Si më sheh Jehovai?
1. Në ç’kuptim është Bibla si një pasqyrë?
1 Sa shpesh shiheni në pasqyrë? Shumë prej nesh shihemi çdo ditë, sepse ajo na ndihmon të dallojmë aspekte të paraqitjes sonë fizike që duhen rregulluar. Bibla është krahasuar me një pasqyrë. Leximi i Fjalës së Perëndisë na ndihmon të shohim personin tonë të brendshëm, atë që sheh Jehovai. (1 Sam. 16:7; Jak. 1:22-24) Fjala e Perëndisë mund «të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës». (Hebr. 4:12) Si mund ta kemi më të lehtë të dallojmë aspektet që duhet t’i forcojmë, për të qenë lajmëtarë më të efektshëm, kur çdo ditë lexojmë Biblën e meditojmë rreth saj?—Psal. 1:1-3.
2. Si mund të na ndihmojë Bibla ta shqyrtojmë veten?
2 Të përdorim Biblën si pasqyrë: Ngjarjet biblike për shërbëtorët besnikë të Jehovait na mësojnë cilat cilësi janë të vyera për Të. Për shembull, Davidi shfaqi zell për emrin e Perëndisë. (1 Sam. 17:45, 46) Isaia me guxim doli vullnetar për të predikuar në territor të vështirë. (Isa. 6:8, 9) Dashuria e thellë e Jezuit për Atin e tij qiellor e nxiti ta konsideronte shërbimin si burim freskimi dhe kënaqësie, jo si një barrë të bezdisshme. (Gjoni 4:34) Të krishterët e shekullit të parë predikuan me zell, u mbështetën te Jehovai dhe ishin të vendosur të mos dorëzoheshin. (Vep. 5:41, 42; 2 Kor. 4:1; 2 Tim. 4:17) Meditimi rreth këtyre shembujve na ndihmon ta shqyrtojmë veten me synimin për të përmirësuar cilësinë e shërbimit tonë të shenjtë.
3. Pse duhet të veprojmë shpejt për të ndrequr aspektet e nevojshme?
3 Të veprojmë për të ndrequr të metat: Sigurisht, nuk ka dobi të shihemi në pasqyrë e pastaj të shpërfillim një gjë që s’shkon. Mund t’i kërkojmë Jehovait të na ndihmojë që ta shohim veten me sy realist e pastaj që të bëjmë ndryshimet e nevojshme. (Psal. 139:23, 24; Luka 11:13) Meqë koha e mbetur është shkurtuar dhe janë në lojë jetë njerëzish, duhet të veprojmë shpejt për të ndrequr aspektet e nevojshme.—1 Kor. 7:29; 1 Tim. 4:16.
4. Çfarë ndodh me atë person që ndalet e shikon në Fjalën e Perëndisë e pastaj vepron në bazë të asaj që zbulon?
4 Personi i brendshëm—çka vëren Jehovai—është shumë më i rëndësishëm se paraqitja e jashtme. (1 Pjet. 3:3, 4) Çfarë ndodh me atë person që ndalet e shikon në Fjalën e Perëndisë e pastaj vepron në bazë të asaj që zbulon? Ai «është i lumtur ngaqë bëhet zbatues i fjalës dhe jo dëgjues harraq». (Jak. 1:25) Po, do të jemi të lumtur dhe lajmëtarë të efektshëm ngaqë «pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait».—2 Kor. 3:18.