Të rinjtë pyesin . . .
Ç’duhet të bëj, nëse një shok gjendet në telashe?
Armanda 14-vjeçare thotë: «Shoqja ime më e ngushtë nuk është më e krishterë. Kjo gjë më trishton. Kam bërë ç’është e mundur për ta inkurajuar!»a
MOS ndoshta një njeri i afërt për ty ka hyrë në telashe ose ka filluar të ketë një mënyrë jetese të dyshimtë? «E kisha shumë shok Fredin,—thotë Kliti.—Ishim shokë të ngushtë. Një ditë, ai ia mbathi nga shtëpia. Kjo gjë më tronditi dhe e ndjeva për detyrë të shkoja e ta kërkoja. E kërkova gjithë natën me makinë.»
Bibla paralajmëroi se gjatë ditëve të fundit, do të rëndonte një presion i madh mbi njerëzit: të rinj e të vjetër. (2. Timoteut 3:1-5) Prandaj, nuk duhet të na trondisë fakti, që herë pas here ndonjë i ri i krishterë pengohet. Megjithatë, kur kjo i ndodh një personi për të cilin ke dashuri, mund të të lindin një sërë ndjenjash, duke filluar nga keqardhja dhe dhembshuria e deri tek zemërimi. Dëshira është që ta ndihmosh shokun. Por, si?
«Mund ta shpëtoj»
Bibla thotë: «Ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.» (Jakovit 5:20) Mos vallë kjo do të thotë se kjo gjë është detyra jote? Jo, medoemos. Përgjegjësinë më të madhe për shokun tënd e kanë prindërit e tij.b (Efesianëve 6:4) Bibla thotë më tej në Galatasve 6:1: «Vëllezër, edhe nëse një njeri bën ndonjë hap të gabuar përpara se ta kuptojë, ju që jeni frymësisht të kualifikuar përpiquni ta ndryshoni këtë njeri me një frymë butësie.» (BR) Mbikëqyrësit e kongregacionit janë veçanërisht të kualifikuar në çështje të tilla. Për këtë arsye, ata janë më të aftë se ti për të dhënë ndihmë.
Duhet të pranosh se si i ri që je, përvoja jote në jetë është e kufizuar. (Krahaso Hebrenjve 5:14.) Prandaj, prano me modesti kufizimet e tua në këtë gjë dhe shtriji këmbët sa ke jorganin! (Proverbat 11:2) Le të marrim, për shembull, një vajzë me emrin Tea. Ajo u mundua të ndihmonte shokun, një të afërm, i cili kishte filluar të drogohej. Ajo tregon: «Ajo që më bënte të ndihesha sikur e kisha për detyrë, ishte fakti se ai më hapej mua dhe jo prindërve. Bëra të pamundurën për ta ndihmuar, por gjithçka dështoi. Qe e dobishme për mua që më në fund kuptova se s’mund të bëja asgjë . . . Nuk mund të isha unë shpëtimtarja e tij.» Kështu, Tea e nxiti të kërkonte ndihmën e personave të kualifikuar, më të mëdhenj në moshë.
Në të njëjtën situatë u gjend edhe Ergysi, por ai i pranoi kufizimet e tij që në fillim. Ai thotë kështu për një shok, që ishte i shqetësuar: «Vinte e më hapej për problemet e tij, ndërsa unë i thoja të shkonte tek prindërit. E kisha të qartë se nuk më takonte mua të mbaja problemet e tij.»
Si mund ta ndihmosh?
Kjo nuk do të thotë se s’mund të bësh asgjë për ta ndihmuar. Varet shumë nga rrethanat. Ndoshta shoku dëshiron të të hapet. Natyrisht, do të kishe dëshirë t’i jepje mbështetje dhe ta dëgjoje me vëmendje. (Proverbat 18:24; 21:13) Ndoshta mund të ndodhë që ai ka filluar të ndjekë një mënyrë jetese të dyshimtë. Do të ishte e përshtatshme të merrje iniciativën dhe t’i tregoje se edhe pse e do, nuk mund të miratosh atë që ai po bën.
