Të tregojmë interes të dhembshur për ‘djemtë pa baba’
1 Jehovai është ‘Ati i djemve pa baba.’ (Psal. 68:5, BR) Shqetësimi i Tij për mirëqënien e tyre bëhet i dukshëm në këtë urdhër që i dha kombit të Izraelit: «Mos mundoni asnjë vejushë ose djalë pa baba. Nëse do ta mundosh në ndonjë mënyrë dhe nëse ai më thërret mua, unë do ta dëgjoj patjetër klithmën e tij.» (Dal. 22:22, 23, BR) Ligji i Perëndisë përfshinte edhe masa për t’i ndihmuar këta duke u siguruar nevojat materiale. (Ligj. 24:19-21) Sipas rregullimit të krishterë, adhuruesit e vërtetë këshillohen ‘të kujdesen për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre.» (Jak. 1:27) Si mund të imitojmë interesin e dhembshur që tregon Jehovai ndaj atyre që rriten me një prind ose në familje të ndarë nga ana fetare?
2 Stërvitje frymore: Nëse je prind i vetëm ose ke një bashkëshort jobesimtar, bërja e studimit të rregullt të Biblës me fëmijët mund të paraqesë një sfidë. Por studimi i rregullt e domethënës i Biblës është i rëndësishëm, nëse ata duhet të bëhen të rritur që janë të pjekur e të ekuilibruar. (Prov. 22:6) Janë jetësore edhe bisedat e përditshme me ta rreth çështjeve frymore. (Ligj. 6:6-9) Ndonjëherë mund të ndihesh i shkurajuar, por nuk duhet të dorëzohesh. Drejtoju Jehovait për forcë dhe udhëheqje ndërsa ‘vazhdon t’i rritësh [fëmijët e tu] në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait».––Efes. 6:4.
3 Nëse ke nevojë për ndihmë që të mbash përgjegjësitë që kërkojnë shkrimet, bëjua të ditur pleqve. Ata mund të jenë në gjendje të të japin sugjerime praktike ose të të ndihmojnë për të vendosur një program të mirë frymor për familjen tënde.
4 Si mund të ndihmojnë të tjerët?: Në shekullin e parë Timoteu u bë një shërbëtor i zellshëm i Jehovait, megjithëse u rrit në një familje të ndarë nga ana fetare. Përpjekjet e vazhdueshme të nënës dhe të gjyshes së tij për t’i mësuar shkrimet e shenjta në rininë e tij pa dyshim që luajtën një rol të rëndësishëm. (Vep. 16:1, 2; 2 Tim. 1:5; 3:15) Sidoqoftë, ai nxori dobi edhe nga shoqërimi me të krishterët e tjerë, duke përfshirë apostullin Pavël, i cili foli për Timoteun si për ‘birin e tij të dashur dhe të besueshëm në Zotërinë’.––1 Kor. 4:17.
5 Po kështu në ditët e sotme sa dobiprurëse është kur vëllezër të pjekur frymësisht e motra të tilla tregojnë një interes të dhembshur për djemtë e vajzat pa baba në kongregacion. A e njohim secilin prej tyre me emër? A flasim me ta në mbledhjet e krishtere dhe në raste të tjera? T’i ftojmë të dalim bashkë në shërbim. Ndoshta me raste mund t’i përfshijmë ata bashkë me prindin e tyre të vetëm ose me prindin e tyre besimtar në studimin tonë familjar ose në aktivitetet e shëndetshme që organizojmë gjatë kohës së lirë. Kur këta të rinj na shohin si miqtë e tyre, ka më shumë të ngjarë që të imitojnë shembullin tonë dhe të pranojnë inkurajimin që u japim.—Filip. 2:4.
6 Jehovai është thellësisht i interesuar për djemtë e vajzat pa baba. Ai po bekon përpjekjet tona të dashura për t’i ndihmuar ata që ta bëjnë të tyren të vërtetën. Shumë veta që janë rritur me prind të vetëm ose në familje të ndarë nga ana fetare kanë marrë një inkurajim të tillë, dhe tani po shërbejnë me besnikëri si pionierë, si shërbëtorë ndihmës, si pleq, si mbikëqyrës udhëtues, si misionarë ose janë pjesëtarë të familjes Bethel. Le të kërkojmë të gjithë mënyra për t’u ‘zgjeruar’ në dhembshurinë që tregojmë për ata pa baba, duke imituar kështu Atin tonë qiellor.––2 Kor. 6:11-13.