Mund ta kryejmë atë që kërkon Jehovai
1. Me cilat ndjenja duhet të luftojmë disa herë dhe përse?
1 Zbatimi i ligjeve dhe i parimeve të Jehovait është mënyra më e mirë për të jetuar sot dhe na ndihmon që të vëmë një themel të shkëlqyer për një të ardhme të përhershme. (Psal. 19:7-11; 1 Tim. 6:19) Gjithsesi, bota e Satanait na bën shumë presione. Natyra jonë e papërsosur e keqëson edhe më shumë gjendjen. Nganjëherë mund të ndihemi të mbingarkuar kur përpiqemi të përmbushim përgjegjësitë biblike që kemi. (Psal. 40:12; 55:1-8) Madje ndoshta pyesim veten nëse mund të kryejmë dot gjithçka që kërkon Jehovai prej nesh. Çfarë mund të na ndihmojë në këto raste që të mbajmë ekuilibrin frymor?
2. Si tregohet i arsyeshëm Jehovai në atë që pret nga ne?
2 Urdhërimet e Jehovait nuk janë të rënda: Jehovai nuk na bën kurrë kërkesa të paarsyeshme. Urdhërimet e tij nuk janë të rënda, por janë për të mirën tonë. (Ligj. 10:12, 13; 1 Gjon. 5:3) Ai merr parasysh dobësitë tona njerëzore, ‘duke mos harruar që jemi pluhur’. (Psal. 103:13, 14) Me mëshirë Perëndia pranon përpjekjet më të mira që bëjmë për t’i shërbyer, edhe sikur këto të jenë të kufizuara për shkak të rrethanave tona. (Lev. 5:7, 11; Mar. 14:8) Ai na fton që t’i hedhim mbi të barrët tona dhe na siguron se do të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë.—Psal. 55:22; 1 Kor. 10:13.
3. Si na forcon Jehovai që të tregojmë qëndrueshmëri?
3 Nevoja për qëndrueshmëri: Tregimet biblike për njerëz që mbajtën integritetin, siç ishin Elija, Jeremia dhe Pavli, na bëjnë të qartë nevojën për qëndrueshmëri. (Hebr. 10:36) Jehovai i mbështeti ata kur kishin vështirësi dhe kur ishin të shkurajuar. (1 Mbret. 19:14-18; Jer. 20:7-11; 2 Kor. 1:8-11) Edhe besnikëria e vëllezërve tanë në kohët e sotme na frymëzon. (1 Pjet. 5:9) Meditimi rreth këtyre shembujve mund të na ndihmojë që të mos na lëshojë zemra.
4. Pse është e rëndësishme t’i mbajmë gjithnjë në mendje premtimet e Perëndisë?
4 Shpresa te premtimet e Perëndisë është «një spirancë për shpirtin». (Hebr. 6:19) Shpresa e nxiti Abrahamin dhe Sarën që të pranonin kërkesën e Jehovait për të ikur nga shtëpia e tyre dhe ‘për të banuar si të ardhur në tokën e premtimit’. I dha fuqi Moisiut që të mbante qëndrim të patundur për të mbrojtur adhurimin e vërtetë. E forcoi Jezuin që të duronte shtyllën e torturës. (Hebr. 11:8-10, 13, 24-26; 12:2, 3) Po ta mbajmë të gjallë në zemër premtimin e Perëndisë për një botë të re të drejtë, edhe ne do të qëndrojmë të palëkundur.—2 Pjet. 3:11-13.
5. Pse mund të na inkurajojë meditimi për rastet e kaluara kur kemi vepruar me besnikëri?
5 Edhe po të kujtojmë rastet kur ne vetë në të kaluarën kemi vepruar me besnikëri, vetëmohim dhe guxim, kjo mund të na japë energji në shërbim. (Hebr. 10:32-34) Do të na kujtojë gëzimin që provojmë kur i japim Jehovait atë që kërkon prej nesh, domethënë përkushtimin me gjithë shpirt.—Mat. 22:37.