Letra nga Dega
Të dashur lajmëtarë të Mbretërisë,
Më 23 gusht 2004 filloi klasa e parë e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në gjuhën shqipe. Kursi 8-javor do të mbarojë më 17 tetor 2004 me ditën e diplomimit. Më shumë se 20 vëllezër beqarë, pleq ose shërbëtorë ndihmës nga Shqipëria dhe Kosova, po stërviten në këtë klasë dhe do të caktohen më pas atje ku nevoja është më e madhe. Presim që vëllezër të tjerë të shprehin dëshirën për të marrë këtë stërvitje të veçantë në klasat e ardhshme, duke plotësuar kështu nevojën për vëllezër të emëruar më të kualifikuar.
Ndërtimi i Bethelit të ri po vazhdon. Ju falënderojmë për bujarinë e jashtëzakonshme që keni treguar, duke dërguar sende me vlerë dhe kontribute në para, ashtu siç ju inkurajonte letra e datës 1 maj 2004, drejtuar kongregacioneve. Kontributet tuaja nga zemra dhe vlerësimi që keni treguar për gjërat e shenjta, do të shpërblehen së tepërmi nga Jehovai. (2 Kor. 9:6, 7) Ju kujtojmë që mund të vazhdoni t’i dërgoni Zyrës së Degës këto kontribute të veçanta.
Periudha e Përkujtimit ishte një kohë me aktivitete të zellshme në territorin që mbikëqyr dega. Në Shqipëri, në muajin prill kishte 635 pionierë ndihmës dhe në Darkën e Zotërisë ishin të pranishëm 15.412 veta, një maksimum i ri. Kosova pati një maksimum prej 22 pionierësh ndihmës në mars dhe 534 të pranishëm në Përkujtim.
Së bashku me ju, presim me padurim të kemi «gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë» gjatë vitit të shërbimit 2005.—1 Kor. 15:58.
Vëllezërit tuaj,
Zyra e Degës në Shqipëri