Jini të zellshëm ‘duke dhënë dëshmi të plotë’
1, 2. Çfarë ju bën përshtypje nga mënyra si e shihte Pavli predikimin e lajmit të mirë, dhe si mund ta imitojmë shembullin e tij ‘duke dhënë dëshmi të plotë’?
1 Ashtu si Jezui dhe shumë shërbëtorë të tjerë besnikë të lashtësisë, apostulli Pavël ishte një predikues i zellshëm i lajmit të mirë, ‘duke dhënë dëshmi të plotë’ pavarësisht nga rrethanat. Edhe pse ishte në arrest shtëpie, «priste me dashamirësi të gjithë ata që vinin tek ai, duke u predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar me çiltërsinë më të madhe të fjalës, pa u penguar, gjërat për Zotërinë Jezu Krisht».—Vep. 28:16-31.
2 Edhe ne mund të jemi të zellshëm ‘duke dhënë dëshmi të plotë’ në çdo kohë. Kjo përfshin t’u dëshmojmë njerëzve që takojmë kur shkojmë në Kongresin Krahinor «Jepini lavdi Perëndisë» dhe kur kthehemi nga ai, si dhe ndërsa qëndrojmë në qytetin që na mikpret.—Vep. 28:23; Psal. 145:10-13.
3. Çfarë mund të bëjmë që dëshmia joformale të mos jetë vetëm një përpjekje e rastësishme?
3 Dëshmi e rastësishme apo joformale? A ka ndonjë ndryshim? Po. Diçka e rastësishme ndodh krejt papritur ose pa qëllim, sikur të ishte e paplanifikuar ose si të kishte pak rëndësi. Ky përkufizim sigurisht që nuk përshkruan shërbimin tonë. Njësoj si Pavli, për ne është e rëndësishme t’i japim lavdi Perëndisë me anë të dëshmisë sonë. Edhe në verë, gjatë udhëtimeve tona, duhet të kemi si synim të dëshmojmë kudo që është e përshtatshme. Megjithatë, mënyra si u afrohemi të tjerëve mund të quhet me të drejtë joformale, domethënë e lirshme, miqësore dhe e natyrshme. Duke bërë kështu mund të kemi rezultate të mira.
4. Çfarë i dha mundësi Pavlit të dëshmonte në vendin ku rrinte?
4 Përgatituni të jepni dëshmi: Pavli duhej të krijonte mundësi për të dhënë dëshmi gjatë arrestit në shtëpi në Romë. Nga vendi ku rrinte, mori iniciativën t’i ftonte në shtëpi udhëheqësit judenj të atij vendi. (Vep. 28:17) Ndonëse në Romë ishte një kongregacion i krishterë, Pavli mësoi se komuniteti jude i këtij qyteti kishte pak informacion të drejtpërdrejtë për besimin e krishterë. (Vep. 28:22; Rom. 1:7) Ai nuk ngurroi ‘të jepte dëshmi të plotë’ për Jezu Krishtin dhe Mbretërinë e Perëndisë.
5, 6. Çfarë rastesh mund të kemi për të dhënë dëshmi joformale dhe çfarë përgatitjesh mund të bëjmë që të jemi të efektshëm?
5 Mendoni për gjithë njerëzit që mund t’u flitni gjatë udhëtimeve. Ata kanë vetëm një njohuri të cekët për Dëshmitarët e Jehovait. Madje ndoshta as nuk e dinë që ofrojmë studime biblike pa pagesë në shtëpi. Jini syçelë ndaj mundësive për t’u dëshmuar atyre që takoni kur udhëtoni, ndaloni për të pushuar, furnizoheni me karburant, bëni pazarin, qëndroni në hotel, hani në restorant, udhëtoni me mjetet e transportit publik, e kështu me radhë. Vendosni që më përpara se çfarë do të thoni për të filluar bisedën dhe për të dhënë një dëshmi të shkurtër. Ndoshta në ditët që vijnë mund të ushtroheni duke u dhënë dëshmi joformale fqinjëve, të afërmve, shokëve të punës dhe të njohurve të tjerë.
6 Duhet të keni me vete botime për t’i përdorur kur jepni dëshmi joformale. Cilat janë këto? Mund të përdorni fletushkën A dëshiron të dish më shumë për Biblën? Theksoni pesë paragrafët e parë, ku jepen arsye të ndryshme për ta lexuar Biblën. Tregoni kuponin prapa për kërkesën e një studimi biblik pa pagesë në shtëpi. Kur gjeni dikë që pranon, jepini broshurën Çfarë kërkon? Në rast se udhëtoni me makinë, mund të merrni me vete edhe disa botime të tjera bazë për ata që tregojnë interes të sinqertë në lidhje me mesazhin e Mbretërisë.
7, 8. Cilit paralajmërim duhet t’i vëmë veshin në lidhje me paraqitjen e sjelljen tonë kur udhëtojmë dhe në kohën e lirë?
