Të përgatitim të rinjtë në të vërtetën të përballojnë kundërshtimin
1 Ata që fillojnë të studiojnë Biblën dhe «dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor», bëhen shënjestër e veçantë e Satanait. (2 Tim. 3:12) Kundërshtimi mund të vijë nga shokët e punës, shokët e shkollës ose nga fqinjët. Mund të bëhet e vështirë për të rinjtë në të vërtetën sidomos kur të afërmit, pa pasur qëllim të keq, i kundërshtojnë.—Mat. 10:21; Marku 3:21.
2 Kundërshtimi është parathënë: Të rinjtë duhet të kuptojnë që kundërshtimi pritet dhe që ai është tregues se po bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit. (Gjoni 15:20) Ndonjëherë, kundërshtimet vijnë si rezultat i disa ideve të gabuara për Dëshmitarët e Jehovait. Të mos harrojmë gëzimin e madh që ndiejmë kur çnderohemi ngaqë jemi dishepuj të Krishtit dhe ngaqë i bindemi Perëndisë. (Vep. 5:27-29, 40, 41) T’i sigurojmë të rinjtë për mbështetjen e dashur të Jehovait. (Psal. 27:10; Mar. 10:29, 30) Duke ruajtur integritetin, ata mbajnë anën e Jehovait në çështjen e sovranitetit universal.—Prov. 27:11.
3 Roli i njohurisë së saktë: Ngulitu studentëve të tu biblikë rëndësinë e marrjes së njohurisë në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht nga sprovat që mund të kenë. Me anë të kundërshtimit, Satanai përpiqet të mos lejojë që ajo që mësojnë studentët, të hedhë rrënjë në zemrën e tyre. (Prov. 4:23; Luka 8:13) Ata duhet të vazhdojnë të marrin njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë që besimi i tyre të ketë rrënjë të forta.—Psal. 1:2, 3; Kolos. 2:6, 7.
4 Kërkohet qëndrueshmëri: Në çdo situatë të vështirë, qëndrueshmëria është e domosdoshme dhe mund të sjellë rezultate të shkëlqyera. (Luka 21:16-19) Kur të rinjtë qëndrojnë në sprovë, përfitojnë si ata vetë, ashtu edhe të tjerët. Shohin në jetën e tyre aftësinë e Jehovait për të bekuar me bollëk ata që qëndrojnë me besnikëri.—Jak. 1:12.
5 Apostulli Pavël kënaqej me përparimin frymor të vazhdueshëm që bënin vëllezërit e tij në Selanik. Ai falënderoi Perëndinë për ta, shumë prej të cilëve i kishte ndihmuar të mësonin të vërtetën. (2 Sel. 1:3-5) Edhe ne provojmë po atë kënaqësi e gëzim nëse i ndihmojmë studentët tanë të Biblës të përballojnë sprovat dhe të tregojnë qëndrueshmëri.