Ta lëvdojmë Jehovain çdo ditë
1. Çfarë nxiten të bëjnë shërbëtorët e Perëndisë dhe pse?
1 Mbreti David shprehu vendosmërinë e tij për ta lëvduar Jehovain «gjithë ditën», madje përgjithmonë. (Psal. 145:2, 7, 21) Edhe ne kemi mjaft arsye për ta lëvduar Jehovain çdo ditë.—Psal. 37:10; 145:14, 18; 2 Pjet. 3:13.
2. Si mund ta lëvdojnë familjet çdo ditë Jehovain?
2 Në shtëpi: Kemi mjaft botime ndërtuese për të zhvilluar biseda frymore kur shqyrtojmë shkrimin e ditës, kur bëjmë Adhurimin Familjar dhe kur përgatitemi për mbledhjet e kongregacionit. Shumë familje e kanë zakon të hanë çdo ditë të paktën një vakt së bashku. Kjo u jep mundësinë të bisedojnë pa nxituar e me qetësi dhe të lëvdojnë Jehovain. Biseda të tilla joformale që mund të nisin prindërit, mund të ndihmojnë shumë për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait».—Efes. 6:4; Ligj. 6:5-7.
3. Çfarë mundësish kemi kur jemi me vëllezërit tanë?
3 Me vëllezërit: Kur jemi në shërbim ose në mbledhjet e kongregacionit, kemi mundësi të shkëlqyera për ta lëvduar Jehovain me bashkëbesimtarët. (Prov. 15:30; Filip. 4:8; Hebr. 13:15) Meqenëse të gjithë e duam Jehovain, duhet të jetë e lehtë të përfshijmë në bisedat tona shprehje të sinqerta vlerësimi për mirësinë e Tij.—Psal. 106:1.
4. Në ç’rrethana mund ta lëvdoni Jehovain?
4 Kur flasim me jobesimtarët: Megjithëse për shkak të rrethanave mund të mos kemi mundësi të dalim çdo ditë në shërbim, nëse flasim për Jehovain dhe qëllimet e tij sadopak me shokët e punës, të shkollës dhe me të tjerë përreth nesh, kjo mund t’u japë shpresë njerëzve të sinqertë. (Psal. 27:14; 1 Pjet. 3:15) Ndërsa udhëtonte me aeroplan, një motër pati mundësinë t’i jepte dëshmi një bashkudhëtareje, e cila u ndie kaq e ngushëlluar dhe e inkurajuar nga ajo që dëgjoi, sa i dha motrës adresën dhe numrin e telefonit, që të mbanin lidhje me njëra-tjetrën. Ndërsa bota vuan nga problemet gjithnjë e në rritje dhe nga kushtet që keqësohen, populli i Jehovait vazhdon t’u japë «lajmin e mirë për diçka më të mirë» atyre që pranojnë ta dëgjojnë. Ky lajm u jep shpresë të tjerëve dhe i nxit ta lëvdojnë Jehovain.—Isa. 52:7; Rom. 15:11.
5. Pse dëshirojmë ta lëvdojmë Jehovain dhe çfarë mund të sjellë kjo?
5 Sa kënaqet Jehovai kur dëgjon shërbëtorët e tij që e lëvdojnë çdo ditë! Ashtu si krijimi i dukshëm i Jehovait që na rrethon, edhe ne mund të themi fjalë lëvdimi si një përrua gurgullues në shtëpinë tonë, në kongregacion dhe kur flasim me të tjerët që nuk janë bërë ende bashkëlëvdues të Jehovait.—Psal. 19:1-4.