejtat e tyre janë dhunuar dhe e ardhmja e tyre është rrezikuar.»
Disa shkaqe
Cilat janë disa shkaqe të rritjes shpërthyese të këtij problemi? U tha se disa fëmijë i janë «futur prostitucionit për shkak të rrethanave, si një mënyrë për të mbijetuar në jetën e rrugëve, për të ndihmuar në mbështetjen e familjeve të tyre, apo për të paguar veshjen dhe të mirat materiale. Të tjerë janë joshur nga bombardimi i fytyrave të lumtura të konsumatorëve në median reklamuese». Por ka edhe të tjerë që janë rrëmbyer dhe janë detyruar për të kryer prostitucion. Ndër shkaqet, u përmendën edhe gërryerja e shpejtë kudo e vlerave morale, si dhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit pa shpresë.
Shumë vajza dhe djem përfshihen në tregtinë seksuale, për shkak të abuzimit familjar: dhuna dhe incesti në familje i bëjnë ata të dalin rrugëve. Atje, ata ndodhen në rrezikun e abuzimit nga pedofilët dhe nga të tjerët, madje duket se edhe nga disa policë. Një raport në lidhje me këtë problem, i titulluar Fëmijë me qera, flet për gjashtëvjeçaren Katia, në Brazil. Kur ishte kapur nga një polic, ai e kishte detyruar që të kryente akte të turpshme dhe e kishte kërcënuar se, nëse do t’i tregonte kryetarit të tij, do t’i vriste familjen. Ditën tjetër, ai u kthye me pesë burra të tjerë, të cilët dëshironin të gjithë, që ajo t’u kryente të njëjtin shërbim seksual.
Zyra Ankimore e Fëmijëve, një institucion suedez, u tha delegatëve: «Kur janë bërë studime mbi atë që shkakton prostitucionin e fëmijëve, nuk ka pasur asnjë dyshim se njëri prej shkaqeve më të mëdha ishte turizmi [për seks]». Një raport thoshte: «Rritja e pabesueshme e prostitucionit të fëmijëve gjatë dhjetë vjetëve të fundit, është shkaktuar drejtpërdrejt nga tregtia e turizmit. Prostitucioni i fëmijëve është tërheqja turistike më e re e ofruar nga vendet në zhvillim.» «Udhëtimet për seks» nga Evropa, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe kudo gjetkë, krijojnë një kërkesë të madhe për fëmijë prostitutë në mbarë botën. Për të shitur udhëtimet për seks, një linjë ajrore evropiane përdori një vizatim në karton, të një fëmije në një pozë të qartë seksuale. Agjensitë e udhëtimit organizojnë çdo vit udhëtime seksi për mijëra persona.
Gjithashtu, në listën e gjatë të shkaqeve është edhe nxitja ndërkombëtare e industrisë së seksit me fëmijët, me anë të teknologjisë së re. Interneti, i kombinuar me teknologji të tjera kompjuterike të lidhura me të, raportohet se është burimi i vetëm më i madh i pornografisë. Çmimi i ulët i pajisjes së videos, ka lehtësuar në mënyrë të ngjashme prodhimin e pornografisë së fëmijëve.
Cilët janë ata?
Shumë prej të rriturve që abuzojnë seksualisht me fëmijët, janë pedofilë. Një pedofil ka një tërheqje seksuale të mbrapshtë ndaj fëmijëve. Sipas Zyrës Ankimore të Fëmijëve në Suedi, «ata nuk janë medoemos burra të mëdhenj, të çrregullt, me mushama shiu apo tipa të dhunshëm burrërorë. Një pedofil tipik është një burrë i moshës mesatare, i edukuar, i cili shpesh punon me fëmijët si mësues, doktor, punonjës social ose prift».
Grupi suedez solli shembullin e Rozariës, një vajzë filipinase 12-vjeçare, me të cilën u abuzua seksualisht nga një turist seksi, një doktor nga Australia. Abuzimi i tij solli si pasojë vdekjen e saj.
