T’i ndihmojmë të tjerët ta duan Jehovain
1. Çfarë i tërheq disa te Jehovai?
1 A e mbani mend herën e parë që dëgjuat për Jehovain? Çfarë ju tërhoqi më shumë te ai? Shumë njerëz me zemër të sinqertë do t’ju thonë se ajo që i tërhoqi te Krijuesi ynë ishte njohuria që morën për cilësitë e tij të jashtëzakonshme, sidomos dhembshuria dhe dashuria e tij.—1 Gjonit 4:8.
2, 3. Si mund ta përdorim librin Çfarë mëson vërtet Bibla? për t’i ndihmuar studentët biblikë të rritin dashurinë për Jehovain?
2 «Ky është Perëndia ynë»: Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? thekson dashurinë e Jehovait dhe nevojën për të pasur një marrëdhënie personale me të. Si mund ta përdorim këtë botim për t’i ndihmuar të tjerët të rritin dashurinë për Perëndinë? Kur jemi përqendruar në një temë të re, mund t’i bëjmë studentit pyetje që e bëjnë të mendojë, si për shembull: «Çfarë tregon kjo për Jehovain?» ose «Në ç’mënyrë provon kjo pikë se Jehovai është Ati më i mirë që mund të dëshirojë çdokush?» Kjo lloj mësimdhënieje mund ta ndihmojë studentin të fillojë një marrëdhënie të përhershme me Jehovain.
3 Kur i ndihmojmë studentët biblikë të kuptojnë se çfarë privilegji është të mësosh për të vetmin Perëndi të gjallë e të vërtetë, ata dalëngadalë do të pranojnë atë që tha edhe Isaia: «Ky është Perëndia ynë!» (Isa. 25:9) Kur shpjegojmë fjalën e Perëndisë, duhet të theksojmë se si do të bekohet njerëzimi nga përmbushja e qëllimeve të Jehovait nëpërmjet qeverisë së tij mbretërore nën Krishtin Jezu.—Isa. 9:6, 7.
4, 5. Ç’do të thotë ta duash Jehovain?
4 Prova të dashurisë për Jehovain: E dimë se ta duash Jehovain me gjithë zemër, shpirt e mendje nënkupton më shumë sesa thjesht të kesh ndjenja të forta për Perëndinë. Duhet të përvetësojmë dhe të ndjekim mënyrën e tij të të menduarit. (Psal. 97:10) Dashuria për Perëndinë tregohet duke iu bindur të gjitha urdhërimeve të tij dhe duke marrë pjesë vazhdimisht «në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor» edhe përballë sprovave e kundërshtimit.—2 Pjet. 3:11; 2 Gjonit 6.
5 Të bësh vullnetin e Perëndisë nga dashuria për të, është kënaqësi. (Psal. 40:8) Studenti biblik duhet ta kuptojë që të gjitha urdhërimet e Perëndisë janë dhënë për dobinë e përhershme të shërbëtorëve të tij. (Ligj. 10:12, 13) Duke jetuar në përputhje me drejtimin e Jehovait, tregojmë vlerësimin e thellë për gjithë veprat e Tij të mrekullueshme. Ta ndihmojmë studentin të kuptojë që ecja në rrugën e drejtë të Jehovait i kursen njeriut shumë dhembje.
6. Çfarë bekimesh mund të marrë ai që do Jehovain?
6 Bekime për ata që e duan Perëndinë: Jehovai kujdeset vërtet për të përulurit që e duan, dhe ai u zbulon «gjërat e thella të Perëndisë». (1 Kor. 2:9, 10) Me një njohuri të tillë për qëllimet e Jehovait, ata kanë një pikëpamje të qartë për të ardhmen dhe një shpresë të sigurt. (Jer. 29:11) Ata që e duan Jehovain, provojnë dashamirësinë e tij të jashtëzakonshme. (Dal. 20:6) Gëzojnë shpresën e jetës së përhershme për shkak të dashurisë së madhe të Perëndisë për ta.—Gjoni 3:16.
7. Si e konsideroni mundësinë për t’i mësuar të tjerët të duan Jehovain?
7 Sa më shumë mësojmë për Atin tonë qiellor, aq më shumë do të kemi për t’u treguar të tjerëve. (Mat. 13:52) Ç’privilegj i çmuar është t’i mësojmë të tjerët, e sidomos fëmijët tanë, të duan Jehovain! (Ligj. 6:5-7) Burofshin gjithmonë nga goja jonë dhe e studentëve tanë fjalë lëvdimi, ndërsa provojmë ‘mirësinë e madhe të Jehovait’.—Psal. 145:7.