Të kërkojmë ata që e meritojnë
1. Si tregojmë vlerësim për privilegjin e shërbimit?
1 Gjatë shërbimit të tij, Jezui bëri çmos që t’u jepte lajmin e mirë e ngushëllues zemërbutëve. (Isa. 61:1, 2) Si ambasadorë dhe të dërguar në vend të Krishtit, ne sot kemi privilegjin ta imitojmë atë ndërsa kërkojmë pa u lodhur në të gjithë territorin për të gjetur ata që e meritojnë.—Mat. 10:11; 2 Kor. 5:20.
2. Si përshtatej Pavli dhe me ç’rezultat?
2 Të përshtatemi: Apostulli Pavël ishte mësuar që, para së gjithash, të shkonte në sinagogë për t’u predikuar judenjve dhe prozelitëve. (Vep. 14:1) Në Filipi, ai dhe Sila shkuan t’i kërkonin njerëzit atje ku ‘mendonin se kishte një vend për t’u lutur’. Nisën t’u jepnin dëshmi disa grave që ishin mbledhur dhe, njëra prej tyre, Lidia, e pranoi shumë shpejt të vërtetën.—Vep. 16:12-15.
3. Ç’mundësi të tjera shërbimi kemi përveç atij shtëpi më shtëpi?
3 Përveçse shtëpi më shtëpi, a mund t’u predikojmë edhe njerëzve në stacione, në parqe, në zyra punësimi, në qoshe rrugësh ku ka mjaft lëvizje dhe në vende e qendra tregtare në territorin tonë? Ndoshta mund t’u japim dëshmi me anë të letrave ose të telefonit atyre që jetojnë në pallate e komplekse banimi të mbyllura me porta. Nëse jemi vëzhgues të mirë dhe përshtatemi me nevojat që lindin në territor, do të kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».—1 Kor. 15:58.
4. Ç’mundësi të tjera kemi nëse kongregacioni ynë nuk ka territor të madh?
4 Shumë lajmëtarë kanë pasur mundësi të zgjerojnë shërbimin e tyre duke shkuar në një kongregacion tjetër brenda ose jashtë vendit. Të tjerë kanë mësuar një gjuhë të huaj për t’u predikuar atyre që kanë ardhur nga një vend tjetër.
5. (a) Ç’pikëpamje duhet të kemi për kohët në të cilat jetojmë? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
5 Të gjithë ne nuk duhet të harrojmë se «ara është bota». (Mat. 9:37; 13:38) Duke pasur parasysh se sa afër është fundi i këtij sistemi të lig, secili duhet të shqyrtojë seriozisht rrethanat, dhuntitë dhe mundësitë e tij për të zgjeruar shërbimin. Jehovai na siguron se, nëse vëmë në radhë të parë interesat e Mbretërisë, ai do të bekojë përpjekjet tona të sinqerta për të zgjeruar shërbimin.—Mat. 6:33.