Të drejtuar nga besimi te Perëndia në një vend komunist
TREGUAR NGA ONDREJ KADLEC
GJATË verës së vitit 1966, po udhëhiqja një grup turistësh gjatë një vizite në qytetin tim të lindjes, Pragë, Çekosllovaki. Duke qenë i zellshëm për besimin tim të sapogjetur, flisja për Perëndinë ndërsa i tregoja grupit kishat dhe tempujt e mahnitshëm të qytetit.
Një profesor amerikan për ekonominë më pyeti: «Mos je gjë Dëshmitar i Jehovait?»
«Jo,—iu përgjigja.—As që kam dëgjuar ndonjëherë për Dëshmitarët e Jehovait. Unë jam pjesëtar i Kishës Katolike të Romës.»
Filloj të besoj në Perëndinë
U rrita nga prindër që ishin të shquar në fushën e arsimit, të politikës dhe të mjekësisë. Pak kohë pasi linda, në 1944-n dhe pas përfundimit të Luftës II Botërore, një vit më pas, babai u bë komunist. Në fakt, ai ishte bashkëthemelues i lëvizjes reformiste komuniste dhe në 1966-n u bë kancelar i Universitetit të Ekonomisë në Pragë. Disa vite më pas, u caktua ministër i arsimit për Çekosllovakinë, e cila që nga ajo kohë ishte një vend komunist dhe ateist.
Nëna ishte një grua jashtëzakonisht e ndershme dhe e talentuar. Ajo ishte kirurge okuliste, e njohur si më e mira në vend. Megjithatë, u jepte kura mjekësore pa pagesë nevojtarëve. Gjithmonë thoshte: «Çfarëdolloj dhurate që të jepet, duhet vënë në punë për dobi të bashkësisë dhe të kombit.» Ajo nuk mori as lejen e lindjes, kur linda unë, vetëm që të ishte në dispozicion në klinikë.
Nga unë pritej që të shkëlqeja në shkollë. Babai më pyeste: «A ta kalon ndonjë në shkollë?» Filloi të më pëlqente konkurrenca, pasi shpesh fitova çmime si nxënës i shkëlqyer. Mësova rusishten, anglishten e gjermanishten dhe udhëtova shumë nëpër vendet komuniste e përtej. Më pëlqente t’i hidhja poshtë konceptet fetare si bestytni absurde. Megjithëse e përqafova plotësisht ateizmin, fillova t’i urrej shprehjet e tij në politikë.
Udhëtimi që bëra në 1965-n në Angli, kur kisha mbushur 21 vjeç, pati një ndikim të thellë tek unë. Njoha njerëz, të cilët e mbronin me bindje dhe me logjikë besimin e tyre në një Qenie Supreme. Pasi u ktheva në Pragë, një i njohuri im katolik, më sugjeroi: «Mos lexo për krishterimin! Lexo Biblën!» Këtë bëra edhe unë. M’u deshën tre muaj për ta mbaruar nga fillimi deri në fund.
Ajo që më la më shumë përshtypje ishte mënyra në të cilën shkrimtarët e Biblës e paraqisnin mesazhin e tyre. Ata ishin të sinqertë dhe autokritikë. Fillova të besoj se e ardhmja e mrekullueshme për të cilën ata flisnin, ishte diçka që vetëm një Perëndi i qenësishëm mund ta përfytyrojë dhe ta sigurojë.
Pas muajsh të tërë leximi dhe meditimi personal mbi Biblën, ndihesha i gatshëm për të përballuar babanë dhe shokët. E dija se ata do ta sfidonin fenë time të sapogjetur. Pas kësaj, u bëra një prozelit i zjarrtë. Kushdo që ishte afër meje, si ai profesori amerikan i përmendur në fillim, duhej të përballonte prozelitizmin tim. Vara edhe një kryq mbi mur sipër krevatit, në mënyrë që kushdo të ishte i vetëdijshëm për besimin tim.
Megjithatë, nëna kundërshtonte, duke thënë se zor se mund të bëhesha i krishterë, pasi ia kisha këputur kokën tim eti, një komunist i flaktë. Megjithatë, këmbëngula. E lexova Biblën për herë të dytë e për herë të tretë. Atëherë e kuptova se për të bërë përparim të mëtejshëm, më nevojitej drejtim.
