Të vazhdojmë të flasim për veprat e mrekullueshme të Jehovait
1. Cilat vepra të mrekullueshme të Jehovait çmoni në mënyrë të veçantë?
1 Askush s’mund të krahasohet me Perëndinë tonë madhështor, Jehovain. Davidi shkroi: «Shumë mrekulli bëre, o Zot, Hyji ynë, të mrekullueshme janë qëllimet e tua me ne: nuk gjendet një tjetër i ngjashëm me ty.» (Psal. 40:5, DSF) Mrekullitë ose veprat e mrekullueshme të Jehovait përfshijnë krijimin e universit, Mbretërinë mesianike, aktet e dashamirësisë ndaj popullit të tij dhe fushatën mbarëbotërore të predikimit. (Psal. 17:7, 8; 139:14; Dan. 2:44; Mat. 24:14) Dashuria për Jehovain dhe çmueshmëria për gjithçka që ka bërë na shtyjnë t’u flasim të tjerëve për të. (Psal. 145:5-7) Gjatë muajve mars, prill e maj do të kemi mundësi ta bëjmë edhe më shumë këtë.
2. Si nxjerrim dobi ne vetë duke shërbyer si pionierë ndihmës?
2 Si pionierë ndihmës: A mund ta rregullosh programin që të kalosh 50 orë në shërbim për një ose për disa nga këta muaj me veprimtari të veçantë? Patjetër që çfarëdo rregullimi të bësh në programin tënd do t’ia vlejë. (Efes. 5:16) Shumë veta kanë parë se shërbimi si pionierë ndihmës i ndihmon të përmirësojnë cilësinë e shërbimit. Ndihen më të lirshëm kur janë duke predikuar shtëpi më shtëpi dhe e përdorin më shumë Biblën. Ngaqë kalojnë më shumë kohë në shërbim e kanë më të lehtë të ndjekin interesin që gjejnë, kështu që disa të cilët më përpara s’kishin studime biblike kanë filluar një të tillë kur ishin pionierë ndihmës. Shërbimi si pionier ndihmës është një aktivitet i gëzuar sepse përfshin përpjekjet për të ndihmuar të tjerët.—Vep. 20:35.
3. Çfarë kanë bërë disa për të shërbyer si pionierë ndihmës, edhe pse kishin rrethana të vështira?
3 Mos nxirr menjëherë përfundimin se rrethanat nuk të lejojnë të jesh edhe ti pionier ndihmës. Një plak që shërbeu si pionier ndihmës vitin e kaluar është baba i dy fëmijëve dhe ka një punë 8-orëshe. Si ia doli mbanë ky vëlla i zënë me punë? Meqë gjatë javës punon, u organizua që të kalonte shumë kohë në shërbim në fundjavë, duke filluar me dëshminë rrugore në orën 7.00 të mëngjesit të shtunave. Në kongregacionin e tij kishte edhe disa të tjerë me rrethana të ngjashme që shërbyen po ashtu si pionierë, duke mbështetur e duke nxitur njëri-tjetrin. Në një kongregacion tjetër, një motër 99-vjeçare vendosi të shërbente si pioniere në maj, pasi e bija e kishte ftuar të bashkohej me të. Pjesëtarët e kongregacionit e ndihmuan këtë motër të moshuar duke e shtyrë në një karrocë invalidësh që të shkonte nga shtëpia në shtëpi dhe në studime biblike. Jepte edhe dëshmi me telefon, dëshmi rrugore dhe dëshmi me letra. Kjo motër është e bindur se këtë nuk e arriti me forcat e saj, por vetëm me ndihmën e Jehovait.—Isa. 40:29-31.
4. Çfarë faktorësh mund të marrim parasysh kur bëjmë programin për të shërbyer si pionierë ndihmës?
4 Përpiqu të hedhësh në letër një program që u përshtatet rrethanave të tua. Mund të të bëjnë punë programet model që janë paraqitur këtu. A ke një punë 8-orëshe apo je në shkollë? Atëherë programi më praktik për ty do të ishte të shfrytëzoje kryesisht fundjavët. Në qoftë se ke probleme shëndetësore dhe nuk ke forca për të qëndruar gjatë në shërbim, më i miri mund të jetë një program që të lejon të kalosh nga pak kohë çdo ditë në shërbim. Thuaju të tjerëve se dëshiron të shërbesh si pionier ndihmës. Ndoshta edhe ata do ta vënë si synim këtë për veten e tyre.