Karol Belami, drejtore ekzekutive e UNICEF-it (Fondacioni i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara) në Gjenevë, tha në lidhje me vajzën filipinase 12-vjeçare, sa vijon: «Shpesh, janë pikërisht të rriturit, të cilëve u është besuar kujdesi dhe mbrojtja e fëmijëve, që lejojnë dhe përjetojnë këtë praktikë të patolerueshme. Ata janë mësues, profesionistë të shëndetit, nëpunës policie, politikanë dhe anëtarë të klerit, të cilët përdorin prestigjin dhe autoritetin e tyre për të shfrytëzuar seksualisht fëmijët.»
Është e përfshirë feja
Një delegat i Kishës Katolike Romake, në kongresin e Stokholmit deklaroi se shfrytëzimi i fëmijëve është «më mizori prej krimeve» dhe «rezultat i shtrembërimit të thellë dhe i shkatërrimit të vlerave». Por megjithatë, Kisha Katolike ka qenë thellësisht e ndikuar nga praktika të tilla mes vetë klerit të saj.
Në numrin e Newsweek të 16 gushtit 1993, një artikull i titulluar «Priftërinjtë dhe abuzimi» raportonte për «skandalin më të keq klerikal në historinë moderne të Kishës Katolike të SHBA-së». Ai thoshte: «Ndonëse që prej vitit 1982 janë paraqitur deklarata kundër një numri të llogaritur prej 400 priftërinjsh, disa klerikë nxjerrin përfundimin se priftërinjtë që kanë ngacmuar fëmijët apo adoleshentët, kanë qenë 2.500. . . . Më shumë se para, skandali i ka kushtuar kishës një turp të madh dhe një pjesë autoriteti moral.» Fe të tjera në mbarë botën ndodhen në të njëjtën situatë.
Rei Uer nga Anglia, një konsulent për krimet seksuale, në kongresin e Stokholmit foli për dy djem, me të cilët ishte abuzuar në mënyrë sadiste nga një prift. Njëri prej djemve drejton tani një agjensi për viktimat e abuzimit me fëmijët nga priftërinjtë, ndërsa tjetri është vetë një abuzues.
Metanando Biku, një studiues budist nga Tailanda, raportoi se «disa lloje të praktikës budiste kanë përgjegjësi në nivele të ndryshme, për shfrytëzimin seksual tregtar të fëmijëve në Tailandë. Në fshatrat lokalë në Tailandë, murgjit kanë përfituar disa herë nga paratë që ka marrë bashkësia, me anë të fëmijëve, të cilët janë detyruar të merren me prostitucion».
Çfarë mund të bëhet?
Dr. Xhulia O’Konel Davidson e Universitetit të Leicesterit në Angli, i bëri thirrje kongresit që ta luftonte justifikimin nga ana e shfrytëzuesve të sjelljes së tyre. Shpesh abuzuesit përqendrohen në shthurjen dhe në imoralitetin e supozuar seksual të fëmijës, duke argumentuar se fëmija është tashmë i ndyrë dhe i dëmtuar. Shfrytëzues të tjerë përdorin pretendimin e mbrapshtë dhe të rremë se nga aktet e tyre nuk do të rrjedhë asnjë dëm dhe se fëmija do të nxjerrë dobi.
Një grup që merret me turizmin për seks, rekomandoi që ai të luftohej nëpërmjet arsimimit në programin e shkollës. Përveç kësaj, informacioni kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve, duhet të arrijë tek udhëtarët përgjatë gjithë udhëtimit: përpara nisjes, gjatë udhëtimit dhe në vendmbërritje.
Në lidhje me teknologjitë e reja të komunikimit, një grup sugjeroi se kombet duhet të sigurojnë udhëzime për eliminimin e materialit që shfrytëzon fëmijët. U shqyrtua ngritja e një agjensie të vetme ndërkombëtare për bashkërendimin e aktivitetit në këtë fushë. Një grup tjetër rekomandoi që pornografia për fëmijë, e cila e ka zanafillën tek kompjuterat dhe në përgjithësi zotërimi i pornografisë së fëmijëve, duhet të përbëjë në të gjitha vendet fyerje kriminale, me dënim të parashikuar nga ligji.
