Të ndihmojmë ata me vështirësi në lexim
1. Pse është sfidë t’u mësosh Biblën atyre me vështirësi në lexim?
1 Të zotët e shtëpive të cilët kanë vështirësi në lexim mund të jenë të interesuar për gjërat frymore, por ndoshta tremben nga Bibla dhe nga libra të tjerë. Mbase kemi pak rezultat kur u ofrojmë librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, të paktën në fillim. Si t’i ndihmojmë frymësisht? Për këtë pyetëm lajmëtarë me përvojë nga më se 20 vende. Më poshtë tregohen sugjerimet e tyre.
2. Cilat botime kanë rezultat kur ndihmojmë dikë që e ka të vështirë të lexojë?
2 Nëse studenti ka aftësi të kufizuara në lexim ose nuk lexon fare, mund të fillohet me broshurën Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë. Zyra e degës në Kenia raporton se ky mjet ka qenë shumë i efektshëm atje, sepse në shoqërinë afrikane njerëzit zakonisht mësojnë me anë të tregimit të historive dhe jo me diskutime që kanë pyetje-përgjigje. Një i arsimuar ndoshta e pranon kollaj metodën me pyetje-përgjigje, por ata me fare pak arsim kjo mënyrë mund t’i vërë në siklet. Nëse studenti lexon sadopak, mjaft lajmëtarëve u pëlqen të nisin me broshurat Një lajm i mirë nga Perëndia, Ti mund të jesh miku i Perëndisë!, ose ndoshta me botimin Libri im i tregimeve biblike.
3. Çfarë duhet të kemi parasysh për ata të cilët nuk lexojnë, që të kemi rezultat kur i mësojmë?
3 Lavdëroji: Ata që nuk dinë të lexojnë mund të ndihen në siklet dhe shumë kanë vlerësim të ulët për veten. Prandaj, shpesh hapi i parë për t’u mësuar të vërtetën është t’i bëjmë të ndihen rehat. Mjaft veta nga ata që nuk lexojnë janë të zgjuar dhe mund të mësojnë. Respektoji siç duhet dhe trajtoji me dinjitet. (1 Pjet. 3:15) Ata do të nxiten ta vazhdojnë studimin nëse e shohin që përpjekjet e tyre ia vlejnë dhe po përparojnë frymësisht. Kështu që mos i kurse lavdërimet.
Ata që nuk dinë të lexojnë mund të ndihen në siklet dhe shumë kanë vlerësim të ulët për veten. Prandaj, shpesh hapi i parë për t’u mësuar të vërtetën është t’i bëjmë të ndihen rehat
4. Si t’i inkurajojmë ata me aftësi të kufizuara në lexim që të përgatiten për studimin?
4 Inkurajoje studentin që të përgatitet për studimin, edhe nëse lexon me vështirësi. Disa lajmëtarë në Afrikën e Jugut i nxitin studentët që t’u kërkojnë ndihmë familjarëve a ndonjë miku që lexon mirë. Një lajmëtar në Britani u jep zemër studentëve që të përgatiten duke i lënë të përdorin disa paragrafë nga libri i tij gjatë studimit, që kështu të shohin sa e lehtë është t’i gjesh përgjigjet kur janë të nënvizuara. Një vëlla në Indi i inkurajon studentët që të shohin figurat në mësimin e javës pasuese dhe të meditojnë për to që më përpara.
5. Si të tregojmë durim kur drejtojmë studimin?
5 Trego durim: Pavarësisht nga botimi që përdor, përqendrohu te pikat kryesore dhe ndihmoje studentin t’i kuptojë mirë ato. Si fillim mbase është mirë të mos e zgjatim bisedën më tepër se 10 deri 15 minuta. Mos u përpiq të trajtosh shumë material; ndoshta vetëm disa paragrafë çdo herë. Ki durim nëse studenti lexon ngadalë. Ka të ngjarë që, teksa i rritet çmueshmëria për Jehovain, të nxitet për të përmirësuar aftësitë në lexim. Që ta ndihmosh studentin për këtë, është mirë ta ftosh në mbledhje që në fillim.
6. Si t’i mësojmë ata me vështirësi në lexim?
6 Nëse studentët e Biblës mësojnë të lexojnë, do të përparojnë më shpejt frymësisht. (Psal. 1:1-3) Shumë lajmëtarë i kanë ndihmuar studentët me anë të botimit Të mësojmë lexim dhe shkrim, duke e trajtuar pak minuta në fund të çdo studimi. Nëse studenti shkurajohet, ndoshta mund t’ia rritësh sigurinë te vetja duke i kujtuar disa gjëra që arriti t’i mësonte. Siguroje se Jehovai do t’ia bekojë përpjekjet dhe nxite që t’i lutet për ndihmë. (Prov. 16:3; 1 Gjon. 5:14, 15) Disa lajmëtarë në Britani i nxitin studentët të vënë synime të arsyeshme por progresive, ndoshta në fillim të mësojnë alfabetin, pastaj të gjejnë e të lexojnë shkrime të zgjedhura dhe në fund të lexojnë botime biblike të thjeshtuara. Që t’i ndihmojmë njerëzit të mësojnë të lexojnë, shpesh përfshin t’i nxitim dëshirën për këtë e jo vetëm t’i mësojmë leximin.
7. Pse nuk duhet të ngurrojmë që t’u flasim për të vërtetën atyre me vështirësi në lexim?
7 Jehovai nuk i përbuz ata me arsim të kufizuar. (Jobi 34:19) Ai heton zemrën e njeriut. (1 Kron. 28:9) Ndaj, mos ngurro t’u flasësh për të vërtetën atyre me vështirësi në lexim. Ke shumë mjete të shkëlqyera për t’i ndihmuar në fillim. Me kalimin e kohës mund ta vazhdosh studimin me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe t’i japësh një kuptueshmëri më të plotë për Shkrimet.