Një situatë tjetër mund të ketë të bëjë me një shok, i cili pranon se ka bërë një mëkat serioz. Ndoshta ai do të të kërkojë të betohesh se nuk do ta bësh fjalë me askënd. Por Bibla thotë: «Mos u bëj pjesëtar në mëkatet e të tjerëve; ruaje veten të pastër.» (1. Timoteut 5:22) Sikur shoku yt të ishte i sëmurë rëndë dhe të kishte nevojë për ndihmë mjekësore, a nuk do të këmbëngulje për ta çuar tek mjeku? Po kështu, nëse ka kryer një mëkat të rëndë, ai ka nevojë për ndihmë frymore. Po të heshtje, do ta vrisje atë frymësisht dhe pasojat do të binin mbi kongregacionin. Prandaj, e ke për detyrë të veprosh në atë mënyrë që të informohen pleqtë e kongregacionit.—Krahaso Levitikun 5:1.
Alma u tregua e vendosur dhe e guximshme me një shoqe të pabindur, që gënjente prindërit. Ajo thotë: «I lashë dy javë afat që të shkonte tek pleqtë. I thashë se nëse ajo nuk shkonte, do të shkoja unë. Nuk ishte aspak e lehtë për mua.» Kliti i përmendur në fillim, shfaqi të njëjtën forcë karakteri. Kliti kujton për shokun e tij: «U habita kur mësova se ai jetonte me një vajzë. Në shtëpinë e tij ishin edhe djem të tjerë, duke pirë duhan dhe pije alkoolike.» Kliti i kërkoi shokut të dilte pak jashtë dhe e nxiti fort që të kërkonte ndihmën e pleqve të kongregacionit.
Shoku mund t’i çmojë ose jo përpjekjet e tua. Bibla tregon se kur vëllezërit bënin ndonjë gabim, i riu Jozef ‘i tregonte të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre’. Sigurisht që kjo gjë nuk e bëri më të afërt me vëllezërit e tij. Në fakt, ‘ata filluan ta urrenin’.—Zanafilla 37:2-4.
Të sillesh sikur s’ka ndodhur asgjë?
Megjithatë, nëse vazhdon të shoqërohesh me shokun tënd, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, do të dobësoje përpjekjet e tua për ta ndihmuar. Në 1. Korintasve 15:33, apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët që të mos shoqëroheshin me mëkatarët. Shoqëria e ngushtë me individë të tillë, do të të vinte përfund.
Një vajzë me emrin Armela e mësoi këtë duke e pësuar, kur shoqja e saj Najada filloi të shoqërohej fshehurazi me një djalë. Jo vetëm që Najada ishte shumë e re për t’u martuar, por ajo shoqërohej me djem që nuk ishin të krishterë. Armela nuk tregoi kujdes në lidhje me situatën dhe vazhdoi të shoqërohej me shoqen e saj. Me çfarë rezultati? Armela thotë: «Përfundimisht, Najada më rregulloi edhe mua një djalë nga bota dhe të dyja shkonim nëpër takime.» Lumturisht, Armelën e ndihmuan pleqtë e kongregacionit, para se situata të bëhej edhe më serioze.
Po ashtu, edhe Briseida bëri disa kompromise të rrezikshme, për të mos prishur shoqërinë me një vajzë që quhej Lina. «Mendova se mund ta ndihmoja,—kujton Briseida,—por nuk ndodhi ashtu. Shkoja bashkë me të nëpër klube nate. E dija që ishte gabim, por nuk doja që ajo të lëndohej. Problemet e saj filluan të më rëndonin. Nuk bëra zë mbi këtë gjë, duke menduar se problemi do të kalonte, por në të vërtetë u bë më i madh.» Briseida mori një goditje të rëndë, kur ndodhi një tragjedi. Shoqen e saj Linën e vrau djali me të cilin ajo shoqërohej.