7 Kushtojini vëmendje paraqitjes dhe sjelljes tuaj: Duhet të sigurohemi që sjellja, si edhe veshja e krehja jonë të mos u japë të tjerëve një përshtypje të gabuar ose të mos bëjë që të tjerët ‘të flasin kundër’ organizatës së Jehovait. (Vep. 28:22) Kjo vlen jo vetëm kur ndjekim kongresin, por edhe kur udhëtojmë dhe gjatë kohës së lirë. Kulla e Rojës, 1 gusht 2002, faqja 18, paragrafi 14, paralajmëronte: «Paraqitja jonë e jashtme nuk duhet të jetë gjëja e parë që bie në sy, nuk duhet të jetë e çuditshme, provokuese, të zbulojë pjesë të papërshtatshme të trupit ose të tregojë se jemi shumë të dhënë pas modës. Veç kësaj, duhet të vishemi në një mënyrë që tregon ‘nderim të thellë për Perëndinë’. Kjo gjë na bën të mendohemi, apo jo? Puna nuk është vetëm që të vishemi në mënyrë të përshtatshme kur ndjekim mbledhjet e kongregacionit [ose sesionet e kongresit] e pastaj të jemi të shkujdesur në rastet e tjera. Paraqitja jonë e jashtme duhet të pasqyrojë gjithnjë një qëndrim plot nderim për Perëndinë, sepse jemi të krishterë dhe shërbëtorë 24 orë në ditë.»—1 Tim. 2:9, 10.
8 Duhet të vishemi me modesti dhe dinjitet. Nëse paraqitja dhe sjellja jonë pasqyrojnë gjithmonë besimin që kemi te Perëndia, kurrë nuk do të ndihemi në siklet për të dhënë dëshmi joformale ngaqë nuk kemi një paraqitje të përshtatshme.—1 Pjet. 3:15.
9. Çfarë suksesi pati Pavli kur dha dëshmi në Romë?
9 Dëshmia joformale jep fryt: Gjatë dy vjetëve që Pavli ishte në arrest shtëpie në Romë, ai pa rezultatet e mira që dhanë përpjekjet e tij për të dëshmuar. Luka tregoi se «disa filluan t’i besonin gjërat që thuheshin». (Vep. 28:24) Vetë Pavli e vlerësoi efektshmërinë ‘e dhënies së dëshmisë së plotë’ kur shkroi: «Ato që më kanë ndodhur mua, kanë dalë për përparimin e lajmit të mirë, në vend që për diçka tjetër, aq sa vargonjtë e mi janë bërë publikisht të njohur në lidhje me Krishtin ndër të gjithë Gardën Pretoriane e mes gjithë të tjerëve; dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotërinë, duke u ndier të sigurt për shkak të vargonjve të mi, janë duke shfaqur edhe më shumë kurajë për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë.»—Filip. 1:12-14.
10. Çfarë suksesi pati një çift kur dha dëshmi verën që shkoi?
10 Verën që shkoi, pasi ndoqi ditën e parë të kongresit krahinor, një çift pati një përvojë të suksesshme kur i dha dëshmi joformale një kameriereje që i pyeti për distinktivët e kongresit. Të dy i folën për kongresin dhe përveç kësaj i treguan për shpresën që jep Bibla në lidhje me të ardhmen e njerëzimit. I dhanë fletushkën A dëshiron të dish më shumë për Biblën? dhe i shpjeguan si bëhet një studim biblik pa pagesë në shtëpi. Gruaja u tha se dëshironte ta vizitonte dikush. Shkroi emrin dhe adresën prapa fletushkës e i kërkoi çiftit që t’i bënin një vizitë në shtëpi. Çfarë suksesi mund të arrini këtë vit, duke qenë të zellshëm në ‘dhënien e dëshmisë së plotë’?
11. Çfarë cilësish duhet të zhvillojmë për të çuar përpara lajmin e mirë këtë verë duke ‘dhënë dëshmi të plotë?
11 Të çojmë plotësisht përpara lajmin e mirë: Merrni me mend sa i lumtur ndihej Pavli kur dëgjoi se të bashkëkrishterët po imitonin zellin e tij! Vazhdofshim të bëjmë gjithçka që mundemi për të çuar përpara lajmin e mirë, duke dhënë dëshmi joformale për bindjet tona të bazuara në Bibël, ndërkohë që nxjerrim dobi nga kongresi krahinor që do të mbahet këtë verë!
[Kutia në faqen 3]
Botimet që nevojiten për të dhënë dëshmi joformale
■ A dëshiron të dish më shumë për Biblën? (fletushkë)
■ Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? (broshurë)
■ Ndonjë botim tjetër bazë
[Kutia në faqen 4]
Mos i harroni!
Cilët? Të gjithë të interesuarit që morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit ose në fjalimin special. A i kemi ftuar të ndjekin kongresin krahinor që do të mbahet këtë vit? Ka të ngjarë që shumë prej tyre të marrin pjesë në qoftë se u japim një inkurajim të përzemërt. Ndërsa gëzojnë shoqërinë ndërtuese në kongres dhe programin frymor inkurajues do t’i afrohen më shumë Jehovait dhe organizatës së tij. Përse të mos u bëjmë një ftesë e të shohim a do të vijnë? Jepuni të gjitha hollësitë e nevojshme, përfshirë edhe datat e kongresit, si ta gjejnë vendin ku do të mbahet, orën kur fillojnë e mbarojnë sesionet, dhe përmbledhjen e programit, e cila tregohet në faqen e fundit të revistës Zgjohuni!, 8 qershor 2003.