BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 6/01 f. 3-6
  • A mund të jemi të gatshëm?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A mund të jemi të gatshëm?
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • Material i ngjashëm
  • A mund të jetë kjo karriera më e mirë për ty?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Shërbimi në Bethel—Nevojiten më shumë vullnetarë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • Të shikojmë me çmueshmëri «Shtëpinë e Perëndisë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Vepra të mira që nuk harrohen
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2019
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
km 6/01 f. 3-6

A mund të jemi të gatshëm?

1 Në vitin 778 p.e.s., ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme. Në vizion profeti Isaia sheh «Jehovain, ulur në një fron të lartë e të ngritur». Më pas, Isaia dëgjon serafinët që tërheqin vëmendjen në lavdërimin e Jehovait, duke thënë: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive.» Ç’pamje që ngjall nderim të thellë duhet të ketë qenë! Në atë mjedis, Jehovai bën një pyetje sfiduese: «Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?» Asnjë shpjegim nuk jepet përsa i përket natyrës së caktimit ose nëse personi që dilte vullnetar do të përfitonte nga kjo gjë. Megjithatë, pa ngurruar, Isaia përgjigjet: «Ja ku jam, dërgomë mua!»​—Isa. 6:1 (BR), 3, 8.

2 Kjo frymë gatishmërie për të bërë gjithçka që Jehovai kërkon është karakteristike për popullin e tij. (Psal. 110:3) Kështu, sot po u bëhet kudo një ftesë e veçantë atyre që mund të vihen në dispozicion. A jemi gati të përgjigjemi me të njëjtën frymë gatishmërie si ajo e Isaisë?

3 Ka një nevojë të vazhdueshme për vëllezër që të punojnë në Bethel. Kjo kërkon që ata të kenë një dëshirë të fortë për të vendosur në vend të parë interesat e Mbretërisë dhe të jenë të gatshëm të bëjnë çfarëdo që mund t’u kërkohet për të mbështetur veprën mbarëbotërore të predikimit. (Mat. 6:33) Në të vërtetë, kur shërben si anëtar i familjes Bethel ke një mundësi të pashoqe për t’i shërbyer Jehovait me gjithë shpirt. Si kështu?

4 Puna që kryhet në Bethel: Le të mendojmë për atë që kryhet rregullisht në të tria komplekset që formojnë Bethelin, të cilat gjenden në Shtetet e Bashkuara, në Bruklin, Paterson dhe në Uollkill, Nju-Jork. Të 5.730 vëllezërit dhe motrat që përbëjnë familjen Bethel në këto tri vende, kanë privilegjin që të përfshihen ngushtësisht për të mbështetur klasën e skllavit të besueshëm e të matur dhe Trupin Udhëheqës të saj, për prodhimin e Biblave dhe literaturës biblike. Këto përdoren në fushën mbarëbotërore dhe për studimin personal. (Mat. 24:45) Për shembull, këtë vit shërbimi që kaloi, falë përpjekjeve të kombinuara në familjen Bethel të Shteteve të Bashkuara, u prodhuan e u transportuan 24.364.670 libra, 39.813.464 libreza e broshura, 270.528.000 revista dhe 1.271.041 audiokaseta. Janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme që për këto botime të kërkohen dhe të zgjidhen ‘fjalë të këndshme dhe që gjërat e shkruara të jenë të drejta e të vërteta’. (Ekl. 12:9, 10) Janë siguruar, gjithashtu, udhëzime për më shumë se 1.900 përkthyes në mbarë botën, të cilat ndihmojnë të prodhohet literaturë në më shumë se 300 gjuhë. Shumë është bërë edhe për të bashkërenduar punën që kryhet në 111 degë anembanë botës, duke përfshirë dhe 54 kongregacionet e 23 grupet këtu në Shqipëri, si edhe tre kongregacionet e grupet e ndryshme në Kosovë. Ndihmë u është dhënë edhe degëve që janë përfshirë në projektimin dhe ndërtimin e shtëpive të tjera Bethel, Sallave të Asambleve dhe 15.248 Sallave të Mbretërisë që nevojiten tani në vendet me të ardhura të kufizuara. Qindra vullnetarë të gatshëm kërkohen për t’u kujdesur për shtypjen dhe transportimin e literaturës, për pastrim, për mirëmbajtje, për përgatitjen e ushqimit, për blerjen, për kujdesin shëndetësor dhe shumë operacione të tjera pune që kryhen në Bethel.