T’i bëhesh krah një shoku, mund të duket një gjest fisnik. Po sikur shoku të binte e të mbytej në një vorbull të madhe, a do të hidheshe edhe ti? S’do të fitonit gjë tjetër, veçse do të mbyteshit të dy. Gjëja më e arsyeshme për t’u bërë, do të ishte t’i hidhje një kamerdare. Në të njëjtën mënyrë, ti duhet t’i japësh ndihmë, duke mbajtur distancë.—Juda 22, 23.
Është e domosdoshme të mbash distancë, në qoftë se shoku yt është përjashtuar nga kongregacioni. Urdhri i Biblës është ‘të mos përzihemi në shoqëri’ me të. (1. Korintasve 5:11, BR) Megjithëse akoma e do, mund ta ndihmosh më shumë, duke mos e ndjekur në mëkat, por duke shfaqur besnikëri ndaj Jehovait. (Psalmi 18:25) Qëndrimi yt i pakompromentueshëm mund të jetë gjëja e duhur për ta nxitur të rishqyrtojë veprimet e tij. Gjëja më e rëndësishme është se besnikëria jote do t’i sjellë kënaqësi Jehovait.—Proverbat 27:11.
Mbingarkesë
Megjithatë, shpesh përpjekjet më të mira për ta ndihmuar një person dështojnë. Teas i vjen ndër mend shoqja e saj: «U përpoqa me të gjitha mënyrat për ta ndihmuar. I shkrova edhe një letër, por ajo s’më ktheu kurrë përgjigje.» Alma kuptoi se pas disa muaj përpjekjesh për të ndihmuar një shoqe, që i kërkonte vetë telashet, «filloi të ndiente një stërlodhje».
Është e rëndësishme të pranosh që «secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet». (Romakëve 14:12) Gjithashtu, ndërkohë që është e përshtatshme të ndihmosh të tjerët për të mbajtur përgjegjësitë e tyre ose problemet personale, duke dhënë ndihmë praktike, me pak fjalë nuk mund të mbash «barrën» e të tjerëve, d.m.th., përgjegjësinë e tyre përpara Perëndisë. «Secili do të mbajë barrën e vet»,—thotë Bibla. (Galatasve 6:5) Ti nuk mban përgjegjësi për vendimet që marrin shokët.
Sido që të jetë, është e dhimbshme të shikosh një shok, duke shkatërruar jetën. Një djalë i ri me emrin Ervin, shprehet kështu për humbjen e një shoku: «U hidhërova shumë. Isha lidhur shumë ngushtë me Denisin dhe prindërit e tij. Vuajta pak nga depresioni.»
Është e natyrshme të hidhërohesh për një humbje të tillë. Megjithatë, po t’ia shprehësh ndjenjat dikujt që i beson, mund të ndihmohesh. (Proverbat 12:25) «Me ndihmën e prindërve,—thotë Tea,—e mora veten përsëri.» Gjithashtu, mund t’i zbrazësh ndjenjat e tua tek Perëndia Jehova me anë të lutjes. (Psalmi 62:8) Alma e përmbledh mirë situatën, duke thënë: «Më ka ndihmuar shumë lutja ndaj Jehovait dhe predikimi ndaj të tjerëve. Përveç kësaj, krijova shoqëri të ngushta me të tjerë në kongregacion, veçanërisht me gra më të mëdha në moshë. Kuptova më në fund, se gjithsecili jep llogari për veprimet e veta dhe se unë duhej të vazhdoja jetën time.» Me siguri që do ta ndihmosh veten, duke vepruar kështu. Për më tepër, mund të ndihmosh edhe shokun tënd të pabindur.
[Shënimet]
a Disa emra janë ndryshuar.
b Për thjeshtësi, do t’i drejtohemi shokut të pabindur në gjininë mashkullore.
[Figura në faqen 27]
Inkurajoje shoqen të kërkojë ndihmë