A po mësoni gjithçka mundeni nga Jehovai?
1. Çfarë mendon Jehovai për arsimimin?
1 Jehovai, ‘Mësuesi ynë i Madh’, dëshiron që të jemi të arsimuar. (Isa. 30:20) Ai filloi të jepte mësim pasi krijoi Birin e tij të vetëmlindur. (Gjoni 8:28) Pas rebelimit të Adamit, Jehovai nuk e ndërpreu mësimdhënien, por me dashuri siguroi udhëzime për njerëzit e papërsosur.—Isa. 48:17, 18; 2 Tim. 3:14, 15.
2. Çfarë fushate arsimimi po zhvillohet tani?
2 Sot, Jehovai po drejton fushatën më të madhe të arsimimit që ka njohur historia. Siç profetizoi Isaia, miliona njerëz përreth globit po vërshojnë në kuptimin figurativ drejt ‘malit të shtëpisë së Jehovait’. (Isa. 2:2) Pse vërshojnë drejt tij? Që të mësojnë udhët e Perëndisë, po, që të mësohen nga vetë Jehovai. (Isa. 2:3) Gjatë vitit të shërbimit 2010, Dëshmitarët e Jehovait kaluan mbi 1,6 miliardë orë duke predikuar dhe duke u mësuar njerëzve të vërtetën biblike. Përveç kësaj, jepen mësime frymore në më shumë se 105.000 kongregacione në mbarë botën çdo javë dhe prodhohen botime të krishtere arsimuese në më tepër se 500 gjuhë nga skllavi i besueshëm dhe i matur.
3. Si ke nxjerrë dobi personalisht nga arsimimi që jep Jehovai?
3 Të nxjerrim plotësisht dobi: Sa shumë kemi përfituar nga arsimimi hyjnor! Kemi mësuar se Perëndia ka një emër dhe se interesohet për ne. (Psal. 83:18; 1 Pjet. 5:6, 7) Kemi mësuar përgjigjet e disa prej pyetjeve më të rëndësishme në jetë, si: pse vuajnë e vdesin njerëzit? Si të gjej lumturi të vërtetë? Cili është qëllimi i jetës? Jehovai na ka dhënë edhe drejtim nga ana morale që na ndihmon ‘të kemi sukses në udhën tonë’.—Jos. 1:8.
4. Çfarë mundësish arsimimi janë në dispozicion të shërbëtorëve të Perëndisë dhe pse duhet të mësojmë gjithçka mundemi nga Jehovai?
4 Për më tepër, Jehovai siguron një arsimim të posaçëm për të ndihmuar shumë shërbëtorë të tij që të zgjerojnë shërbimin që i bëjnë. Në faqet 4-6 renditen mundësitë që janë në dispozicion të disave. Edhe nëse rrethanat nuk na lejojnë të stërvitemi në ndonjë nga mundësitë e renditura më poshtë, a po përfitojmë plotësisht nga arsimimi hyjnor që kemi mundësi të marrim? A po i inkurajojmë të rinjtë, të cilët shpesh nxiten nga mësuesit dhe nga të tjerët të synojnë arsimin e lartë në botë, që të ndjekin synime frymore dhe të marrin arsimimin më të lartë: arsimimin hyjnor? Nëse mësojmë gjithçka mundemi nga Jehovai, do të bëjmë një jetë të lumtur tani dhe do të gëzojmë një të ardhme të përhershme.—Psal. 119:105; Gjoni 17:3.
Disa mundësi arsimimi që vë në dispozicion organizata e Jehovait
Klasat për të mësuar shkrim e lexim
Qëllimi: T’u mësojë njerëzve të lexojnë dhe të shkruajnë në mënyrë që ta studiojnë vetë Biblën dhe t’u mësojnë të tjerëve të vërtetën.
Kohëzgjatja: Sipas nevojës.
Vendi: Salla e Mbretërisë.
Cilët mund t’i ndjekin? Të gjithë lajmëtarët dhe të interesuarit.
Si të regjistroheni? Pleqtë e kongregacionit i organizojnë këto klasa sipas nevojës dhe i inkurajojnë t’i ndjekin të gjithë ata që mund të nxjerrin dobi prej tyre.
Shkolla e Shërbimit Teokratik
Qëllimi: T’i stërvitë lajmëtarët të jenë predikues dhe mësues të efektshëm të lajmit të mirë.
Kohëzgjatja: Në vazhdimësi.
Vendi: Salla e Mbretërisë.
Cilët mund të regjistrohen? Të gjithë lajmëtarët, si edhe të tjerë që po shoqërohen aktivisht me kongregacionin, që janë dakord me mësimet e Biblës dhe që jetojnë në harmoni me parimet e krishtere.
Si të regjistroheni? Flisni me mbikëqyrësin e Shkollës së Shërbimit Teokratik.
Klasat për të mësuar një gjuhë të huaj
Qëllimi: T’u mësojë lajmëtarëve si ta predikojnë lajmin e mirë në një gjuhë të huaj.