Kërkimi im u shpërblye
U lidha me Kishën Katolike të Romës. Meraku kryesor i një prifti të ri, ishte të më mësonte doktrinat e kishës, të cilat i pranova plotësisht. Kështu, në 1966-n, për turp të tim eti, u pagëzova. Pasi më spërkati me ujë, prifti më sugjeroi që të lexoja Biblën e më pas shtoi: «Papa e ka pranuar tashmë teorinë e evolucionit, prandaj, mos u bëj merak; ne do ta ndajmë grurin nga egjra.» Shtanga në vend për faktin se libri që më kishte dhënë besim, duhej vënë në dyshim.
Ndërkohë, në verën e 1966-s, fola me një shok nga një familje katolike dhe ndava bindjet e mia me të. Edhe ai e njihte Biblën dhe më foli për Harmagedonin. (Zbulesa 16:16) Ai tha se ishte lidhur me Dëshmitarët e Jehovait, për të cilët kisha dëgjuar disa muaj më parë, kur po drejtoja grupin e turistëve të përmendur më lart. Megjithatë, grupin e tij e konsideroja të papërfillshëm në krahasim me Kishën Katolike të Romës, që ishte e fuqishme e pasur dhe me popullsi të dendur.
Gjatë bisedave të tjera, shqyrtuam tri çështje të rëndësishme. Së pari, a është Kisha Katolike e Romës trashëgimtarja e krishterimit të shekullit të parë? Së dyti, cila duhej konsideruar si autoritet përfundimtar: kisha ime apo Bibla? Dhe së treti, cili është i drejtë: tregimi biblik mbi krijimin apo teoria e evolucionit?
Duke qenë se ishte Bibla burim besimi për të dy, shoku im s’e pati problem të më bindte se mësimet e Kishës Katolike ndryshojnë shumë nga ato të krishterimit të hershëm. Për shembull, mësova se edhe burimet e kishës e pranonin se doktrina e njohur kishtare e trinitetit, nuk bazohet në mësimet e Jezu Krishtit dhe të apostujve të tij.
Kjo gjë na çoi tek pyetja që lidhej me atë se cili duhej të ishte autoriteti përfundimtar: kisha apo Bibla? Unë iu referova citatit të Shën Agustinit, «Roma locuta est; causa finita est», që do të thotë: «E tha Roma, mori fund.» Por shoku ishte i vendosur se Fjala e Perëndisë, Bibla, duhej të ishte autoriteti ynë suprem. Më duhej të pajtohesha me fjalët e apostullit Pavël: «Qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar.»—Romakëve 3:4.
Përfundimisht, më dha një dorëshkrim të shtypur e të bërë copë me titull Evolucioni kundër botës së re. Duke qenë se Dëshmitarët e Jehovait ishin ndaluar në Çekosllovaki nga fundi i viteve ’40, ata bënin kopje të botimeve të tyre dhe kishin shumë kujdes se kujt ia jepnin. Para se ta lexoja broshurën, e dija se ajo përmbante të vërtetën. Shoku im filloi një studim biblik me mua. Ai më linte në një kohë disa faqe nga botimi që ndihmon në studimin e Biblës «Qoftë Perëndia i vërtetë» dhe i diskutonim këto së bashku.
Pak kohë pasi kishim filluar këto biseda, gjatë periudhës së krishtlindjeve të vitit 1966, në Pragë erdhën për të më takuar disa miq nga Gjermania Perëndimore. Në një nga bisedat tona, ata i shanë të krishterët si luftënxitës hipokritë. «Si ushtarë të vendeve të NATO-s, ne mund të luftonim kundër jush që thoni se jeni të krishterë në një vend komunist të Traktatit të Varshavës»,—thoshin ata. Përfundimi i tyre ishte: «Është më mirë të jesh cinik, sesa hipokrit.» Mendova se ndoshta kishin të drejtë. Prandaj, gjatë studimit tjetër të Biblës, e pyeta shokun se si mendonin dhe vepronin të krishterët e vërtetë, në lidhje me luftën dhe me stërvitjen për luftë.
Vendimet që përballova
Mbeta gojëhapur nga shpjegimet e qarta të shokut. Megjithatë, zbatimi i mësimit biblik ‘për të farkëtuar shpatat duke i kthyer në plugje’, do ta ndryshonte në mënyrë dramatike jetën dhe karrierën time të parashikuar. (Isaia 2:4) Brenda pesë muajve, do të diplomohesha në fakultetin e mjekësisë dhe pas kësaj do të duhej të bëja një periudhë shërbimi ushtarak të detyruar. Ç’do të bëja? U trondita. Prandaj, iu luta Perëndisë.
