Meditimi me lutje—I nevojshëm për shërbëtorët e zellshëm
1. Çfarë e ndihmoi Jezuin të mos shpërqendrohej nga vepra e tij kryesore?
1 Një natë më parë, Jezui kishte shëruar njerëz dhe kishte dëbuar demonë. Kur e gjetën dishepujt ditën tjetër, ata i thanë: «Po të kërkojnë të gjithë», duke e nxitur të vazhdonte të bënte mrekulli. Megjithatë, Jezui nuk u shpërqendrua nga vepra e tij kryesore: predikimi i lajmit të mirë. Ai u përgjigj: «Le të shkojmë diku gjetkë, në qytezat këtej afër, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë qëllim kam ardhur.» Çfarë e ndihmoi Jezuin të mos shpërqendrohej nga qëllimi i tij? Ishte çuar herët për t’u lutur dhe për të medituar. (Mar. 1:32-39) Si mund të na ndihmojë edhe ne meditimi me lutje që të jemi predikues të zellshëm?
2. Për çfarë mund të meditojmë që të ruajmë zellin për shërbimin?
2 Për çfarë të meditojmë? Jezui kishte parë që njerëzit ishin «të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mat. 9:36) Edhe ne mund të meditojmë për nevojën e madhe që kanë njerëzit për lajmin e mirë. Mund të mendojmë thellë për urgjencën e kohëve. (1 Kor. 7:29) Mund të meditojmë për veprat e cilësitë e Jehovait, për privilegjin tonë si Dëshmitarë të Jehovait dhe për thesaret e çmuara frymore që kemi mësuar nga Fjala e Perëndisë, të cilat njerëzit në territorin tonë nuk i dinë akoma.—Psal. 77:11-13; Isa. 43:10-12; Mat. 13:52.
3. Kur mund të meditojmë?
3 Kur të meditojmë? Ashtu si Jezui, disa ngrihen herët në mëngjes, kur është qetësi. Të tjerë e kanë më mirë të meditojnë në mbrëmje, para se të flenë. (Zan. 24:63) Edhe nëse kemi një program të ngarkuar, mund të gjejmë kohë për të medituar. Disa shfrytëzojnë kohën kur përdorin transportin publik. Disa të tjerë gjejnë kohë gjatë pushimit të drekës për ta bërë këtë në qetësi. Shumë kanë kuptuar se meditimi para se të dalin në shërbim, sikur edhe për pak çaste, i ndihmon të predikojnë me më shumë zell e guxim.
4. Pse duhet të meditojmë?
4 Meditimi me lutje do të na shtojë dëshirën t’i shërbejmë Jehovait, do të na ndihmojë të përqendrohemi më shumë në gjërat frymore dhe do të na bëjë më të vendosur për të vazhduar predikimin. Ashtu si Jezui, Shërbëtori Kryesor i Perëndisë, edhe ne do të nxjerrim dobi nga meditimi.