A i njihni alternativat?
Në mbarë botën, numri i operacioneve pa gjak sa vjen e rritet. A jeni të mirinformuar për alternativat që mund të zgjidhni në fushën e mjekësisë pa gjak? Është e nevojshme të jeni të mirinformuar që të merrni vendime të mençura në lidhje me trajtimet mjekësore dhe ndërhyrjet kirurgjikale. Shihni videon Jo gjak—Mjekësia përballon sfidën. Pastaj, lutuni për vendimet tuaja dhe rishikoni atë që mësuat duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme.—Shënim: Meqë në video përfshihen fragmente të shkurtra operacionesh, prindërit duhet të tregojnë maturi kur e shohin me fëmijë të vegjël.
(1) Cila është arsyeja kryesore pse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë të bëjnë transfuzion gjaku? (2) Çfarë dëshirojnë Dëshmitarët e Jehovait kur bëhet fjalë për kujdesin mjekësor? (3) Cila është e drejta themelore e çdo pacienti? (4) Pse është e arsyeshme dhe e përgjegjshme të zgjedhësh alternativat e transfuzionit? (5) Cilat janë dy përparësitë që kanë mjekët në raste urgjente kur pacienti ka humbur shumë gjak? (6) Cilat janë katër parimet e strategjive që përdoren për të zëvendësuar transfuzionin? (7) Në ç’mënyrë mjekët mund (a) të pakësojnë humbjen e gjakut, (b) të ruajnë rruazat e kuqe të gjakut, (c) të nxitin prodhimin e gjakut dhe (d) të riaftësojnë gjakun që del? (8) Përshkruaj procedurat e quajtura (a) hollimi i gjakut dhe (b) riaftësimi i rruazave të gjakut. (9) Ç’duhet të dini për alternativat e transfuzionit? (10) A mund të kryhen operacione të rënda dhe të ndërlikuara pa transfuzion gjaku? (11) Cilat zhvillime të dobishme po bëhen në fushën e mjekësisë?
Pranimi ose jo i disa prej trajtimeve që përmenden në këtë video, është çështje personale dhe vendimi merret në bazë të ndërgjegjes së stërvitur sipas Biblës. A keni marrë një vendim të qartë për trajtimet mjekësore dhe procedurat që doni të pranoni për veten dhe fëmijët tuaj? Pas kësaj, a keni kontrolluar nëse deklarata juaj mjekësore «Jo gjak» është ende e vlefshme? Ose, a keni menduar të shkruani një deklaratë personale të firmosur me dorë ku shprehni vendimet tuaja lidhur me trajtimet mjekësore? Për një shqyrtim të plotë të këtyre çështjeve, lexoni me kujdes «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 qershorit 2004 dhe të 15 tetorit 2000. Pastaj, për të marrë vendime personale se çfarë alternativash do të pranonit ose jo, përdorni shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë nëntor 2006 «Si t’i konsideroj fraksionet e gjakut dhe procedurat mjekësore ku përdoret gjaku im?» Në fund, sigurohuni që zgjedhjet që keni bërë, t’i shkruani me kujdes në dokumentet e përmendura më sipër.
[Kutia në faqen 3]
• A keni marrë një vendim të qartë për trajtimet mjekësore dhe procedurat që doni të pranoni për veten dhe fëmijët tuaj?
• A mbani me vete një deklaratë «Jo gjak» në rast urgjence?