Pas disa ditësh i zhytur në mendime të thella, nuk gjeta asnjë justifikim përse të mos veproja në përputhje me kërkesën që të krishterët e vërtetë të jenë njerëz të paqes. Pasi u diplomova në universitet, vendosa që derisa të më dënonin si kundërshtar me ndërgjegje të pranoja një vend pune në një spital. Por, më pas, mësova se çfarë thoshte Bibla mbi përmbajtjen nga gjaku. Duke kuptuar se puna mund të më përfshinte në bërjen e transfuzioneve të gjakut, vendosa ta lija punën në spital. (Veprat 15:19, 20, 28, 29) Ky vendim bëri që të vuaja përhapjen e një emri të keq në publik.
Im atë, pasi u sigurua se nuk isha bërë një ngatërrestar i vullnetshëm në përpjekje për të rrënuar karrierën e tij politike, ndërhyri dhe e shtyu shërbimin e detyruar ushtarak për një vit. Ajo verë e 1967-s ishte e vështirë. Mendoni pak në ç’situatë gjendesha: Isha një student i ri i Biblës dhe mësuesi, i vetmi Dëshmitar me të cilin isha lidhur, ishte larguar për verë. Ai më kishte lënë për studim personal vetëm disa kapituj nga libri «Qoftë Perëndia i vërtetë». Ato dhe Bibla ishin burimet e vetme frymore për udhëheqje.
Më vonë, u njoha me Dëshmitarë të tjerë dhe më 8 mars 1968, e simbolizova dedikimin tim ndaj Perëndisë Jehova me pagëzimin në ujë. Vitin tjetër më ofruan një kurs dyvjeçar për studime pasuniversitare në Universitetin e Oksfordit në Angli. Disa më sugjeruan ta pranoja ofertën e të shkoja në Angli, ku do të mund të përparoja frymësisht në një vend ku Dëshmitarët nuk ishin nën ndalim. Në të njëjtën kohë, mund të përgatitesha edhe për një karrierë të shkëlqyer profesionale. Por një plak i krishterë më tha se shërbimi im nevojitej më shumë në Çekosllovaki, sesa në Angli. Kështu, vendosa të mos e pranoja ofertën për arsimim të mëtejshëm në botë dhe qëndrova në Çekosllovaki për të ndihmuar në aktivitetin e fshehtë të predikimit.
Në 1969-n, më ftuan të merrja pjesë në kursin e Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë që skiconte arsimimin e specializuar për mbikëqyrësit e krishterë. Po atë vit, fitova një bursë si farmakologu më i mirë në Çekosllovaki. Si rezultat, mora pjesë në një kongres të Bashkimit Ndërkombëtar të Farmakologjisë në Zvicër.
Një shkencëtar ndryshon pikëpamjet e tij
Gjatë një leksioni, në të cilin mora pjesë në 1970-n, një shkencëtar me emrin Frantishek Veskoshil shpjegoi temën e koklavitur të transmetimit të impulseve nervore. Ai tha se kurdoherë që ndeshet një nevojë në një organizëm, sigurohet një zgjidhje e përkryer. «E magjishmja natyrë di si ta bëjë këtë»,—përfundoi ai.
Pas leksionit i shkova pranë. «A nuk mendoni se nderi për projektin e mrekullueshëm në gjërat e gjalla duhet t’i shkojë Perëndisë?»—e pyeta. Pyetja ime e habiti disi, pasi ai ishte ateist. Përgjigjen e dha me pyetje të një lloji tjetër. Ai pyeti: «Nga erdhi e liga? Kush duhet fajësuar për kaq shumë jetimë mes fëmijëve?»
Pasi i dhashë përgjigje të arsyeshme e të bazuara në Bibël, interesi i tij u ngjall. Ai pyeti përse Bibla nuk jep informacion të saktë shkencor, si përshkrimin e strukturës së qelizës, në mënyrë që njerëzit të mund ta pranojnë me lehtësi se autor i saj është Krijuesi. «Çfarë është më e vështirë,—iu përgjigja,—ta përshkruash apo ta krijosh?» I lashë librin me titull Njeriu erdhi me evolucion apo me krijim?