Çfarë mund të bëjnë prindërit? Një grup që merret me rolin e medias, sugjeroi që prindërit të merrnin përgjegjësinë për mbrojtjen e fëmijëve të tyre. Ai tha: «Prindërit munden që jo vetëm t’i udhëheqin fëmijët ndërsa ata zhvillohen si konsumatorë të medias, por t’u sigurojnë edhe informacion shtesë, shpjegime dhe shumëllojshmëri të burimeve të informacionit, për të drejtpeshuar forcën ndikuese të medias, si dhe t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që të rriten në kuptueshmëri.»
Një program televiziv suedez, duke raportuar për kongresin, theksoi nevojën që prindërit të jenë më syhapur ndaj fëmijëve të tyre dhe t’i bëjnë ata më vigjilentë ndaj rreziqeve. Megjithatë, ai këshilloi: «Mos i paralajmëroni fëmijët thjesht kundër ‘burrave të moshuar të ndyrë’, sepse fëmijët . . . në këtë mënyrë mendojnë se duhet të ruhen vetëm nga burrat e moshuar, të çrregullt, ndërkohë që personi, i cili kryen krime të tilla, mund të jetë fare mirë i veshur me një uniformë apo me një kostum të paqmë. Prandaj, paralajmërojini kundër të huajve që kanë një interes të pazakontë për ta.» Sigurisht, fëmijët duhet, gjithashtu, të paralajmërohen dhe të nxiten për ta denoncuar tek autoritetet, çdo person që bën oferta të papërshtatshme ndaj tyre, duke përfshirë edhe njerëz që ata i njohin.
Zgjidhja e vetme
Ajo që kongresi i Stokholmit nuk mundi ta sugjerojë, ishte se si të kapërcehen shkaqet e shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Këto përfshijnë gërryerjen e shpejtë dhe kudo të vlerave morale; egoizmin dhe lakminë në rritje për gjërat materiale; mosrespektimin në rritje të ligjeve të vendosura për mbrojtjen e njerëzve nga padrejtësitë; shpërfilljen në rritje për mirëqenien, dinjitetin dhe jetën e të tjerëve; shkatërrimin e shpejtë të rregullit të familjes; varfërinë e përhapur për shkak të mbipopullimit, papunësisë, urbanizimit dhe migrimit; racizmin në rritje kundër të huajve dhe refugjatëve; prodhimin dhe trafikimin gjithnjë në rritje të drogave; si dhe pikëpamjet, praktikat dhe traditat e korruptuara fetare.
Megjithëse shfrytëzimi seksual i fëmijëve është tronditës, një ligësi e tillë nuk është e çuditshme për lexuesit e vëmendshëm të Biblës. Përse kështu? Sepse ne po jetojmë tani në atë që Bibla e quan «ditët e fundit» dhe, sipas Fjalës së Perëndisë, «kohë kritike të vështira për t’u trajtuar» përfshihen në to. (2. Timoteut 3:1-5, 13, BR) Kështu që, a ka ndonjë gjë për t’u çuditur që normat morale kanë shkuar nga keq në më keq akoma?
Gjithsesi, Bibla tregon përpara, drejt zgjidhjes së vetme për problemet e mëdha botërore: një spastrim total nga Perëndia i Plotfuqishëm. Së shpejti, ai do të shfaqë fuqinë e tij dhe do t’i heqë të gjithë ata që ndodhen mbi tokë e që nuk u përmbahen parimeve dhe ligjeve të tij të drejta: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm [të paqortueshëm, BR] do të qëndrojnë aty, por të pabesët do të shfarosen nga toka.»—Fjalët e urta 2:21, 22; 2. Selanikasve 1:6-9.
Tek «të shfarosurit» do të përfshihen të gjithë ata që i bëjnë fëmijët prostitutë, si dhe njerëzit e korruptuar që i keqpërdorin ata. Fjala e Perëndisë thotë: «As kurvarët . . . as kurorëshkelësit . . . as burrat që shtrihen me burrat [ose djemtë] . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1. Korintasve 6:9, 10, BR) Ajo shton se «ata që janë të neveritshëm në ndyrësinë e tyre . . . dhe kurvëruesit» do t’i dorëzohen «vdekjes së dytë»: shkatërrimit të përjetshëm.—Zbulesa 21:8, BR.
