Kutia e pyetjes
◼ Pse është e nevojshme të tregojmë gjykim të mirë në përdorimin e lidhjes telefonike për ndjekjen e mbledhjeve të kongregacionit?
Shumë kongregacione kanë bërë të mundur që ata që ndonjëherë nuk mund t’i ndjekin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë për shkak të ndonjë sëmundjeje ose rrethane të pashmangshme, të mund t’i dëgjojnë ato nga shtëpia me anë të lidhjes telefonike. Për t’u siguruar që këtë masë të dashur ta përdorin vetëm ata që nuk kanë vërtet mundësi të shkojnë në mbledhje, kërkohet gjykim i mirë dhe organizim i kujdesshëm. Prandaj, pleqtë që mbikëqyrin këtë masë duhet të organizojnë dhe të vëzhgojnë përdorimin e lidhjes telefonike në mënyrë që ‘çdo gjë të ndodhë si ka hije dhe me rregull’.—1 Kor. 14:40.
Pleqtë duhet të marrin masa që t’u jepet përparësi lajmëtarëve të kongregacionit që kanë kufizime fizike, sëmundje kronike ose që për ndonjë arsye tjetër nuk mund të dalin nga shtëpia. Edhe një lajmëtar që është përkohësisht i sëmurë a i kufizuar, ose një student i Biblës që po përparon dhe nuk mund të dalë nga shtëpia, mund të përfitojë nga kjo masë dhe të llogaritet si i pranishëm. Në rast se nuk ka linja të mjaftueshme për të gjithë ata që kanë vërtet nevojë, ndoshta mund të merren masa të tjera, si për shembull incizimi i mbledhjes.
Sigurisht, asgjë nuk mund të krahasohet me dobitë që vijnë kur je personalisht i pranishëm në mbledhje. Shoqërimi me vëllezërit sjell ‘inkurajim mes njëri-tjetrit’ dhe i ndihmon të rinjtë në të vërtetën të çmojnë më shumë nevojën për të shkuar në mbledhje. Kur jemi në Sallën e Mbretërisë mësojmë shumë më tepër nga demonstrimet, pleqtë mund të na vijnë personalisht në ndihmë dhe shijojmë drejtpërdrejt dashurinë e ngrohtë të vëllazërisë. Janë më se të vërteta ndjenjat që shprehu një motër e moshuar pasi mori një përqafim ndërsa po dilte nga Salla e Mbretërisë: «Këtë s’e merr dot me anë të telefonit!»—Rom. 1:11, 12.
Ashtu si Ana, e cila «nuk mungonte kurrë në tempull», shumë nga të moshuarit tanë sot vijnë rregullisht në mbledhjet e krishtere kur shëndeti dhe rrethanat nuk i pengojnë. (Luka 2:36, 37) Kur përdorin lidhjen telefonike, nëse është e nevojshme, ata nuk e shohin këtë masë si një alternativë të leverdishme për të ndjekur mbledhjet. Në imitim të shembullit të tyre të shkëlqyer, le të vazhdojmë të përpiqemi me kënaqësi për të qenë të pranishëm në mbledhje ndërsa adhurojmë Perëndinë tonë të madh, Jehovain.—Psal. 95:1-3, 6; 122:1.