Pas një leximi të sipërfaqshëm të tij, Frantishek i vuri damkën si i thjeshtë dhe i pasaktë. Ai kritikoi, gjithashtu, atë që thoshte Bibla mbi poligaminë, kurorëthyerjen e Davidit dhe vrasjen e një njeriu të pafajshëm nga ana e tij. (Zanafilla 29:23-29; 2. Samuelit 11:1-25) I hodha poshtë kundërshtimet e tij, duke treguar se Bibla flet me ndershmëri si për të metat e shërbëtorëve të Perëndisë, ashtu edhe për shkeljet e tyre të shpallura.
Përfundimisht, në një nga bisedat tona, i thashë Frantishekut se kur një person nuk ka synime të mira, nëse i mungon dashuria për të vërtetën, asnjë lloj argumenti apo arsyeje nuk do ta bindte atë për ekzistencën e Perëndisë. Isha gati për të dalë, kur ai më ndaloi dhe më kërkoi një studim biblik. Ai tha se do ta lexonte përsëri librin Njeriu erdhi me evolucion apo me krijim? dhe këtë herë me mendje të hapur. Pas kësaj, qëndrimi i tij ndryshoi krejtësisht, siç duket nga citimi vijues që ai përfshiu në njërën nga letrat e tij: «Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.»—Isaia 2:17.
Në verën e vitit 1973, Frantishek dhe gruaja e tij u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait. Tani, ai shërben si plak në një kongregacion në Pragë.
Predikimi gjatë ndalimit
Gjatë ndalimit të veprës, na udhëzuan ta vazhdonim shërbimin në fushë me kujdes të madh. Njëherë, një Dëshmitar i ri më kërkonte vazhdimisht të dilja në predikim me të. Ai dyshonte se ata që marrin drejtimin në organizatën e Dëshmitarëve të Jehovait, vetë nuk shkojnë në shërbim. Patëm shumë biseda të bukura gjatë shërbimit joformal. Por, në fund, takuam një burrë, i cili megjithëse unë nuk e kuptova në fillim, më njohu nga një fotografi në një album të policisë sekrete të shtetit. Megjithëse nuk më arrestuan, që nga ajo kohë e më pas vëzhgohesha nga afër nga zyra e shërbimit sekret, gjë që e pengonte efektshmërinë time në aktivitetin e fshehtë të predikimit.
Gjatë verës së vitit 1983, siç e kisha bërë zakon nga vitet e kaluara, organizova një grup Dëshmitarësh të rinj për të kaluar pak ditë, duke dhënë dëshmi joformale në një pjesë të thellë të vendit. Duke mos ndjekur këshillën e mençur, mora makinën time për më kollaj se transportin publik. Bëmë pak pushim për të blerë disa gjëra në një dyqan dhe e parkova makinën në anën e përparme. Kur po paguaja për gjërat e blera, bëra me gisht nga disa ndihmës të rinj në dyqan dhe i thashë një nëpunëseje të moshuar: «Në të ardhmen, të gjithë mund të jemi të rinj.» Zonja buzëqeshi. «Megjithatë, nuk varet nga mundësitë tona,—vazhdova unë.—Do të duhet ndihmë nga lart.»
Përderisa nuk mora përgjigje tjetër, ika. Nëpunësja duke dyshuar se po përkrahja pikëpamje fetare, po më shikonte nga dritarja pa dijeninë time, ndërsa vija pakot në makinë. Më pas, ajo lajmëroi policinë. Disa orë më vonë, pas dëshmisë joformale në pjesë të tjera të qytetit, shoku dhe unë u kthyem në makinë. Papritur e pakujtuar, dy policë dolën dhe na arrestuan.
Në rajonin e policisë na morën në pyetje për orë të tëra para se të na thoshin të iknim. Mendimi i parë që më erdhi në kokë, ishte çfarë të bëja me adresat e personave të interesuar që kishim marrë atë ditë. Kështu, shkova në banjo për t’i hedhur. Por, para se të arrija, dora e fuqishme e një polici më ndaloi. Ai nxori letrat nga vrima dhe i pastroi. Kjo gjë më shkaktoi më shumë tension, sepse njerëzit që më kishin dhënë adresat, tani ishin në rrezik.
Pas gjithë kësaj, na çuan të tërëve në hotel, ku policia na kishte bastisur dhomën. Edhe kësaj here, nuk kishin gjetur asnjë nga adresat e personave të tjerë të interesuar, megjithëse nuk i kishim fshehur me kujdes. Më vonë, në vendin e punës si neurofarmakolog, më hoqën një vërejtje publike për përzierje në veprimtari ilegale. U ndëshkova rëndë edhe nga mbikëqyrësi i veprës së predikimit në Çekosllovaki, i cili më parë më kishte këshilluar të mos merrja makinën time kur shkonim në shërbim.