Kohëzgjatja: Katër ose pesë muaj. Zakonisht, klasat zhvillohen të shtunave në mëngjes për një ose dy orë.
Vendi: Zakonisht, mbahen në një nga Sallat e Mbretërisë më të afërta.
Cilët mund të regjistrohen? Lajmëtarët me një qëndrim të mirë që kanë dëshirë të predikojnë në një gjuhë të huaj.
Si të regjistroheni? Këto klasa organizohen nga zyra e degës sipas nevojës.
Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë
Qëllimi: Të ndërtojë dhe të ristrukturojë Salla Mbretërie. Kjo nuk është një shkollë, por gjatë këtyre projekteve, vullnetarët mësojnë aftësi të ndryshme që të mund të ndihmojnë gjatë projekteve të ndërtimit.
Kohëzgjatja: Sipas rrethanave të vullnetarit.
Vendi: Kudo qoftë brenda zonës që i është caktuar Komitetit Rajonal të Ndërtimit. Disa vullnetarë mund të marrin ftesën të ndihmojnë në vende më të largëta ku ka ndodhur një katastrofë.
Kualifikimet: Vëllezërit e motrat duhet të jenë të pagëzuar dhe të miratuar nga trupi i pleqve. Mund të kenë ose jo ndonjë aftësi të veçantë.
Si të bëni kërkesën? Plotësoni formularin Pyetësor për Vullnetar për Ndërtimin e Sallave të Mbretërisë (S-82) që mund ta merrni nga pleqtë e kongregacionit.
Shkolla e Shërbimit për Pionierë
Qëllimi: T’i ndihmojë pionierët ‘të kryejnë plotësisht shërbimin e tyre’.—2 Tim. 4:5.
Kohëzgjatja: Dy javë.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës; zakonisht në një nga Sallat e Mbretërisë më të afërta.
Kualifikimet: Ata që kanë shërbyer si pionierë të rregullt për të paktën një vit.
Si të regjistroheni? Pionierët që plotësojnë kërkesat regjistrohen automatikisht dhe njoftohen nga mbikëqyrësi qarkor.
Shkolla për të Sapoardhurit në Bethel
Qëllimi: Kjo shkollë ka për qëllim t’i ndihmojë të sapoardhurit të kenë sukses në shërbimin e tyre në Bethel.
Kohëzgjatja: Një orë çdo javë për gjashtëmbëdhjetë javë.
Vendi: Në Bethel.
Kualifikimet: Duhet të jenë anëtarë të emëruar të familjes Bethel ose vullnetarë të përkohshëm për një kohë të gjatë (për një vit ose më tepër).
Si të regjistroheni? Anëtarët e familjes Bethel që plotësojnë kërkesat, regjistrohen automatikisht.
Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë
Qëllimi: T’i stërvitë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës që të kujdesen për punën e mbikëqyrjes dhe për përgjegjësitë organizative. (Vep. 20:28) Kjo shkollë mbahet një herë në disa vjet, si ta vendosë Trupi Udhëheqës.
Kohëzgjatja: Vitet e fundit ka zgjatur një ditë e gjysmë për pleqtë dhe një ditë për shërbëtorët ndihmës.
Vendi: Zakonisht në një nga Sallat e Mbretërisë më të afërta ose në një Sallë Asamblesh.
Kualifikimet: Duhet të jenë pleq ose shërbëtorë ndihmës.
Si të regjistroheni? Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës që plotësojnë kërkesat, marrin një ftesë nga mbikëqyrësi qarkor.
Shkolla për Pleqtë e Kongregacionita
Qëllimi: T’i ndihmojë pleqtë që të kujdesen për përgjegjësitë e tyre në kongregacion.
Kohëzgjatja: Pesë ditë.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës; zakonisht në një nga Sallat e Mbretërisë më të afërta ose në një Sallë Asamblesh.
Kualifikimet: Duhet të jenë pleq.
Si të regjistroheni? Pleqtë që plotësojnë kërkesat, marrin një ftesë nga zyra e degës.
Shkolla për Mbikëqyrësit Udhëtues dhe Gratë e tyreb
Qëllimi: T’i ndihmojë mbikëqyrësit qarkorë e krahinorë t’u shërbejnë më me efektshmëri kongregacioneve, ‘të punojnë pa u lodhur në fjalë dhe në mësimdhënie’ dhe të kullotin ata që kanë nën kujdesin e tyre.—1 Tim. 5:17; 1 Pjet. 5:2, 3.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës.
Kualifikimet: Duhet të jenë mbikëqyrës qarkorë ose krahinorë.
Si të regjistroheni? Mbikëqyrësit udhëtues që plotësojnë kërkesat dhe gratë e tyre marrin ftesë nga zyra e degës.
Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarëc
Qëllimi: Të përgatitë pleq dhe shërbëtorë ndihmës që janë të pamartuar, për përgjegjësi të mëtejshme. Shumica e të diplomuarve caktohen për të shërbyer ku ka nevojë në vendin e tyre. Disa mund të caktohen në një shtet tjetër, nëse janë të gatshëm.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës; zakonisht në një nga Sallat e Mbretërisë më të afërta ose në një Sallë Asamblesh.
Kualifikimet: Vëllezër beqarë nga mosha 23 deri 62 vjeç, që gëzojnë shëndet të mirë dhe që duan t’u shërbejnë vëllezërve dhe interesave të Mbretërisë atje ku ka nevojë. (Mar. 10:29, 30) Duhet të kenë minimumi dy vjet që shërbejnë pa ndërprerje si pleq ose shërbëtorë ndihmës.
Si të regjistroheni? Nëse kjo shkollë zhvillohet në territorin e degës suaj, në asamblenë qarkore mbahet një mbledhje për të gjithë ata që duan të regjistrohen. Gjatë kësaj mbledhjeje jepen informacione të mëtejshme.
Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtered
Qëllimi: T’u japë çifteve të martuara stërvitje të posaçme që të përdoren në mënyrë më të plotë nga Jehovai dhe organizata e tij. Shumica e të diplomuarve do të caktohen për të shërbyer ku të ketë nevojë në vendin e tyre. Disa mund të caktohen në një shtet tjetër, nëse janë të gatshëm.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Klasat e para po zhvillohen në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA. Më vonë, kjo shkollë do të mbahet në vende që do të përcaktohen nga zyra e degës, në përgjithësi në një Sallë Asamblesh ose në një Sallë Mbretërie.
Kualifikimet: Çifte të martuara të moshave 25 deri 50 vjeç, që gëzojnë shëndet të mirë, kanë rrethana të favorshme për të shërbyer kudo ku ka nevojë dhe kanë frymën e shkrimit: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isa. 6:8) Përveç këtyre, duhet të jenë të martuar të paktën prej dy vjetësh dhe momentalisht të jenë në shërbimin e plotkohor të paktën prej dy vjetësh pa ndërprerje.
Si të regjistroheni? Nëse kjo shkollë zhvillohet në territorin e degës suaj, në asamblenë speciale njëditore do të mbahet një mbledhje për ata që duan të regjistrohen. Gjatë kësaj mbledhjeje, do të jepen informacione të mëtejshme.
Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit
Qëllimi: Të stërvitë pionierë dhe shërbëtorë të tjerë në kohë të plotë për shërbimin si misionarë.
Kohëzgjatja: Pesë muaj.
Vendi: Në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA.
Kualifikimet: Çifte të martuara, të pagëzuar prej tre vjetësh dhe të moshave 21 deri 38 vjeç kur plotësojnë kërkesën e parë. Duhet të dinë gjuhën angleze, të jenë të martuar prej të paktën dy vjetësh dhe momentalisht të jenë në shërbimin e plotkohor të paktën prej dy vjetësh pa ndërprerje. Duhet të gëzojnë shëndet të mirë. Nëse plotësojnë kushtet, kërkesën mund ta bëjnë edhe pionierët që shërbejnë në një vend të huaj (përfshirë ata që kanë statusin e misionarit); mbikëqyrësit udhëtues; anëtarët e familjes Bethel dhe ata që janë diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, në Shkollën Biblike për Vëllezërit Beqarë dhe në Shkollën Biblike për Çiftet e Krishtere.
Si të regjistroheni? Në disa degë të caktuara, në kongresin krahinor mbahet një mbledhje për ata që duan të regjistrohen. Gjatë kësaj mbledhjeje, jepen informacione të mëtejshme. Nëse kjo mbledhje nuk mbahet në kongreset në vendin tuaj dhe doni ta bëni këtë shkollë, mund t’i shkruani zyrës së degës për informacione të mëtejshme.
Shkolla për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre
Qëllimi: Të ndihmojë ata që shërbejnë në Komitetet e Degëve ta bëjnë sa më mirë mbikëqyrjen e shtëpive Bethel, duke u kushtuar vëmendje çështjeve të shërbimit që ndikojnë në kongregacione, mbikëqyrjen e qarqeve dhe krahinave në territoret përkatëse, punën e përkthimit, të shtypjes e të dërgimit të literaturës, si edhe mbikëqyrjen e reparteve të ndryshme.—Luka 12:48b.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA.
Kualifikimet: Ata që janë anëtarë të Komitetit të Degës, të Komitetit të Vendit ose që do të emërohen si të tillë pas kësaj shkolle.
Si të regjistroheni? Vëllezërit që plotësojnë kërkesat dhe gratë e tyre marrin një ftesë nga Trupi Udhëheqës.
a Tani për tani kjo shkollë nuk zhvillohet në çdo vend.
b Tani për tani kjo shkollë nuk zhvillohet në çdo vend.
c Tani për tani kjo shkollë nuk zhvillohet në çdo vend.
d Tani për tani kjo shkollë nuk zhvillohet në çdo vend.