Kutia e pyetjes
◼ Si duhet ta konsiderojmë pjesëmarrjen në një dasmë kur çifti ende nuk është celebruar, domethënë kur s’është martuar ligjërisht?
Dasmat bëhen për të festuar fillimin e një jete të re për një burrë e një grua, si çift i martuar. Në Shqipëri dhe në Kosovë ligji kërkon që martesat të regjistrohen në gjendjen civile, që të jenë të ligjshme. Me fjalë të tjera, çifti duhet të bëjë celebrimin. Shumë njerëz e bëjnë celebrimin përpara se të bëjnë dasmën. Kështu bëjnë të gjithë shërbëtorët e Jehovait. Megjithatë, disa njerëz që nuk i shërbejnë Jehovait bëjnë dasmë kur nuk janë martuar ligjërisht, d.m.th. kur nuk e kanë bërë celebrimin. Pastaj kalojnë muaj para se të celebrohen. Të tjerë presin derisa të bëhen me fëmijë.
Shërbëtorët e Jehovait u përmbahen normave të Tij të larta morale dhe u binden ligjeve të shtetit. (Rom. 13:1) Edhe pse disa çifte ndjekin traditën, duke bërë dasmë pa u regjistruar në gjendjen civile, shërbëtorët e Jehovait duhet të kenë kujdes që të mos tregojnë se e miratojnë një lidhje të tillë.
Në përgjithësi, nuk është e mençur që shërbëtorët e Jehovait të shkojnë në mbrëmje, festa ose gosti që i organizojnë njerëzit e botës, qoftë edhe kur kanë lidhje gjaku me ta. (1 Kor. 15:33) Kjo është e vërtetë sidomos kur përfshihen festime, në të cilat mund të hahet ose pihet me tepri. (Prov. 23:20) Ne i nxitim të rinjtë të mos shkojnë në festat ose mbrëmjet që bën bota. (g96 tetor-dhjetor f. 9) Sigurisht që kjo këshillë vlen edhe për të rriturit.
Në rast se festa bëhet për të nderuar një çift që ende nuk janë martuar ligjërisht, por planifikojnë të jetojnë si burrë e grua, kjo është një arsye e mëtejshme për të mos shkuar. Në botën ku jetojmë, shpesh është e pamundur të mos kemi të bëjmë me njerëz që bëjnë një jetë imorale. (1 Kor. 5:9, 10) Megjithatë, do të ishte kontradiktore që një i krishterë i pagëzuar të merrte pjesë në një dasmë, e cila nderon një çift që ka ndër mend të jetojë në kurvëri, kur na thuhet ‘të ikim nga kurvëria’. (1 Kor. 6:18) Kur studimi arrin në njëfarë pike, i inkurajojmë studentët e Biblës që të rrinë larg nga çdo papastërti dhe u shpjegojmë se Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit. (Hebr. 13:4) Nuk do të kishim liri fjale, nëse nga njëra anë e dënojmë kurvërinë, kurse nga ana tjetër shkojmë në dasma dhe nderojmë një lidhje që është imorale në sytë e Jehovait.
Të njohurit ose të afërmit nga bota mund të ngulin këmbë në opinionet e tyre nëse është e pranueshme apo jo një dasmë e tillë për zonën. Pavarësisht nga kjo, ne si shërbëtorë të Jehovait duhet t’i kemi të qarta në mendje këto pika kur na ftojnë në një dasmë, duke mos harruar se jemi përfaqësuesit e Tij dhe pasqyrojmë pastërtinë e tij morale.—1 Pjet. 1:15.