5. Çfarë synimesh mund të vënë fëmijët për muajt mars, prill dhe maj?
5 Mënyra në të cilat mund të marrin pjesë edhe fëmijët: Jehovai kënaqet kur të vegjlit flasin për veprat e tij të mrekullueshme. (Psal. 71:17; Mat. 21:16) Në qoftë se je i vogël në moshë dhe je i pagëzuar, ndoshta mund të shërbesh si pionier ndihmës në ndonjë nga muajt që ka ditë pushimi nga shkolla. Po qe se nuk shërben dot si pionier ndihmës, a mund të vësh synime të qarta që të shtosh kohën dhe të përmirësosh cilësinë e shërbimit gjatë këtyre muajve? Në rast se deri tani ke dalë në shërbim bashkë me prindërit, por nuk je ende lajmëtar i papagëzuar, tani do të ishte koha e duhur për të parë nëse kualifikohesh si lajmëtar. S’ke pse të mendosh që duhet të jesh specialist për t’iu përgjigjur pyetjeve të Biblës ose që duhet të dish aq sa dinë edhe të rriturit që janë të pagëzuar. A i kupton mësimet themelore të Biblës? A u përmbahesh normave morale të Biblës? A dëshiron të të njohin si Dëshmitar të Jehovait? Atëherë, fol me prindërit për këtë. Ata mund të vendosin të shkojnë te pleqtë bashkë me ty, për të parë nëse i plotëson kërkesat.—Shih librin Të organizuar, faqet 98, 99.
6. Si mund t’i ndihmojmë studentët e Biblës që të bëhen lajmëtarë të lajmit të mirë?
6 Të ndihmojmë të tjerët të predikojnë: Studentët e Biblës që po bëjnë përparim mund të kualifikohen për të na shoqëruar ne lajmëtarëve gjatë këtyre muajve me veprimtari të veçantë. Në qoftë se ke një student të Biblës që po bën përparim, kërko ndihmën e mbikëqyrësit të studimit të librit ose të mbikëqyrësit të shërbimit. Njëri prej tyre mund të të shoqërojë në studim për të parë përparimin e studentit. Nëse studenti kualifikohet dhe dëshiron të bëhet lajmëtar, mbikëqyrësi drejtues mund të marrë masa që dy pleq të takohen me ty dhe me studentin. (Shih Kullën e Rojës, 15 nëntor 1988, faqja 17, anglisht.) Pasi studenti të miratohet, fillo ta stërvitësh menjëherë në shërbim.
7. Ç’ndihmë mund t’u jepet lajmëtarëve joaktivë ose të parregullt?
7 Çdo mbikëqyrës i studimit të librit duhet t’u kushtojë vëmendje të veçantë atyre që janë joaktivë ose të parregullt në grup. Bëju ftesë personalisht që të dalin në shërbim me ty. Në qoftë se kanë shumë kohë që janë joaktivë, është e këshillueshme që së pari dy pleq të flasin me ta, për të parë nëse kualifikohen. (Shih «Kutia e pyetjes», te Shërbimi ynë i Mbretërisë, nëntor 2000.) Zelli i kongregacionit gjatë këtyre muajve me veprimtari të veçantë mund t’i nxitë që të fillojnë të dalin përsëri rregullisht në shërbim.
8, 9. Ç’mund të bëjnë pleqtë për të nxitur entuziazmin për këtë veprimtari të veçantë?
8 Të përgatitemi tani për më shumë veprimtari: Pleq, filloni që tani të nxitni në kongregacion entuziazmin për shërbimin si pionierë ndihmës. Mund t’i inkurajoni shumë të tjerët me komentet tuaja pozitive dhe me shembullin tuaj të mirë. (1 Pjet. 5:3) Cili ka qenë maksimumi i mëparshëm i pionierëve ndihmës në kongregacion? A mund ta kalojmë këtë vit numrin? Mbikëqyrësit e studimit të librit dhe ndihmësit e tyre duhet të kërkojnë mënyra për të inkurajuar të gjithë grupin që të shtojnë veprimtaritë e tyre. Mbikëqyrësit e shërbimit mund të programojnë mbledhje të tjera për shërbim. Njoftojeni që më përpara kongregacionin për masat që merren. Sigurohuni që të caktohen lajmëtarë të aftë për të marrë drejtimin dhe që mbledhjet për shërbim të fillojnë e të përfundojnë në orar. (Shih «Kutia e pyetjes», te Shërbimi ynë i Mbretërisë, shtator 2001.) Po ashtu, mbikëqyrësi i shërbimit duhet të marrë masa që të ketë mjaft territore, revista dhe literaturë tjetër.
