‘Ta themi fjalën e Perëndisë pa frikë’
1 A ngurroni ndonjëherë të flisni për besimin tuaj kur ju jepet rasti në shkollë ose në punë? A e keni të vështirë t’u jepni dëshmi joformale të afërmve dhe fqinjëve, ose ndoshta njerëzve që nuk i njihni? Çfarë do të na ndihmojë të gjithëve të përfitojmë nga rastet e volitshme «për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë»?—Filip. 1:14.
2 Të mos ngurrojmë: A do të ngurronit të mbronit një mik të ngushtë ose një të afërm të cilin e kanë akuzuar pa të drejtë? Jehovai, Miku ynë më i ngushtë, është akuzuar në mënyrë të tmerrshme për shekuj me radhë. Ne kemi privilegjin unik të japim dëshmi për Perëndinë tonë të madh! (Isa. 43:10-12) Dashuria e thellë për Jehovain mund të na ndihmojë të mënjanojmë turpin ose frikën dhe të na nxitë që të mos ngurrojmë, por me guxim të japim dëshmi për të vërtetën.—Vep. 4:26, 29, 31.
3 Mos harroni se mesazhi ynë është lajmi i mirë. Ai do t’u sjellë dobi të përhershme atyre që i kushtojnë vëmendje. Përqendrimi te vlera e veprës së predikimit dhe jo te vetja jonë ose te kundërshtarët tanë, do të na ndihmojë të predikojmë me guxim.
4 Shembulli i të tjerëve: Mund të marrim forcë edhe nga shembulli besnik i të tjerëve që e kanë thënë fjalën e Perëndisë pa frikë. Për shembull, Enoku me guxim shpalli gjykimin e Jehovait kundër mëkatarëve të paperëndishëm. (Juda 14, 15) Noeja u predikoi besnikërisht atyre që ishin indiferentë. (Mat. 24:37-39) Të krishterët e shekullit të parë që ishin «të pashkolluar e të thjeshtë», vazhduan të predikonin pavarësisht nga kundërshtimi i egër. (Vep. 4:13, 18-20) Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! shpesh përmbajnë jetëshkrime të atyre që në ditët e sotme e mposhtin frikën nga njeriu dhe bëhen ungjillëzues të zellshëm duke treguar besim te Jehovai.
5 Mund të marrim zemër duke shqyrtuar jetën e shërbëtorëve besnikë në të kaluarën të cilët hasën situata të vështira. (1 Mbret. 19:2, 3; Mar. 14:66-71) Ata ‘morën guxim nga Perëndia’ dhe folën pa frikë. Këtë, mund ta bëjmë edhe ne.—1 Sel. 2:2.