5 Përmbushja e të gjitha këtyre punëve paraqet një detyrë jashtëzakonisht të madhe, por që të sjell kënaqësi në kuptim frymor. Fakti që e dimë se gjithë forca dhe energjia jonë po përdoret për të mbështetur veprën e predikimit dhe të mësimdhënies na sjell shumë gëzim. Shërbimi në Bethel na ndihmon që ta njohim edhe më hollësisht organizatën e Jehovait. Të kujtojmë që psalmisti i nxiti izraelitët ta njihnin më thellësisht qendrën tokësore të sundimit teokratik në ditët e tyre.​—Psal. 48:12, 13.

6 Bekimet e shërbimit në Bethel: Si ndihen ata që shërbejnë në Bethel për këtë privilegj shërbimi? Le të vërejmë komentet e mëposhtme nga anëtarë të rinj e të moshuar të familjes Bethel. Një anëtare e familjes Bethel që ka gëzuar tri vjet shërbimi në Bethel komenton: «Duke qenë në Bethel më është forcuar marrëdhënia me Jehovain. Sa më shumë që shërbej këtu dhe sa më shumë mësoj për mënyrën se si funksionon Betheli, aq më shumë mësoj rreth personalitetit të Jehovait. Gjithashtu, shërbimi në Bethel ka qenë diçka e mrekullueshme që më ka habitur, tek shoh se Jehovai përdor njerëz, njerëz të çdo lloji, dhe se nuk duhet të jesh i përsosur për t’u pranuar prej tij.»

7 Një vëlla i ri thotë: «Më kujtohet që mendoja me veten ‘Sa bukur do të jetë kur të hyj në botën e re e t’u them besnikëve të lashtë se kam shërbyer për shumë vjet në Bethel e jo jashtë në botë, duke bërë para’.»

8 Një vëlla i ri mediton për stërvitjen që ka marrë: «Fakti që kam mësuar rreth vetes dhe asaj se ku më duhet të punoj, e zhvillimi më pas i këtyre cilësive, ka qenë një bekim i madh. Mendoj se tani jam më i aftë për t’i shërbyer Jehovait. Vërej se jam ca më i duruar, kam një çikë më shumë vetëkontroll dhe jam në gjendje të tregoj më shumë dashuri.»

9 Një motër mendon rreth bekimeve që ka pasur deri tani: «Programet frymore këtu më kanë mësuar më shumë rreth Jehovait dhe se si mund ta imitoj atë më mirë në mendime, në ndjenja dhe veprime. Po ashtu, duke qenë se stërvitja është në vazhdim, është dhe një bekim i vazhdueshëm.»

10 Një vëlla që ka shërbyer për 59 vjet në shërbimin e plotkohor, më shumë se 43 vjet prej të cilave në Bethel, pohoi: «Betheli nuk është si një manastir, siç mund të mendojnë disa. Ne arrijmë të bëjmë shumë gjëra për shkak të mënyrës së programuar të jetës sonë. . . . Nuk ka pasur asnjë ditë që të kem ardhur në punë e të mos kem gjetur gëzim në atë që kam bërë. Përse? Sepse kur e japim veten me gjithë shpirt ndaj Jehovait, provojmë kënaqësi nga dijenia se ‘ajo që kemi bërë, është ajo që duhej të kishim bërë’.»​—Luka 17:10.

