Dita e Jehovait është afër
1 Të krishterët e dëshirojnë me zjarr ardhjen e ditës së Jehovait, kur ai të shkatërrojë sistemin e tanishëm dhe të sjellë një botë të re e të drejtë. (2 Pjet. 3:12, 13) Meqenëse nuk e dimë me saktësi se kur do të vijë ajo ditë, duhet të qëndrojmë gjithmonë vigjilentë dhe të ndihmojmë edhe të tjerët që të jenë po kështu. (Ezek. 33:7-9; Mat. 24:42-44) Meditimi rreth Fjalës profetike të Perëndisë do të na e forcojë bindjen se «dita e madhe e Jehovait është afër».—Sof. 1:14, BR.
2 Marshimi i fuqive botërore: Ashtu siç dokumentohet te Zbulesa 17:9-11, apostulli Gjon përmend ‘shtatë mbretër’, të cilët përfaqësojnë ardhjen e shtatë fuqive botërore njëra pas tjetrës. Gjoni përmend edhe ‘një mbret të tetë’, që në ditët e sotme simbolizon Kombet e Bashkuara. A duhet të presim që në skenë të hyjnë fuqi të tjera botërore? Jo, profecia thotë se ky mbret i tetë «shkon në shkatërrim», dhe më pas nuk përmenden më mbretër të tjerë tokësorë. A ju ndihmon kjo profeci që të kuptoni se në ç’pikë ndodhet njerëzimi në rrjedhën e kohës?
3 Danieli 2:31-45 na ndihmon të kuptojmë ardhjen e ditës së Jehovait. Në këtë profeci, shëmbëlltyra e madhe që sheh Nabukodonosori në ëndërr tregon në mënyrë simbolike ardhjen njëra pas tjetrës të fuqive botërore. Çdonjëra prej këtyre fuqive është shfaqur tashmë. Po tani, në cilin moment të rrjedhës së historisë po jetojmë? Në atë periudhë që simbolizohet nga pjesa e fundit e këmbëve të shëmbëlltyrës. Profecia përshkruan në mënyrë të gjallë se çfarë do të ndodhë më pas. Sundimi njerëzor do të shkatërrohet tërësisht, duke ia lënë kështu vendin ‘një mbretërie që nuk do të shkatërrohet kurrë’. A e kuptoni se si kjo gjë tregon se dita e Jehovait është afër?
4 Prova të tjera: Jemi dëshmitarë okularë të provave të tjera që tregojnë se dita e Jehovait është afër. Shohim përmbushjen e asaj që paratha apostulli Pavël në lidhje me karakteristikat e njerëzve «në ditët e fundit». (2 Tim. 3:1-5) Dhe po marrim pjesë në dëshminë mbarëbotërore që duhet dhënë para se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Le të pasqyrojmë nëpërmjet shërbimit tonë urgjencën e thirrjes së engjëllit: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse ka mbërritur ora e gjykimit prej tij.»—Zbul. 14:6, 7.