Të mësojmë ata që nuk dinë të lexojnë mirë
1. Çfarë vështirësie mund të hasim ndonjëherë në shërbim?
1 Kur jemi në shërbim, ndonjëherë takojmë njerëz që kanë vështirësi me leximin. Mund të jetë e vështirë për ne t’u mësojmë të vërtetën. Si mund t’i ndihmojmë?
2. Si dhe pse duhet t’i trajtojmë me dinjitet ata që nuk dinë të lexojnë mirë?
2 T’i trajtojmë me dinjitet: Ajo që ka rëndësi për Jehovain nuk është arsimimi, por zemra e njeriut. (1 Sam. 16:7; Prov. 21:2) Prandaj, nuk duhet t’i përçmojmë ata që nuk dinë të lexojnë mirë. Ata do të jenë më të gatshëm për të pranuar ndihmën tonë kur tregojmë respekt dhe durim. (1 Pjet. 3:15) Kjo do të thotë që të mos këmbëngulim që ta lexojë ai shkrimin ose paragrafin. Ndërsa një person përparon në mësimin e të vërtetave të çmuara të Biblës, ai mund të ketë më shumë dëshirë për të përmirësuar në të lexuar, që të ketë kënaqësinë ta lexojë Fjalën e Perëndisë «nën zë ditë e natë».—Psal. 1:2, 3.
3. Çfarë metodash mund të përdoren kur mësojmë ata që nuk dinë të lexojnë mirë?
3 Metoda mësimdhënieje për studimet biblike: Figurat janë një mjet i shkëlqyer në mësimdhënie dhe nuk harrohen lehtë. Mund ta pyesni studentin se çfarë sheh në një figurë të botimit që po përdorni. Pastaj bëjini pyetje specifike për ta ndihmuar të kuptojë se çfarë mëson nga figura. Përdorni shkrime që mbështetin pika specifike që theksohen në figurë. Figurat mund të përdoren edhe për të bërë një përsëritje të mësimit. Mos trajtoni shumë material në një herë të vetme. Theksoni temën dhe pikat kryesore të mësimit, dhe mos shqyrtoni pika që nuk janë pjesë e materialit. Lexoni shkrimet drejtpërdrejt nga Bibla dhe bëjini pyetje studentit për t’u siguruar se e ka kuptuar atë që u lexua. Kjo mund t’i shtojë dëshirën për të lexuar më mirë, me qëllim që të kërkojë vetë për të vërteta të tjera biblike.
4. Si mund ta ndihmojmë studentin të përmirësojë në të lexuar?
4 Mënyra për të përmirësuar leximin: Ata që nuk dinë të lexojnë mirë ose që nuk kanë pasur shumë mundësi të mësojnë të lexojnë rrjedhshëm, mund t’i kuptojnë e t’i mbajnë mend shumë mirë informacionet. Ju mund t’i inkurajoni që të përdorin regjistrimet në audio të botimeve tona. Nëse studenti e dëgjon me vëmendje lexuesin ndërsa e ndjek në botimin e shtypur, madje edhe nëse përsërit me zë pas tij, këto do ta ndihmojnë të përmirësojë në të lexuar. Ai mund të përfitojë edhe nga broshura Të mësojmë lexim dhe shkrim. Në disa vende, pleqtë mund të organizojnë kurse leximi në kongregacion. Këto sugjerime praktike na shërbejnë për të ndihmuar ata që nuk dinë të lexojnë mirë, që të kuptojnë «shkrimet e shenjta», të cilat mund t’i bëjnë të mençur dhe t’u sjellin shpëtim.—2 Tim. 3:15.