11 Një vëlla tjetër që ka shërbyer në Bethel për 62 vjet, tha: «Jam më se i bindur se Betheli është vendi më i mirë në tokë përpara ardhjes së Parajsës në të. Nuk jam penduar kurrë, qoftë edhe për një çast, që e bëra shërbimin e plotkohor karrierën time të jetës. Ç’gëzim ka qenë të shoh me sytë e mi e të marr pjesë në rritjen e madhe të organizatës tokësore të Jehovait! Vendosmëria ime është që me ndihmën e Jehovait të vazhdoj ta bëj Bethelin shtëpinë time dhe të kushtohem me gjithë shpirt për të çuar përpara interesat e Mbretërisë.»

12 Këta anëtarë të familjes Bethel kanë përmendur vetëm disa nga bekimet e shumta që mund të gëzojmë nëse jemi të gatshëm për shërbimin në Bethel. Por, si në rastin kur marrim ndonjë privilegj shërbimi, duhet që së pari të plotësojmë kualifikimet që nevojiten. Cilat janë disa nga kërkesat për të shërbyer si anëtar i familjes Bethel?

13 Kërkesat për shërbimin në Bethel: Kërkesat bazë për ata që kërkojnë të shërbejnë në Bethel tregohen në kutinë shoqëruese. Veç kësaj, është e rëndësishme që ata të jenë të gatshëm të punojnë pa u lodhur e të mos jenë «kënaqësidashës». (2 Tim. 3:4; 1 Kor. 13:11) Anëtarët e familjes Bethel duhet të jenë burra frymorë dhe gra frymore që kanë zhvilluar zakone të mira lidhur me studimin personal dhe që i kanë të stërvitura aftësitë e tyre perceptuese «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebr. 5:14) Pjekuria e tyre e krishterë duhet të jetë treguar tashmë në të gjitha fushat e jetës,duke përfshirë veshjen, krehjen dhe zgjedhjen e muzikës e të zbavitjes. Me një zemër të gatshme, anëtarët e familjes Bethel shërbejnë kudo ku mund të ketë nevojë për ta. Anëtarëve më të rinj u jepen zakonisht caktime që kanë të bëjnë me punë fizike që përfshijnë shtypjen, përgatitjen dhe transportimin e literaturës, mirëmbajtjen, kujdesjen për shtëpinë, pastrimin, lavanderinë dhe përgatitjen e ushqimit. (Prov. 20:29) Por, ndryshe nga puna në botë, çdo caktim sjell kënaqësi të madhe, sepse është shërbim i shenjtë që i sjell lavdi Jehovait.​—Kolos. 3:23.

14 Ata që ftohen për të shërbyer në Bethel duhet të qëndrojnë të paktën një vit në të. Kjo u jep mundësi të stërviten për t’u bërë punëtorë të efektshëm. Shpresohet që të arrijnë ta bëjnë Bethelin shtëpinë e tyre. Është dashuria për Jehovain ajo që i nxit anëtarët e familjes Bethel ta vënë veprën e Mbretërisë përpara interesave personale, gjë që është e pëlqyeshme për Jehovain.​—Mat. 16:24.