Perëndia do ta pastrojë tokën dhe do të vendosë një sistem gjërash krejtësisht të ri dhe të drejtë, «qiej të rinj dhe tokë të re». (2. Pjetrit 3:13) Atëherë, në atë botë të re të bërë prej tij, njerëzit e korruptuar e të mbrapshtë nuk do të përfitojnë kurrë më nga të pafajshmit. Dhe të pafajshëmve nuk do t’u duhet kurrë më që të kenë frikë se mos bien viktima, sepse «askush nuk do t’i trembë më».—Mikea 4:4.
[Diçitura në faqen 12]
«Kategoria më e egër dhe më e neveritshme e krimit.»—Kryeministri i Suedisë
[Diçitura në faqen 13]
«Çdo javë, 10 deri 12 milionë burra vizitojnë prostitutat në moshë të re.»—Ekonomisti, Londër
[Diçitura në faqen 14]
Turizmi për seks është një shkak i madh i shfrytëzimit të fëmijëve në vendet në zhvillim
[Kutia në faqen 13]
Turizëm seksi: Pse?
(Disa arsye se përse turistët përfshihen në seksin me fëmijët)
(1) Anonimiteti që gëzon turisti, e çliron atë nga detyrimet sociale të vendit
(2) Për shkak të kuptueshmërisë së kufizuar, apo se nuk e kuptojnë aspak gjuhën lokale, turistët mund të mashtrohen lehtë për të besuar se pagimi për të bërë seks me një fëmijë, është një gjë e pranueshme apo se është një mënyrë për t’i ndihmuar fëmijët që të dalin nga varfëria
(3) Qëndrimet raciste i bëjnë vizitorët që t’i shfrytëzojnë të tjerët, të cilët ata i konsiderojnë inferiorë
(4) Turistët ndihen të pasur kur kuptojnë se në vendet në zhvillim, shërbimet seksuale përballohen lehtësisht nga ana financiare
[Kutia në faqen 15]
Sfera mbarëbotërore e veprimit të problemit
(Shifrat vijuese janë përllogaritur nga autoritete të ndryshme qeveritare dhe nga organizata të tjera)
Brazil: Së paku 250.000 fëmijë prostitutë
Kanada: Me mijëra vajza adoleshente po përdoren si prostituta nga banda të organizuara ndërmjetësish
Kinë: Nga 200.000 deri në 500.000 fëmijë të bërë prostitutë. Në vitet e fundit, pothuasje 5.000 vajza kineze janë tërhequr përtej kufirit dhe janë shitur si prostituta në Mianmar
Kolumbi: Brenda shtatë vjetëve të fundit, numri i fëmijëve të shfrytëzuar seksualisht në rrugët e Bogotës është pesëfishuar.
Evropa Lindore: 100.000 fëmijë rrugësh. Shumë u janë shitur shtëpive publike në Evropën Perëndimore
Indi: 400.000 fëmijë të përfshirë në industrinë e seksit
Mozambik: Agjensitë e ndihmës kanë akuzuar trupat paqeruajtëse të OKB-së për shfrytëzim seksual të fëmijëve
Mianmar: Çdo vit, në shtëpitë publike të Tailandës janë transportuar 10.000 vajza dhe gra
Filipine: Janë përfshirë 40.000 fëmijë
Sri Lanka: 10.000 fëmijë të moshës nga 6 deri 14 vjeç janë skllavëruar në shtëpi publike, ndërsa 5.000 të moshës 10 deri 18 vjeç punojnë në mënyrë të pavarur në vendet e pushimit të turistëve
Taivan: Janë përfshirë 30.000 fëmijë
Tailandë: Janë përfshirë 300.000 fëmijë
Shtetet e Bashkuara: Burimet zyrtare flasin për më shumë se 100.000 fëmijë të përfshirë