A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e Kullës së Rojës të këtij viti? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Çfarë na motivon t’i japim lavdi Jehovait?
I japim lavdi Jehovait sepse e respektojmë thellësisht dhe e duam me gjithë shpirt. Gjithashtu dëshirojmë që ta njohin edhe të tjerët.—w25.01, f. 3.
Si mund të falim më bujarisht nëse na lëndon dikush?
Nuk i shpërfillim ndjenjat e lënduara; prapëseprapë, duke lënë pas mërinë dhe inatin, nuk lejojmë të na mbushet zemra me vrer e mllef.—w25.02, f. 15-16.
Pse është një shembull i shkëlqyer Marku për vëllezërit e rinj?
Marku pranoi me gatishmëri një caktim për t’u shërbyer të tjerëve. Edhe pse me shumë gjasa u lëndua dhe u zhgënjye nga situata me Pavlin, ai nuk u dorëzua. Marku lidhi miqësi të forta me Pavlin dhe me vëllezër të tjerë të pjekur.—w25.04, f. 27.
Ku e kishte fjalën Jezui kur u lut «unë ua kam bërë të njohur emrin tënd»? (Gjoni 17:26)
Dishepujt e Jezuit e dinin emrin e Perëndisë. Por, ai u bëri të njohur Personin që mban emrin Jehova, ku përfshihen qëllimet, veprat dhe cilësitë e Perëndisë.—w25.05, f. 20-21.
Çfarë pranojmë kur jemi modestë?
Pranojmë se ka gjëra që nuk i dimë. Për shembull, nuk e dimë se kur do të vijë fundi apo si mund të veprojë Jehovai në atë kohë. Gjithashtu nuk dimë çfarë do të sjellë e nesërmja dhe as sa mirë na njeh Jehovai.—w25.06, f. 15-18.
Si mund të nxjerrim dobi nga një artikull ose nga një fjalim për publikun?
Mund të pyesim veten: «Çfarë dëshmish janë përdorur për të bindur auditorin? A ka ndonjë ilustrim të efektshëm që mund ta përdor në mësimdhënien time? Kujt mund t’i interesojë kjo temë?»—w25.07, f. 19.
Çfarë mësojmë për faljen e Perëndisë nga mënyra si veproi me Davidin?
Davidi bëri gabime të rënda, por kur u pendua me gjithë zemër, Jehovai e fali. (1 Mbret. 9:4, 5) Kur na fal, Perëndia e bën këtë plotësisht dhe nuk na i kujton më kurrë mëkatet.—w25.08, f. 17.
Nëse një student i Biblës e ka të vështirë ta kuptojë një pikë, çfarë mund të bësh?
Nëse studenti e ka të vështirë ta kuptojë një pikë të caktuar edhe pasi je përpjekur t’ia shpjegosh mirë nga Bibla, mos ngec aty, por shqyrtoje përsëri më vonë.—w25.09, f. 24.
Bibla thotë se mëkati ka ‘fuqi mashtruese’. (Hebr. 3:13) Në ç’kuptim?
Mëkati jo vetëm na tundon të bëjmë gjëra të gabuara, por edhe mund të na shtyjë të dyshojmë vazhdimisht për dashurinë e Jehovait.—w25.10, f. 16.
Cilat janë tri gjëra që mund të na ndihmojnë të bëjmë lutje më domethënëse?
(1) Të mendojmë thellë për cilësitë e Jehovait. (2) Të mendojmë për sfidat që po hasim dhe t’i përmendim në lutje, për shembull nëse na duhet të falim dikë. (3) Të bëjmë lutje më të gjata. Kur veprojmë kështu, ka më tepër gjasa të shprehim mendimet tona më të thella.—w25.10, f. 19-20.
Si mund t’i ndihmojmë të moshuarit?
Mund t’i vizitojmë ose t’i marrim në telefon. Gjithashtu mund t’i shoqërojmë për të bërë vizita mjekësore. Ose mund të dalim me ta në shërbim, duke provuar forma të ndryshme predikimi.—w25.11, f. 6-7.
Cilat janë disa aspekte kryesore të një dasme që i sjell lavdi Jehovait?
Përmbushni kërkesat ligjore që lidhen me martesën. Bëni çmos që atmosfera në ceremoni dhe në festë të pasqyrojë frytin e frymës së Perëndisë. Vishuni me modesti dhe shmangni çdo zakon që bie ndesh me Shkrimet. Mbani një komunikim të mirë ndërsa planifikoni dasmën.—w25.12, f. 21-24.