15 Nevojat e sotme: Për shkak të natyrës së punës që bëhet në Bethel, së pari tani ka nevojë për vëllezër beqarë që janë të aftë për të bërë punë të ndryshme, duke përfshirë edhe ndërtimin. Vazhdojmë të jemi të interesuar për ata që kanë aftësi të shkëlqyera në gjuhën shqipe ose në gjuhën angleze, sidomos nëse kanë bërë një shkollë në këtë fushë. Në një rast të tillë mund të merren parasysh edhe motra beqare e çifte të martuara. Vëllezërit dhe motrat me këto aftësi mund të ndihmojnë në lidhje me përkthimin dhe redaktimin e botimeve. Megjithëse nuk është një kërkesë, u jepet përparësi atyre që janë pionierë të rregullt, meqë janë tashmë në shërbimin e plotkohor. Ndonjëherë mund të krijohet mundësia për motrat beqare dhe çiftet e martuara të moshës 19 deri 35 vjeç, që mund të kenë disa aftësi që nevojiten në Bethel. Veç kësaj, disa vëllezër e motra që mund të jenë pak më shumë se 35 vjeç, por që kanë aftësi të veçanta dhe një kualifikim që mund të përdoret në Bethel, nxiten të bëjnë një kërkesë. Këtu, për shembull, përfshihen: dentistët, mjekët, llogaritarët e pajisur me dëshmi publike, arkitektët, inxhinierët, infermieret me dëshmi shtetërore, mekanikët e automjeteve ose teknikët elektronikë për të përmendur vetëm disa. Megjithatë, nuk i nxitim individët që t’i hyjnë ndonjë arsimimi ose stërvitjeje të veçantë me mendimin se kështu do të kenë më shumë mundësi që të ftohen në Bethel. Ata që kanë fituar tashmë ndonjë kualifikim të veçantë, ndoshta përpara se të njihnin të vërtetën, mund të formulojnë po të duan një përmbledhje të hollësishme dhe t’ia bashkëngjitin atë kërkesës për në Bethel.

16 Nëse bëjmë një kërkesë, por nuk ftohemi në Bethel, të mos shkurajohemi. Mund ta mbajmë këtë parasysh duke e përsëritur kërkesën një herë çdo vit. Disa vëllezër me stërvitje dhe aftësi të veçanta që mund të nevojiten në Bethel, janë treguar të gatshëm për të shërbyer përkohësisht si vullnetarë. Ata mund të kërkojnë që të shërbejnë përkohësisht në Bethel për një, dy, tri ose katër javë, deri në tre muaj. Kongregacioneve do t’u dërgohen një sasi formularësh për kërkesën si vullnetar i përkohshëm, për ata që interesohen të ndihmojnë në këtë mënyrë. Në të ardhmen, në Formularin e Kërkesës për Literaturë mund të porositen kërkesa të tjera për shërbimin si vullnetar i përkohshëm.

17 Fakti që i shërbejnë Jehovait në shoqëri të ngushtë me vëllezërit e Krishtit është një privilegj i pashoq për ata që punojnë në Bethel. Trupi Udhëheqës e çmon frymën vetëmohuese të të gjithëve atyre që tregohen të gatshëm për t’u shërbyer nevojave të vëllazërisë sonë mbarëbotërore.​—Filip. 2:20-22; 2 Tim. 4:11.

18 Të rinj, përgatituni tani për shërbimin në Bethel: Përgatitja për në Bethel fillon kohë përpara se të arrihet mosha 19-vjeçare që është mosha minimale e kërkuar. Çfarë mund të bëjnë të rinjtë për t’u përgatitur për shërbimin në Bethel? Jezui tha: «Cili nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë e llogarit shpenzimet?» (Luka 14:28) Duke qenë se përgatitja dhe planifikimi janë jetësore për suksesin e çdo projekti ndërtimi, sa e rëndësishme është që të rinjtë t’i kushtojnë vëmendje të kujdesshme mënyrës si po e ndërtojnë të ardhmen e tyre në shërbim të Jehovait! Për të arritur synimet frymore duhet vënë që herët në jetë një themel i fortë. Ndërkohë që jeni të rinj, sa të fortë po e ndërtoni themelin tuaj? Nëse do t’ju pëlqente të shërbenit në Bethel do të nxirrnit dobi duke shqyrtuar me kujdes atë që jepet më poshtë.

