Të jemi të përgatitur mirë kur mësojmë të tjerët
1. Pse duhet ta ndihmojmë studentin të vlerësojë atë që mëson gjatë studimit?
1 Kur drejtojmë një studim biblik, duhet të jemi të përgatitur mirë nëse duam ta inkurajojmë studentin që t’i shërbejë Jehovait. Që përpjekjet tona të kenë sukses, duhet ta ndihmojmë të vlerësojë atë që mëson nga Bibla. Kjo do ta nxitë të veprojë. (Ligj. 6:5; Prov. 4:23; 1 Kor. 9:26) Po si mund ta bëjmë këtë?
2. Si na ndihmon lutja që të jemi të përgatitur mirë për një studim?
2 Të lutemi për ndihmë kur përgatitemi: Meqenëse është Jehovai ai që e rrit farën e së vërtetës në zemrën e studentit, është mirë që ta fillojmë përgatitjen për studimin duke u lutur në mënyrë specifike për studentin dhe nevojat e tij të veçanta. (1 Kor. 3:6; Jak. 1:5) Kjo lutje mund të na ndihmojë për të përcaktuar si mund ta ndihmojmë më tej që zemra e tij të mbushet plot «me njohuri të saktë» për vullnetin e Jehovait.—Kolos. 1:9, 10.
3. Si mund të përgatitemi duke menduar për studentin?
3 Të mendojmë për studentin: Jezui e dinte se të jesh mësues i mirë do të thotë edhe të mendosh për ata që po dëgjojnë. Të paktën në dy raste, Jezuit iu bë e njëjta pyetje: «Ç’duhet të bëj, që të trashëgoj jetën e përhershme?» Në secilin rast, ai u përgjigj ndryshe. (Luka 10:25-28; 18:18-20) Duhet të mendojmë për studentin kur përgatitemi. Cilat nga shkrimet e përmendura do t’i lexojmë? Sa material do të trajtojmë me të? Cilat pika të mësimit studenti mund t’i ketë të vështira për t’i kuptuar ose për t’i pranuar? Nëse i parashikojmë disa pyetje që mund të bëjë studenti, do të jemi më të përgatitur për të dhënë përgjigje të efektshme.
4. Çfarë do të thotë të përgatitesh mirë?
4 Të bëjmë një përsëritje të materialit: Pavarësisht se sa herë e kemi studiuar materialin në të shkuarën, me çdo student është hera e parë që e studiojmë. Nëse duam t’i prekim zemrën, është shumë e rëndësishme të përgatitemi mirë për çdo studim. Kjo do të thotë që të bëjmë edhe vetë atë për të cilën e inkurajojmë studentin. Të bëjmë një përsëritje të materialit, përfshirë edhe shkrimet e përmendura, duke menduar për studentin, dhe ndoshta të nënvizojmë pikat kryesore.—Rom. 2:21, 22.
5. Si mund ta imitojmë Jehovain?
5 Jehovai interesohet jashtëzakonisht për përparimin e çdo studenti të Biblës. (2 Pjet. 3:9) Duke u përgatitur për çdo studim biblike që kemi, edhe ne tregojmë të njëjtin interesim të dashur.