9 Vitin e kaluar, në një kongregacion pleqtë filluan që më përpara dhe me entuziazëm t’i nxitnin lajmëtarët që të shërbenin si pionierë ndihmës, kështu që disa prej tyre bënë kërkesën. Ata morën masa që të kishte mbledhje të tjera për shërbim: një në orën 5.30 të mëngjesit për dëshmi rrugore, një tjetër në orën 3.00 pasdite për ata që dilnin nga shkolla, dhe një në orën 6.00 pasdite për ata që dilnin nga puna. Veç kësaj, të shtunave u caktuan tri mbledhje për shërbim. Rezultati ishte që në kongregacion 66 veta shërbyen si pionierë ndihmës në muajin prill.
10. Si mund të përgatiten familjet për të shtuar veprimtaritë e tyre?
10 Në studimin familjar që do të bëni këtë javë, pse të mos lini ca kohë që të diskutoni për synimet realiste që mund të vini për muajt në vijim? Me bashkëpunim dhe planifikim të mirë, mund të shërbejnë si pionierë ndihmës disa nga familja, ose edhe e gjithë familja. Në qoftë se kjo nuk është e mundur, vini si synim që të shtoni veprimtaritë duke qëndruar më shumë në shërbim ose duke dalë më shpesh. Lutuni për këtë si familje. Të jeni të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tuaja.—1 Gjon. 3:22.
11. (a) Cilat gjëra të mrekullueshme u arritën falë flijimit të Krishtit? (b) Kur dhe ku do të kremtohet Përkujtimi në zonën tuaj?
11 Vepra më e mrekullueshme e Perëndisë: Shprehja më e madhe e dashurisë së Jehovait është dhurata që na ka bërë duke dhënë Birin e tij si shpërblesë për ne. (1 Gjon. 4:9, 10) Flijimi shpërblyes përbën bazën ligjore për ta riblerë njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. (Rom. 3:23, 24) Me anë të gjakut të derdhur të Jezuit u shpall e vlefshme besëlidhja e re, duke u dhënë mundësi njerëzve të papërsosur të adoptohen si bij të Perëndisë me shpresën për të sunduar në Mbretërinë qiellore. (Jer. 31:31-34; Mar. 14:24) Ç’është më e rëndësishmja, bindja e përsosur që tregoi gjithnjë Jezui shenjtëroi emrin e Jehovait. (Ligj. 32:4; Prov. 27:11) Të dielën më 4 prill, pas perëndimit të diellit, në gjithë botën do të kremtohet Përkujtimi i vdekjes së Krishtit.
12. Ç’dobi mund të kenë njerëzit e interesuar po të ndjekin kremtimin e Darkës së Zotërisë?
12 Kremtimi i Darkës së Zotërisë lartëson veprat e mrekullueshme të Jehovait. Fjalimi do të na shtojë çmueshmërinë për atë që bëri Jehovai duke siguruar shpërblesën. Të interesuarit që do të jenë të pranishëm do të kenë mundësi të vënë re vepra të tjera të mrekullueshme të Perëndisë. Do të mund të shohin unitetin dhe dashurinë e përzemërt që Jehovai u ka mësuar shërbëtorëve të tij të tregojnë. (Efes. 4:16, 22-24; Jak. 3:17, 18) Ndjekja e këtij rasti të rëndësishëm mund të ndikojë shumë në mënyrën si mendon një njeri, prandaj duam që të jenë të pranishëm sa më shumë që të jetë e mundur.—2 Kor. 5:14, 15.
13, 14. Kë duhet të ftojmë për Përkujtimin dhe si?
13 T’i ftojmë të tjerët: Fillo të përgatitesh menjëherë duke bërë një listë të atyre që duhen ftuar. Në listë duhet të përfshish familjarët jobesimtarë, fqinjët, të njohurit nga puna ose nga shkolla, studentët e Biblës që ke tani e që ke pasur më parë, si edhe gjithë rivizitat që ke. Mbikëqyrësit e studimit të librit duhet të përfshijnë në listë lajmëtarët joaktivë.