19 «Lini vend» për këtë privilegj të veçantë shërbimi: Siç tregohet në Mateun 19:12, Jezui i nxiti dishepujt e tij ‘t’i bëjnë vend’ udhës së beqarisë. Përse? Jo për arsye personale, por «për hir të mbretërisë së qiejve». Gjithashtu, Pavli nxiti që një udhë e tillë të jetë «shërbim i vazhdueshëm ndaj Zotërisë, pa shpërqendrim». (1 Kor. 7:32-35) Është për të ardhur keq, por disa e humbasin mundësinë për të pasur privilegjin që të shërbejnë si beqarë në Bethel, sepse jepen pas martesës që në një moshë të re. Duam t’i nxitim vëllezërit tanë të rinj që t’i përdorin energjitë e tyre duke u dhënë pas shërbimit të plotkohor, ndërkohë që janë ende të lirë nga përgjegjësitë familjare. Kështu, kur pas një periudhe kohe të vendosin të martohen, ata do të jenë bashkëshortë shumë më të mirë, duke qenë se kanë fituar më shumë përvojë në jetë dhe në shërbimin e krishterë. Pasi kanë shërbyer një numër vitesh në Bethel, disa janë martuar dhe kanë mundur të shërbejnë aty si çift. Nëse më vonë kanë privilegje të tjera të tilla, si vepra udhëtuese ose shërbimi misionar, sigurisht që nuk u vjen keq për kohën që lanë mënjanë për t’i bërë vend shërbimit në Bethel.

20 Mos u shpërqendroni nga interesat materiale: Çdo person i ri do të bëjë mirë të pyesë: «Cili është synimi im pasi të marr diplomën e shkollës së lartë, që të ndjek një karrierë plotkohore joteokratike apo t’i shërbej Jehovait në kohë të plotë?» Kuptohet, ndërmarrja e kësaj të fundit do të kërkojë sakrifica. Por, kështu do të jetë edhe në rast se ndiqet karriera joteokratike. Në fund të fundit, cili drejtim do të ketë në të vërtetë një përfundim të qëndrueshëm e të dobishëm? Jezui dha një përgjigje të qartë. Sipas Mateut 6:19-21, ai tha: «Mos grumbulloni më për vete thesare mbi tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku dhe ku hajdutët shpërthejnë e vjedhin. Më mirë, grumbulloni për vete thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku dhe ku hajdutët nuk shpërthejnë e nuk vjedhin. Sepse ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.» Le të mos na çojë kurrë zemra që të ndjekim një karrierë botërore ose gjërat materiale, në vend të shërbimit me gjithë zemër ndaj Jehovait! Që të gjithë duhet të pranojmë se i vetmi thesar që ia vlen të ndjekim është marrëdhënia e mirë me Jehovain, në mënyrë që ta bëjmë të lumtur zemrën e tij. (Prov. 27:11) Duke vënë Jehovain në vend të parë në jetën tonë, ndërsa jemi të rinj, tregojmë çfarë vlerësojmë më shumë dhe se sa e rëndësishme është Mbretëria për ne. Të mos harrojmë: «Bekimi i Jehovait, ky është që të bën të pasur dhe ai nuk shton në të asnjë dhembje.» (Prov. 10:22, BR) Të rinjtë kanë një mundësi të shkëlqyer për të treguar se ku e kanë zemrën, duke i dhënë diçka të mirë Jehovait, si këmbim për të gjithë atë që ai ka bërë për ta. Shërbimi në Bethel u jep një mundësi të tillë të shkëlqyer të gjithë atyre që plotësojnë kualifikimet e nevojshme.

21 Ata që shërbejnë në Bethel duhet të jenë të pastër moralisht: Psalmisti pyeti: «Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër?» Ai u përgjigj: «Duke e ruajtur me fjalën [e Jehovait, BR] tënde.» (Psal. 119:9) Kjo do të përfshijë të shmangë çdo gjë që ka të bëjë me korruptimin moral të sistemit të Satanait. Pornografia në Internet, sjellja e papërshtatshme me seksin e kundërt, muzika degjeneruese, zbavitja degraduese dhe pijet alkoolike janë vetëm disa nga kurthet që përdor Satanai për t’i penguar të rinjtë tanë që të arrijnë synimet frymore. Nevojitet vendosmëri e fortë për t’u bërë ballë këtyre taktikave. Si një i ri në moshë, nëse vëren se po përfshihesh në ndonjë prej këtyre gjërave, bisedo me pleqtë në kongregacionin tënd dhe zgjidhi këto çështje përpara se të bësh kërkesën për shërbimin në Bethel. Një ndërgjegje e pastër është jetësore për t’i shërbyer plotësisht Jehovait.​—1 Tim. 1:5.

