Synim i shkëlqyer për vitin e ri të shërbimit
1. Çfarë synimi mund të marrim në shqyrtim për vitin e ri të shërbimit?
1 Duhet të vëmë synime nëse duam të përparojmë nga ana frymore. Çfarë synimesh personale keni vënë për vitin e ri të shërbimit? Një synim i shkëlqyer është shërbimi si pionierë ndihmës për një ose disa muaj. Meqenëse ky shërbim i bukur zakonisht kërkon një planifikim paraprak, është mirë që të fillojmë të mendojmë që tani. Pse duhet ta kemi si synim këtë lloj shërbimi?
2. Pse ia vlen të synojmë shërbimin si pionierë ndihmës?
2 Pse të shërbejmë si pionierë ndihmës?: Kjo formë shërbimi na jep mundësinë t’i pëlqejmë «edhe më shumë» Atit tonë qiellor, ndërkohë që shtojmë kohën që kalojmë në shërbim. (1 Sel. 4:1) Ndërsa shqyrtojmë gjithçka që Jehovai ka bërë për ne, zemra na shtyn që t’u flasim të tjerëve për të. (Psal. 34:1, 2) Jehovai i vëren dhe i vlerëson sakrificat që bën secili prej nesh për të dhënë më shumë në shërbim. (Hebr. 6:10) Gëzohemi shumë kur mendojmë se duke punuar fort, i pëlqejmë Jehovait.—1 Kron. 29:9.
3, 4. Si përfitojmë nga shërbimi si pionierë ndihmës?
3 Zakonisht, sa më shumë të merresh me diçka, aq më e lehtë dhe e këndshme bëhet. Kështu, duke kaluar më tepër kohë në shërbim, do ta keni më të lehtë të predikoni nga shtëpia në shtëpi. Do të bëheni më të aftë për të filluar një bisedë dhe për të përdorur Biblën. Sa më shumë të flisni për besimin tuaj, aq më shumë do të forcohet ai. Mjaft lajmëtarë që nuk drejtonin asnjë studim biblik kanë arritur të fillojnë studime gjatë shërbimit si pionierë ndihmës.
4 Ky shërbim mund të jetë një shtysë për të dalë nga ndonjë plogështi frymore. Një ish-pionier i rregullt që e kuptoi se ishte përqendruar tepër në punën e tij, vendosi të shërbente për një muaj si pionier ndihmës. Ai tha: «Nuk arrija ta besoja se sa më përtëriu frymësisht ai muaj. Kështu vendosa që të shërbeja si pionier ndihmës në vazhdimësi, dhe kjo më ndihmoi që më vonë të bëhesha sërish pionier i rregullt.»
5. Si mund t’i kapërcejmë ndjenjat e paaftësisë?
5 Të kapërcejmë pengesat: Disa mund të ngurrojnë të plotësojnë kërkesën për pionierë ndihmës, sepse mendojnë se nuk janë shumë të aftë për të predikuar. Nëse kjo ju bën të ngurroni, Jehovai mund t’ju ndihmojë ashtu siç ndihmoi Jereminë. (Jer. 1:6-10) Megjithëse Moisiu ishte «i ngathët në fjalë e në të folur», Jehovai e përdori për të kryer vullnetin e Tij. (Dal. 4:10-12) Nëse ndiheni të paaftë, kërkojini Jehovait guxim.
6. Si mund të shërbejmë si pionierë ndihmës pavarësisht nga problemet me shëndetin apo nga programi i ngjeshur?
6 A ngurroni të bëni kërkesën për pionierë ndihmës sepse keni probleme me shëndetin ose sepse jeni shumë të ngarkuar? Nëse nuk jeni në gjendje të mirë shëndetësore, mund të predikoni me një ritëm të përballueshëm për ju, dhe kështu mund t’ia dilni të shërbeni si pionierë ndihmës. Në rast se jeni shumë të ngarkuar, ndoshta disa punë jo dhe aq të rëndësishme mund t’i lini për një muaj tjetër. Disa që kanë punë 8-orëshe kanë arritur të ‘blejnë’ kohë për të shërbyer si pionierë ndihmës duke marrë një ose dy ditë pushim nga puna.—Kolos. 4:5.
