Po ti, a do të shërbesh si pionier ndihmës?
1. Pse periudha e Përkujtimit është rast i mirë për të zgjeruar shërbimin?
1 Periudha e Përkujtimit është rast i mirë për të zgjeruar shërbimin. Gjatë kësaj kohe mendojmë për dashurinë e madhe që tregoi Jehovai duke dhënë Birin si shpërblesë. (Gjoni 3:16) Kjo na mbush zemrën me vlerësim dhe na shton dëshirën t’u flasim njerëzve për Jehovain dhe për atë që po bën për njerëzimin. (Isa. 12:4, 5; Luka 6:45) Gjithashtu, në këtë periudhë zhvillohet një fushatë speciale për të ftuar të njohurit dhe njerëzit në territor që të vijnë në Përkujtim. Më pas përpiqemi të kultivojmë interesin e atyre që erdhën në Përkujtim. Po ti, a do ta zgjerosh shërbimin duke shërbyer si pionier ndihmës gjatë marsit, prillit ose majit?
2. Pse marsi është muaj i mirë për të shërbyer si pionier ndihmës?
2 Bëje marsin muaj të veçantë: Në krahasim me muajt e tjerë, marsi do të jetë muaj i mirë për të shërbyer si pionier ndihmës. Ata që plotësojnë kërkesën, mund të zgjedhin kuotën prej 30 ose 50 orësh. Nëse vizita e mbikëqyrësit qëllon gjatë marsit, pionierët ndihmës mund të ndjekin të gjithë mbledhjen që mban mbikëqyrësi me pionierët e rregullt dhe specialë. Përkujtimi do të mbahet të martën më 26 mars 2013. Fushata për të shpërndarë ftesat është zgjatur në krahasim me vitet e kaluara dhe do të fillojë më 1 mars. Për më tepër, marsi ka pesë fundjavë të plota. Prandaj, pse të mos e mendosh mirë nëse mund të kontribuosh edhe ti që marsi të jetë muaji më i veçantë i vitit?
3. Çfarë planesh mund të bëjmë që të zgjerojmë shërbimin?
3 Planifiko që tani: Tani është momenti t’i hedhësh një sy programit tënd dhe të shohësh çfarë rregullimesh mund të bësh që të shërbesh si pionier. Bashkëpunimi i familjes është mjaft i rëndësishëm, prandaj gjatë Adhurimit Familjar diskutoni mirë për synimet e familjes dhe bëni një program. (Prov. 15:22) Por mos u shkurajo nëse nuk je në gjendje të shërbesh si pionier ndihmës. Ditët që del në shërbim mund të programosh të rrish më gjatë ose mund të dalësh një ditë më shumë se zakonisht.
4. Ç’të mira do të sjellë rritja e aktivitetit tonë gjatë marsit, prillit dhe majit?
4 Ndërsa rritim aktivitetin tonë gjatë marsit, prillit dhe majit, do të na shtohet gëzimi e kënaqësia që ndiejmë kur i shërbejmë Jehovait dhe kur nuk kursehemi për të tjerët. (Gjoni 4:34; Vep. 20:35) Ç’është më e rëndësishmja, përpjekjet tona vetëmohuese do t’ia gëzojnë zemrën Jehovait.—Prov. 27:11.