22 Të mësojmë që të shkojmë mirë me të tjerët: Një kërkesë e rëndësishme për të pasur sukses në shërbimin në Bethel është që të mësojmë të shkojmë mirë me të tjerët. Familja Bethel përbëhet nga vëllezër e motra të të gjitha niveleve shoqërore ose ekonomike. Ndërkohë që kjo shumëllojshmëri personalitetesh ia shton bukurinë Bethelit, ndonjëherë ajo mund të paraqesë edhe sfida. Nëse po shqyrtojmë mundësinë e shërbimit në Bethel, bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A ofendohem shpejt kur të tjerët nuk e pranojnë mendimin tim? A e kanë të lehtë të tjerët të shkojnë mirë me mua?’ Nëse kemi nevojë të përmirësohemi në këto aspekte, të fillojmë të punojmë që tani lidhur me to. Duke e bërë këtë gjë do të mund të përshtatemi më lehtësisht për të jetuar dhe punuar me pjesëtarët e familjes Bethel.

23 Le të punojmë pa u lodhur për të qenë një person frymor, duke kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Të kemi një program të mirë të studimit personal, i cili duhet të përfshijë leximin e Biblës çdo ditë. Të jemi aktivë për të ndarë lajmin e mirë me të tjerët. Duke i vënë këto gjëra në praktikë, do ta bëjmë të dukshëm përparimin tonë frymor. (1 Tim. 4:15) Ç’perspektiva të mrekullueshme i presin ata që përgatiten që tani për një karrierë në shërbimin e plotkohor!

24 Prindër, stërvitini fëmijët tuaj: Çfarë mund të bëjnë prindërit për t’i nxitur fëmijët që të ndjekin shërbimin e plotkohor? Jezui tha: «Kushdo që është i mësuar në mënyrë të përsosur, do të jetë si mësuesi i tij.» (Luka 6:40) Një nxënës i stërvitur në një masë të plotë do të shfaqë sigurisht cilësitë e mira të mësuesit të tij të dedikuar. Prindërit e krishterë duhet ta mbajnë në mendje këtë parim ndërsa punojnë me zell për të stërvitur fëmijët e tyre «duke pasur si synim [të tyre] devocionin hyjnor». (1 Tim. 4:7) Duke qenë se fëmijët janë të prirur të pasqyrojnë qëndrimin e prindërve të tyre lidhur me gjërat frymore, prindërit bëjnë mirë të pyesin veten: ‘A e çmojmë ne personalisht punën që bëhet në Bethel për të nxitur interesat e adhurimit të vërtetë të Jehovait? A e pranojmë bekimin e Jehovait mbi mënyrën e organizimit të Bethelit? A besojmë se një jetë në shërbim të Jehovait është karriera më e mirë që mund të zgjedhin fëmijët tanë?’ Çmueshmëria e sinqertë për shërbimin në Bethel dhe për punën që bëhet aty, do të na ndihmojë që të ndërtojmë një çmueshmëri të ngjashme te fëmijët tanë.

25 Elkanahu dhe Hana kishin një çmueshmëri të thellë për adhurimin e vërtetë. Ata lanë një shembull të shkëlqyer për prindërit e krishterë sot. Në Izraelin e lashtë, vetëm burrave izraelitë u kërkohej «të paraqiteshin para Perëndisë, Zotit» tri herë në vit, në tabernakull. Megjithatë, Elkanahu udhëtonte gati 30 km «çdo vit», më shumë ka të ngjarë në këmbë, me të gjithë familjen e tij që të bënte flijime në këtë qendër të adhurimit të Jehovait. (Dal. 23:17; 1 Sam. 1:3, 4, 9; 2:19) Është e dukshme që ky kryefamiljar donte që e gjithë familja e tij të kishte të njëjtin interesim si ai për gjërat frymore.