Nënshtrim ndaj disiplinës
Në 1976-n, më caktuan të shërbeja në komitetin që mbikëqyrte veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Çekosllovaki. Por, meqenëse jeta ime vëzhgohej nga afër nga policia sekrete, si pasojë e gjykimit jo të shëndoshë në çështje të tilla si ajo e përmendur më lart, m’u hoq privilegji për të shërbyer në komitetin e vendit dhe privilegje të tjera të ndryshme. Një nga këto privilegje, të cilin e çmoja veçanërisht, ishte mësimi në shkollën për mbikëqyrës udhëtues dhe pionierë, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë.
E pranova disiplinën e dhënë, por në këtë periudhë të gjysmës së fundit të viteve ’80 ishte e vështirë që të bëja një vetëshqyrtim. A do të mësoja të punoja në aktivitetin teokratik më me maturi dhe të shmangja pakujdesi të mëtejshme? Psalmi 30 vargu 5, thotë: «Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.» Ai mëngjes për mua erdhi me rënien e regjimit komunist në Çekosllovaki në nëntor të vitit 1989.
Bekime të mrekullueshme
Sa e ndryshme ishte të merrje pjesë në shërbim lirisht dhe të kishe komunikim të hapur me selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork! Pak më pas, më caktuan mbikëqyrës udhëtues dhe e fillova këtë vepër në janar të 1990-s.
Pastaj, në 1991-shin, pata privilegjin të merrja pjesë në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim në Mançester, Angli. Çfarë bekimi ishte të kaloje dy muaj duke gëzuar shoqërinë dhe arsimimin me burra të pjekur të krishterë! Për një periudhë kohe, ne studentët kishim çdo ditë një caktim që na çlodhte nga përgatitja intensive akademike. Unë isha caktuar të pastroja dritaret.
Menjëherë pasi u ktheva nga Anglia, fillova të ndihmoja në organizimin e mbledhjes së rëndësishme të Dëshmitarëve të Jehovait që u mbajt më 9 deri 11 gusht në stadiumin e madh Strahov, në Pragë. Në këtë rast, 74.587 njerëz nga shumë vende, u takuan lirisht për të adhuruar Perëndinë tonë, Jehovain.
Vitin tjetër, lashë punën si neurofarmakolog. Për gati katër vjet, po punoj në zyrën e Pragës, ku përsëri shërbej në komitetin që mbikëqyr veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Republikën Çeke. Kohët e fundit, u ristrukturua dhe u vu në përdorim të zyrës së degës një ndërtesë e re dhjetë katëshe, që iu dhurua Dëshmitarëve të Jehovait. Më 28 maj 1994, ky ambient i shkëlqyer iu dedikua shërbimit të Jehovait.
Ndër bekimet e mia më të mëdha ka qenë privilegji për t’u ndarë të tjerëve të vërtetat biblike, duke përfshirë edhe të afërmit e mi. Megjithëse babai dhe nëna nuk janë Dëshmitarë, ata tani e përkrahin veprimtarinë time. Gjatë pak viteve të kaluara, ata kanë marrë pjesë në disa mbledhje. Shpresa ime e zjarrtë është që ata bashkë me miliona njerëz të tjerë me zemër të sinqertë, t’i nënshtrohen me përulësi sundimit të Mbretërisë së Perëndisë dhe të gëzojnë bekimet e përhershme që Perëndia ruan për ata, të cilët vendosin t’i shërbejnë.
(Botimet e paraqitura në këtë artikull janë botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.)
[Figura në faqen 12]
Kur isha student në universitet
[Figurat në faqen 13]
Babai, i cili u bë ministër i arsimit për Çekosllovakinë dhe nëna, e cila ishte një kirurge okuliste e njohur
[Figura në faqen 15]
Frantishek Veskoshil, një shkencëtar dhe ateist, i cili u bë Dëshmitar
[Figura në faqet 16, 17]
Që nga rënia e komunizmit, Dëshmitarët e Jehovait kanë mbajtur shumë kongrese të mëdha në Evropën Lindore. Mbi 74.000 persona morën pjesë në atë që u mbajt në Pragë, në vitin 1991
[Figura në faqen 18]
Në punën që më ishte caktuar gjatë kryerjes së Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Angli
[Figura në faqen 18]
Ambientet e degës në Pragë, të dedikuara më 28 maj 1994