Jini të kujdesshëm në shërbim
1. Pse është e nevojshme të jemi të kujdesshëm në shërbim?
1 «Si dele mes ujqërve», shërbëtorët e Perëndisë po predikojnë «mes një brezi dredharak e të shtrembër». (Mat. 10:16; Filip. 2:15) Lajmet alarmuese për konflikte civile, për turma të dhunshme dhe rrëmbime mizore janë bërë më se të zakonshme. Ato dëshmojnë se njerëzit e ligj po shkojnë «keq e më keq». (2 Tim. 3:13) Cilat parime biblike do të na ndihmojnë ‘të jemi të kujdesshëm’ në shërbim?—Mat. 10:16.
2. Në cilat rrethana është mirë të largoheni nga territori dhe të predikoni në një zonë tjetër?
2 Tregohuni mendjehollë: Te Proverbat 22:3 theksohet se është e mençur ‘të fshihemi’ kur shohim të keqen. Hapni sytë! Gjendja në një lagje që normalisht është e qetë, mund të ndryshojë papritur. Mund të shihni shtimin e pranisë së policisë ose formimin e turmave nëpër rrugë. Ndonjëherë një banor dashamirës mund t’ju paralajmërojë. Në vend që të rrini nga kurioziteti, do të tregoheshit mendjehollë po të largoheshit menjëherë dhe të vazhdonit diku tjetër.—Prov. 17:14; Gjoni 8:59; 1 Sel. 4:11.
3. Si zbatohet parimi i Eklisiastiut 4:9 në shërbim?
3 Mos predikoni vetëm: «Dy janë më mirë se një»,—thotë Eklisiastiu 4:9. Vërtet mund të jeni mësuar të predikoni vetëm pa problem, por a është e sigurt të vazhdoni po njësoj tani? Në disa zona, po. Por në disa të tjera, tani nuk këshillohet që një motër ose një i ri në moshë të predikojnë shtëpi më shtëpi vetëm, sidomos pas perëndimit të diellit. Përvoja ka treguar sa i çmuar është një shok shërbimi i kujdesshëm. (Ekl. 4:10, 12) Tregoni kujdes edhe për pjesëtarët e tjerë të grupit. Bëjeni zakon t’i informoni të tjerët që po largoheni nga territori.
4. Si mund të bëjmë pjesën tonë që të gjithë në kongregacion të jenë të mbrojtur?
4 Pleqtë kanë përgjegjësinë të japin udhëzime praktike në varësi të rrethanave në territorin tuaj, pasi ata «rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj». (Hebr. 13:17) Jehovai na siguron se do të na bekojë nëse shfaqim modesti dhe bashkëpunojmë plotësisht me ta. (Mik. 6:8; 1 Kor. 10:12) Urojmë që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë të japin dëshmi të efektshme, por ama me kujdesin e duhur.