Çfarë arrihet me anë të shërbimit tonë?
1. Si e konsideron Jehovai shërbimin tonë dhe si reagojnë njerëzit?
1 Fjala e Perëndisë i përshkruan të krishterët duke marshuar ngadhënjimtarë në shërbim të Jehovait, si një vargan fitimtar. (2 Kor. 2:14-16) Ndërsa u bëjmë të qartë të tjerëve njohurinë e Perëndisë, fryti i buzëve tona është si temjan me aromë të këndshme për Jehovain. Disa njerëz i tërheq kjo aromë e këndshme e lajmit të mirë, kurse të tjerë e hedhin poshtë atë. Megjithatë, reagimi negativ i shumicës së njerëzve nuk do të thotë se vepra jonë s’ka sukses. Le të shohim se çfarë arrihet me anë të shërbimit tonë.
2. Çfarë kemi mundësi të tregojmë me shërbimin tonë?
2 Madhërohet Jehovai: Satanai pretendon se njerëzit i shërbejnë Jehovait për motive egoiste. (Jobi 1:9-11) Shërbimi i krishterë na jep mundësi të tregojmë se përkushtimi ynë ndaj Perëndisë është i sinqertë. Shumë lajmëtarë vazhdojnë t’i binden urdhrit për të predikuar e për të bërë dishepuj, edhe kur kanë rrethana të vështira personale ose kur ndeshen me indiferencën e njerëzve në përgjithësi. Qëndrueshmëria e tyre besnike ia gëzon zemrën Jehovait!—Prov. 27:11.
3. Pse është kaq e rëndësishme të vazhdojmë të bëjmë të njohur emrin dhe qëllimin e Perëndisë?
3 Veç kësaj, shërbimi ynë luan një rol të veçantë në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Në lidhje me shkatërrimin e ardhshëm të botës së Satanait, Jehovai thotë: «Kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» (Ezek. 39:7) Që kombet ta marrin vesh këtë, është thelbësore që shërbëtorët e Perëndisë të vazhdojnë t’ia shpallin emrin dhe qëllimin e tij «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli».—Zbul. 14:6, 7.
4. Si shërben si bazë për gjykim vepra e predikimit?
4 Bazë për gjykim: Predikimi i lajmit të mirë shërben edhe si bazë për gjykim. Apostulli Pavël tha se Krishti Jezu do të sjellë hakmarrjen «mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu». (2 Sel. 1:8, 9) Njerëzit do të gjykohen nga mënyra si i përgjigjen lajmit të mirë. Nga kjo kuptojmë se shërbëtorët e Perëndisë kanë vërtet një përgjegjësi serioze. Që të mos mbajmë faj gjaku, ne nuk duhet të frenohemi, por përkundrazi, ta shpallim mesazhin jetëshpëtues të Mbretërisë.—Vep. 20:26, 27.
5. Si pasqyrohet mëshira e Perëndisë në shërbimin tonë?
5 Përpjekjet tona të vazhdueshme për të ndihmuar të tjerët që të fitojnë miratimin e Jehovait, janë shprehje e mëshirës së tij. (1 Tim. 2:3, 4) Meqenëse rrethanat e njerëzve ndryshojnë vazhdimisht, ne shkojmë herë pas here tek ata dhe i nxitim të kërkojnë Jehovain, ndërsa ka ende kohë. Duke vepruar kështu, pasqyrojmë ‘dhembshurinë e butë të Perëndisë tonë’, i cili «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin».—Luka 1:78; 2 Pjet. 3:9.
6. Si nxjerrim dobi duke u përqendruar në shërbim të Jehovait?
6 Nxjerrim dobi vetë: Përqendrimi në shërbim të Jehovait është një mbrojtje për ne, pasi na ndihmon ‘të mbajmë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’ dhe të mos ndotemi nga sistemi i lig i sotëm. (2 Pjet. 3:11-14; Titit 2:11, 12) Prandaj, le të qëndrojmë ‘të palëkundur e të patundur dhe të kemi gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’, duke e ditur se përpjekjet tona në shërbimin e krishterë nuk janë të kota.—1 Kor. 15:58.