7. Pse është mirë të lutemi me ngulm që të shërbejmë si pionierë ndihmës?
7 Si t’ia dalim mbanë?: Lutuni për dëshirën tuaj që të shërbeni si pionierë ndihmës. Kërkojini Jehovait t’ju bekojë përpjekjet për të bërë më shumë në shërbim. (Rom. 12:11, 12) Ai mund t’ju ndihmojë të merrni vendime të mençura se si ta përshtatni programin. (Jak. 1:5) Nëse ju mungon dëshira, kërkojini Jehovait t’ju ndihmojë të gjeni kënaqësi në veprën e predikimit.—Luka 10:1, 17.
8. Si mund t’ju ndihmojë zbatimi i Proverbave 15:22 për të shërbyer si pionierë ndihmës?
8 Diskutojeni si familje synimin për të shërbyer si pionierë ndihmës. (Prov. 15:22) Ndoshta një pjesëtar i familjes mund ta arrijë këtë me mbështetjen e pjesëtarëve të tjerë. Flisni edhe me të tjerët në kongregacion për këtë dëshirë që keni, sidomos me ata që i kanë rrethanat si ju. Kjo mund të shtojë entuziazmin për këtë shërbim.
9. Çfarë muajsh mund të zgjidhni për të shërbyer si pionierë ndihmës?
9 Shikoni programin tuaj teokratik për vitin e ri të shërbimit. Kur do të kishit mundësi të shërbenit si pionierë ndihmës? Nëse keni një punë 8-orëshe ose nëse jeni në shkollë, ndoshta mund të merrni në shqyrtim muajt që kanë ndonjë ditë pushim ose kanë pesë të shtuna ose pesë të diela. Për shembull, shtatori, dhjetori, marsi dhe gushti kanë pesë fundjavë të plota. Maji ka pesë të shtuna, ndërsa qershori pesë të diela. Në qoftë se keni probleme me shëndetin, mendoni për muajt kur zakonisht moti është i mirë. Ndoshta mund të shërbeni si pionierë ndihmës gjatë muajit që në kongregacionin tuaj është programuar vizita e mbikëqyrësit qarkor. Gjatë vizitës së tij, do të keni një privilegj më shumë: të ndiqni gjysmën e parë të mbledhjes që mbahet me pionierët e rregullt. Meqenëse Përkujtimi vitin e ardhshëm bie më 22 mars, muajt mars, prill dhe maj janë mundësi të shkëlqyera. Sapo të keni zgjedhur muajin ose muajt kur doni të shërbeni si pionierë ndihmës, filloni të bëni një program që do t’ju ndihmonte të plotësonit kuotën e orëve.
10. Çfarë mund të bëni nëse nuk keni mundësi të shërbeni si pionierë ndihmës?
10 Edhe nëse mendoni se nuk jeni në gjendje të shërbeni si pionierë ndihmës gjatë vitit të ardhshëm të shërbimit, prapëseprapë mund të ruani frymën e pionierit. Vazhdoni të bëni gjithçka mundeni në shërbim, të sigurt se Jehovai kënaqet me përpjekjet tuaja me gjithë shpirt për t’i dhënë atij më të mirën. (Gal. 6:4) Mbështetni dhe inkurajoni ata që mund të shërbejnë si pionierë ndihmës. Ndoshta mund të rregulloni programin tuaj në mënyrë që të dilni në shërbim edhe një herë më shumë gjatë javës me ata që shërbejnë si pionierë ndihmës.
11. Pse duhet të jetojmë me ndjenjën e urgjencës?
11 Populli i Jehovait e kupton urgjencën e kohëve. Ka një detyrë që duhet përmbushur—predikimi i lajmit të mirë. Bëhet fjalë për jetë njerëzish, dhe koha që mbetet është shkurtuar. (1 Kor. 7:29-31) Dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin do të na shtyjë të bëjmë ç’të mundemi në shërbim. Me përpjekje dhe një planifikim të mirë, mund të arrijmë të shërbejmë si pionierë ndihmës të paktën një muaj gjatë vitit të ardhshëm të shërbimit—një synim që ia vlen vërtet!