14 Përdor ftesat për Përkujtimin dhe shkruaj me makinë shkrimi ose me shkrim dore të rregullt e të pastër, orën dhe vendin kur do të mbahet Përkujtimi. Ose, nëse dëshiron, mund të përdorësh ftesën që gjendet në faqen e fundit të Kullës së Rojës të 15 marsit 2004 ose të Zgjohuni! të 22 marsit 2004. Me afrimin e datës 4 prill, kujtoji edhe një herë ata që ke në listë, duke i takuar vetë ose duke i marrë në telefon.
15. Si mund të tregojmë mikpritje mbrëmjen e Përkujtimit?
15 Në Përkujtim: Mbrëmjen e Përkujtimit, përpiqu të vish herët në sallë. Trego mikpritje duke i përshëndetur me përzemërsi ata që kanë ardhur për herë të parë. (Rom. 12:13) Ke një përgjegjësi të veçantë ndaj atyre që ke ftuar ti. Bëji të ndihen të mirëpritur dhe prezantoji me të tjerët në kongregacion. Ndoshta mund t’i ndihmosh që të ulen afër teje. Në qoftë se ndonjëri prej tyre nuk ka Bibël ose librin e këngëve, merr masa që të lexojnë bashkë me ty ose me dikë tjetër. Pas Përkujtimit, qëndro aty për t’iu përgjigjur ndonjë pyetjeje që mund të kenë. Po qe se disa prej tyre janë për herë të parë aty, pyeti nëse do të donin të mësonin më shumë për Fjalën dhe për qëllimin e Perëndisë. Tregoju për studimin e Biblës dhe thuaju se mund të filloni një të tillë së bashku.
16. Ç’mund të bëhet për t’i ndihmuar ata që kanë qenë të pranishëm të bëjnë përparim frymësisht?
16 Të vazhdojmë t’i ndihmojmë ata që kanë qenë të pranishëm: Në javët pas Përkujtimit, ata që kanë qenë të pranishëm mund të kenë nevojë për ndihmë të mëtejshme. Këtu përfshihen edhe ata që më parë i ndiqnin rregullisht mbledhjet, por tani shoqërohen pak me kongregacionin. Pleqtë do të tregohen vigjilentë që këta persona të mos lihen pas dore e do të përpiqen të përcaktojnë pse nuk bënë më përparim frymësisht. Ngulitni tek ata urgjencën e kohëve. (1 Pjet. 4:7) Ndihmojini të gjithë të kuptojnë sa e dobishme është t’i bindemi nxitjes biblike për t’u mbledhur rregullisht me popullin e Perëndisë.—Hebr. 10:24, 25.
17. Pse duhet të vazhdojmë të flasim për veprat e mrekullueshme të Jehovait?
17 Veprat e Jehovait janë tepër të mrekullueshme që të arrijmë t’i kuptojmë plotësisht, edhe sikur të jetojmë përgjithmonë. (Jobi 42:2, 3; Ekl. 3:11) Prandaj, asnjëherë s’do të na mungojnë gjërat për të cilat ta lavdërojmë Jehovain. Në këtë periudhë të Përkujtimit mund ta tregojmë çmueshmërinë për veprat e mrekullueshme të Jehovait duke bërë përpjekje të veçanta për të zgjeruar shërbimin.
[Tabela në faqen 5]
A mund të përdorësh një nga këto programe për të shërbyer si pionier ndihmës?
Mars H* M* M* E P SH D Gjithsej
Çdo ditë 1 1 1 1 1 5 2 51
Dy ditë 5 0 5 0 0 0 0 50
Vetëm fundjavët 0 0 0 0 0 8 5 52
Fundjavët dhe
dy ditë të javës 0 0 2 0 2 6 2 50
Prill H M M E* P* SH D Gjithsej
Çdo ditë 1 1 1 1 1 5 2 50
Dy ditë 0 0 0 5 5 0 0 50
Vetëm fundjavët 0 0 0 0 0 8 5 52
Fundjavët dhe
dy ditë të javës 0 0 2 0 2 6 2 50
Maj H* M M E P SH* D* Gjithsej
Çdo ditë 1 1 1 1 1 4 2 51
Dy ditë 5 0 0 0 0 5 0 50
Vetëm fundjavët 0 0 0 0 0 7 3 50
Fundjavët dhe
dy ditë të javës 0 0 2 0 2 5 2 51
* Pesë në muaj