Të vazhdojmë të shikojmë me kujdes se si e përdorim kohën
1. Çfarë sfide hasin njerëzit kudo sot?
1 Në epokën tonë kur kemi shumë mjete të projektuara për të na kursyer kohë dhe përpjekje, shumë njerëzve u duket sikur kanë më tepër gjëra për të bërë e më pak kohë për t’i bërë ato. A ju duket e vështirë të mbani një program të mirë frymor? A do të donit të kishit më shumë kohë për të dalë në shërbim? Si mund ta përdorim sa më mirë kohën tonë?—Psal. 90:12; Filip. 1:9-11.
2, 3. Çfarë sfide paraqet teknologjia e informacionit dhe si mund të bëjë një vetëshqyrtim secili prej nesh?
2 Të kuptojmë cilat gjëra na bëjnë të humbim kohë: Që të gjithë herë pas here duhet të shqyrtojmë se si e përdorim kohën. Bibla na nxit: «Vazhdoni të shikoni . . . me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efes. 5:15, 16) Të mendojmë për sfidat që paraqesin përparimet në teknologjinë e informacionit. Vërtet që kompjuterët dhe pajisjet e tjera elektronike mund të përdoren për gjëra të vlefshme, por mund të kthehen edhe në grackë nëse nuk jemi vigjilentë se si po e përdorim kohën.—1 Kor. 7:29, 31.
3 Secili nga ne duhet të pyesë veten: ‘A kaloj kohë çdo ditë duke lexuar ose duke iu përgjigjur mesazheve të postës elektronike që s’janë të rëndësishme? A më ndodh shpesh të bëj telefonata ose të shkruaj mesazhe në celular për gjëra të vogla? (1 Tim. 5:13) A më ndodh që të kaloj kohë në Internet pa ndonjë qëllim ose të kaloj nga një kanal në tjetrin në televizor, ashtu kot? A ka filluar të më pengojë në studimin e Fjalës së Perëndisë interesimi për lojërat elektronike?’ Veprimtari të tilla mund të na e shkatërrojnë pa e kuptuar gjendjen frymore.—Prov. 12:11.
4. Çfarë ndryshimesh bëri një i ri, dhe pse?
4 Ta përdorim kohën me mençuri: Pajisjet elektronike zakonisht kërkojnë kohë dhe vëmendje. Një i ri që kishte filluar të luante shumë me lojëra në kompjuter pranoi: «Nganjëherë kur luaja në kompjuter para se të dilja në shërbim ose të shkoja në një mbledhje të krishterë, e kisha të vështirë të përqendrohesha. Pothuajse gjatë gjithë kohës e kisha mendjen se si ta bëja më mirë lojën kur të kthehesha në shtëpi. Kjo ndikoi për keq edhe te studimi personal e te leximi i rregullt i Biblës. Filloi të më zbehej gëzimi në shërbimin ndaj Perëndisë.» Duke e kuptuar se duhej të bënte ndryshime, ai i fshiu të gjitha lojërat që kishte në kompjuter. «Kjo ishte vërtet e vështirë për mua,—kujton ai.—Isha i dhënë pas lojërave më tepër nga ç’e mendoja. Por pata edhe një ndjenjë fitoreje, sepse e dija që e kisha bërë për të mirën time.»—Mat. 5:29, 30.
5. Si mund të blejmë kohë për gjërat frymore, dhe ç’dobi do të nxjerrim nga kjo?
5 Mund të jetë e nevojshme të merrni masa të tilla, nëse ka aspekte ku e shihni se duhen bërë ndryshime. A mund të ‘blini’ gjysmë ore çdo ditë duke ia hequr veprimtarive që s’janë të rëndësishme? Kjo është pak a shumë koha që na nevojitet për ta mbaruar së lexuari Biblën brenda një viti. Sa do të na ndërtonte frymësisht një gjë e tillë! (Psal. 19:7-11; 119:97-100) Përcaktoni një kohë të veçantë për të lexuar Biblën, për t’u përgatitur për mbledhje e për në shërbim. (1 Kor. 15:58) Kjo do t’ju ndihmojë t’i mbani nën kontroll gjërat që ju bëjnë të humbni kohë dhe ‘të vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait’.—Efes. 5:17.