Na është besuar lajmi i mirë
1 Sa të privilegjuar jemi që na është besuar lajmi i mirë i Perëndisë! (1 Sel. 2:4) Ndonëse disa mund të mos e pranojnë këtë mesazh të fuqishëm, njerëzit me zemër të ndershme tërhiqen drejt tij ashtu si drejt një arome të këndshme. (2 Kor. 2:14-16) Për ata që e pranojnë dhe i binden lajmit të mirë, ai do të thotë shpëtim. (Rom. 1:16) Çfarë duhet të bëjmë me lajmin e mirë që na është besuar?
2 Jezui dhe apostujt: Jezui e vuri predikimin e lajmit të mirë në vend të parë në jetën e tij. (Luka 4:18, 43) Edhe kur ishte i lodhur e i uritur, dashuria për njerëzit dhe çmueshmëria për mesazhin e nxitën që të fliste për të me të tjerët. (Mar. 6:30-34) Me ato që tha e bëri, ai nguliti në mendjen e dishepujve rëndësinë e veprës së predikimit të Mbretërisë.—Mat. 28:18-20; Mar. 13:10.
3 Duke imituar Jezuin, apostujt e shpallën me zell mesazhin e Mbretërisë. Edhe kur i rrahën dhe i urdhëruan që të mos predikonin, ‘ata vazhduan pareshtur të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë’. (Vep. 5:40-42) Apostulli Pavël punoi pa u lodhur në këtë vepër. (1 Kor. 15:9, 10; Kolos. 1:29) Ai e krahasoi privilegjin e shpalljes së lajmit të mirë me një borxh që ua kishte njerëzve të tjerë dhe ishte i gatshëm të hiqte dorë nga rehatia personale për ta shlyer atë.—Vep. 20:24; Rom. 1:14-16.
4 Privilegj për ne sot: Çmueshmëria për detyrën e shenjtë që na është besuar na shtyn të kërkojmë mënyra si ta zgjerojmë pjesëmarrjen tonë në veprën e predikimit. (Rom. 15:16) Eduardi, i cili ishte i ngujuar në një karrocë invalidësh, qëndronte në hyrje të një hoteli dhe u fliste për besimin e tij njerëzve që rrinin në hotel. Megjithatë, ngaqë dëshironte të bënte më shumë, ai mori masa që të ndërtohej një kabinë e veçantë në një kamionçinë. Me këtë mjet udhëtimi, ai shërbeu si pionier për shumë vjet, duke bërë mijëra kilometra për të predikuar. Ashtu si Eduardi, sot shumë veta i kanë rregulluar rrethanat e tyre për të marrë pjesë më tepër në përhapjen e lajmit të mirë.
5 Duke imituar Jezuin dhe apostujt, le t’i japim gjithmonë përparësi veprës së predikimit në jetën tonë. Kur bëjmë kështu, shfaqim dashuri për njerëzit dhe çmueshmëri për lajmin e mirë që na është besuar.