26 Hana kishte të njëjtin interes si i shoqi për adhurimin e vërtetë. Ajo e ndjeu thellë detyrimin që kishte për të ndihmuar në mbështetjen e adhurimit të vërtetë në tabernakull. Hana u betua se nëse Jehovai i dhuronte një bir, ajo do ta vinte atë në dispozicion për shërbimin në tempull. (1 Sam. 1:11) Ligji i Moisiut i jepte të drejtën një burri që ta anulonte një betim të pavend të gruas së tij. (Num. 30:6-8) Por, me sa duket, Elkanahu e miratoi betimin e Hanës, duke treguar se edhe ai e mbështeti atë shfaqje të adhurimit të vërtetë.​—1 Sam. 1:22, 23.

27 A u ndikua në një mënyrë pozitive biri i tyre, Samueli, nga çmueshmëria dhe fryma e shkëlqyer që treguan prindërit e tij? Në të vërtetë, po. Si një i ri, Samueli u kujdes me gatishmëri dhe besnikëri për detyrat që iu caktuan e u stërvit për privilegje të tjera të çmuara në shërbim të Perëndisë. Interesi që Elkanahu dhe Hana treguan ndaj shërbimit të Samuelit në tabernakull, nuk përfundoi pasi ai mori përsipër detyrat e tij atje. Ata vazhduan ta vizitonin rregullisht për t’i dhënë zemër dhe mbështetje, ndërkohë që jepej pas shërbimit të plotkohor.​—1 Sam. 2:18, 19.

28 Ç’shembull të shkëlqyer lanë Elkanahu dhe Hana për prindërit e krishterë sot! Kur fëmijët tanë dëgjojnë shprehjet e përzemërta të çmueshmërisë për privilegjin e shërbimit në Bethel dhe shohin frymën vetëmohuese që tregojmë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë, edhe ata do të zhvillojnë një zemër të prirur për t’u shërbyer të tjerëve. Shumë prindër po e ngulitin me sukses këtë prirje të shëndoshë te fëmijët e tyre. Një vajzë 7-vjeçare shkroi: «Kur të rritem, dua të jem në Bethel dhe kam ca gjëra që do të më pëlqente të bëja atje. (1) Të shtyp revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, (2) të punoj në sektorin tuaj të artit, (3) në lavanderi, në palosje. Në çfarëdo pune që të ketë, s’ka rëndësi.» Sa të ngrohet zemra të shohësh një frymë të tillë të gatshme që zhvillohet në zemrën e fëmijëve tanë!

29 Të rinj, kujtoni që «bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë»! (1 Gjon. 2:17) Vazhdoni të ndiqni synimet frymore, duke përfshirë edhe privilegjin e veçantë të shërbimit në Bethel! Prindër, imitoni shembullin e besnikëve në të kaluarën që i nxitën fëmijët e tyre të kultivojnë devocionin hyjnor. (2 Pjet. 3:11) Dhe që të gjithë ne, le të bëjmë pjesën tonë për të ndihmuar vëllezërit tanë të rinj dhe motrat tona të reja që t’i shërbejnë Krijuesit tonë të Madh në masën më të plotë që është e mundur, pasi kjo «mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë»!​—1 Tim. 4:8; Ekl. 12:1.

[Kutia në faqen 4]

Kërkesat bazë për shërbimin në Bethel

● I pagëzuar nga të paktën një vit

● Person frymor me një dashuri të thellë për Jehovain dhe organizatën e tij

● Me një shëndet të mirë frymor, mendor, emocional dhe fizik

● Qytetar ose banues i përhershëm ligjor në Shqipëri

● I aftë për të shkruar, lexuar dhe për të folur mirë shqip

● Mosha të jetë 19-35 vjeç

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo