‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’
1. Me ç’qëllim është botuar libri ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’?
1 E presim me shumë dëshirë shqyrtimin e librit të ri ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’ në Studimin e Biblës në Kongregacion javën që fillon më 23 shkurt. Letra që Trupi Udhëheqës u dërgoi atyre që duan Jehovain, mbyllej me këto fjalë: «Shpresojmë me gjithë zemër që ky botim të të ndihmojë që të vazhdosh të jetosh në përputhje me të vërtetën dhe ta ruash veten ‘në dashurinë e Perëndisë . . . me sytë nga jeta e përhershme’.—Juda 21.»
2. Në ç’fusha të jetës do të na ndihmojë ky libër i ri?
2 Çfarë presim: Si zbatohen parimet e Biblës në fusha, si: shoqëria, zbavitja, respekti për autoritetin, zakonet personale, martesa, të folurit dhe zakonet e një vendi? Ndërgjegjja jonë do të modelohet sipas normave të larta të drejtësisë, siç zbulohen në Fjalën e Perëndisë. (Psal. 19:7, 8) Ndërsa kuptojmë më mirë mënyrën si mendon Jehovai, do të duam t’i bindemi atij në të gjitha fushat e jetës.—Prov. 27:11; 1 Gjon. 5:3.
3. Pse duhet të japim më të mirën kur marrim pjesë në studimin e përjavshëm?
3 Të jemi të vendosur të marrim pjesë: Ndërsa përgatitemi, të vëmë si synim të lëvdojmë Perëndinë bashkë me popullin e tij kur mblidhet në kongregacion. (Hebr. 13:15) I gjithë kongregacioni do të studiojë së bashku këtë botim të ri. Meqë do të shqyrtojmë pak paragrafë, do të kemi mundësi të përgatitemi mirë, dhe nga kjo do të ndihemi të sigurt të ndajmë me të tjerët atë që kemi mësuar. Komentet tona të përgatitura mirë dhe të përmbledhura do t’i nxitin të tjerët për dashuri dhe vepra të shkëlqyera e do të ndihmojnë për një shqyrtim të gjallë e dobiprurës të materialit. (Hebr. 10:24) Gjithashtu, edhe gëzimi ynë do të jetë më i plotë ndërsa shprehim besimin tonë.
4. Pse duhet t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë?
4 Natën e tij të fundit këtu në tokë si njeri, Jezui e lidhi bindjen ndaj urdhërimeve të Jehovait me qëndrueshmërinë në dashurinë e Perëndisë. (Gjoni 15:10) Me ndihmën e librit ‘Dashuria e Perëndisë’ do të jemi më të vendosur se kurrë të zbatojmë parimet biblike në jetën e përditshme dhe ‘të ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë’.—Jud. 21.