T’i mësojmë zemërbutët të ecin në udhën e Perëndisë
1. Çfarë do të thotë të bësh dishepuj?
1 Dishepujt e Krishtit në shekullin e parë përshkruheshin si ata që i përkitnin «Udhës». (Vep. 9:2) Të jesh i krishterë i vërtetë do të thotë ta tregosh këtë në gjithë udhën e jetës. (Prov. 3:5, 6) Prandaj, kur drejtojmë studime biblike, duhet të bëjmë më shumë se sa t’u japim studentëve njohuri të saktë për doktrinat biblike. Duhet t’i ndihmojmë të ecin në udhën e Jehovait.—Psal. 25:8, 9.
2. Çfarë mund ta nxitë një student biblik që t’i bindet urdhërimeve të Perëndisë?
2 T’i ndihmojmë që ta duan Jehovain dhe Jezuin: Sa e vështirë është për njerëzit e papërsosur të mendojnë, të flasin, të sillen dhe të veprojnë në harmoni me vullnetin e Perëndisë! (Rom. 7:21-23; Efes. 4:22-24) Megjithatë, dashuria për Perëndinë dhe Birin e tij i nxit zemërbutët që ta ndërmarrin këtë detyrë të vështirë. (Gjoni 14:15; 1 Gjon. 5:3) Si mund t’i ndihmojmë studentët që të kenë një dashuri të tillë?
3. Si mund t’i ndihmojmë studentët që ta duan Jehovain dhe Jezuin?
3 Duhet t’i ndihmojmë studentët ta njohin Jehovain dhe të kuptojnë ç’lloj personi është. Një vëlla shpjegoi: «Njerëzit nuk mund ta duan dikë që nuk e njohin, prandaj, që kur fillojmë studimin, u mësoj emrin e Perëndisë nga Bibla dhe shfrytëzoj çdo mundësi për të nxjerrë në pah cilësitë e Jehovait.» Një mënyrë e shkëlqyer për ta arritur këtë është duke theksuar shembullin e Jezuit. (Gjoni 1:14; 14:9) Përveç këtyre, përfitoni edhe nga kutia e përsëritjes në fund të çdo kapitulli në librin Çfarë na mëson vërtet Bibla? që ta ndihmoni studentin të meditojë për cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë dhe të Birit të tij.
4. (a) Pse shumë studentë e kanë të vështirë të predikojnë? (b) Si mund t’i ndihmojmë që të hedhin hapat e parë në shërbimin e krishterë?
4 T’i mësojmë duke lënë një shembull të mirë: Si mësues dhe drejtues, me anë të sjelljes u tregojmë të tjerëve se çfarë do të thotë të ecësh në udhën e Perëndisë. (1 Kor. 11:1) Për shembull, shumë studentë biblikë nuk janë mësuar t’u afrohen të panjohurve dhe t’u flasin për besimin e tyre. Prandaj, mund të kërkohet durim dhe zotësi për t’i ndihmuar të kenë dashurinë, besimin dhe guximin e duhur për të marrë pjesë në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (2 Kor. 4:13; 1 Sel. 2:2) Dëshira jonë për t’i drejtuar studentët do të na nxitë t’i mbështetim kur të bëjnë hapat e parë në shërbimin e krishterë.
5. Si i ndihmon shembulli i mirë studentët të kuptojnë se ç’do të thotë të bësh vullnetin e Perëndisë?
5 Studentët mund të mësojnë nga shembulli ynë edhe në aspekte të tjera të shërbimit dhe jetës së krishterë. Kur vizitoni të sëmurët ose i përshëndetni me ngrohtësi të tjerët në kongregacion, studenti e sheh me sytë e tij dashurinë e treguar me vepra. (Gjoni 15:12) Kur merrni pjesë në pastrimin e Sallës së Mbretërisë ose kur ndihmoni të tjerët, ju po i mësoni si të shërbejnë. (Gjoni 13:12-15) Kur shikojnë se bëni një jetë të thjeshtë, kuptojnë çfarë do të thotë ‘të kërkosh në radhë të parë mbretërinë’.—Mat. 6:33.
6. Çfarë vjen si rrjedhojë kur i ndihmojmë të tjerët t’i shërbejnë Jehovait?
6 Mësimi që u japim të tjerëve për Fjalën e Perëndisë dhe bërja e dishepujve kërkon mjaft përpjekje. Por çfarë gëzimi është të shohësh zemërbutët që «vazhdojnë të ecin në të vërtetën»!—3 Gjon. 4.