Presioni i bashkëmoshatarëve dhe privilegji ynë për të predikuar
1 Presioni i bashkëmoshatarëve është një ndikim i fuqishëm—për mirë ose për keq. Shërbëtorët e tjerë të Jehovait ushtrojnë një ndikim pozitiv që na nxit për vepra të shkëlqyera të krishtere. (Hebr. 10:24) Megjithatë, anëtarët e familjes që nuk janë Dëshmitarë, shokët e punës, shokët e shkollës, fqinjët ose të njohurit e tjerë mund të ushtrojnë presion mbi ne që të ndjekim një udhë e cila bie në kundërshtim me parimet e krishtere. Ata mund të flasin «me përçmim për sjelljen [tonë] të mirë në lidhje me Krishtin». (1 Pjet. 3:16) Si mund ta ruajmë vendosmërinë tonë për të vazhduar në predikim pavarësisht nga presioni negativ që mund të kemi nga bashkëmoshatarët?
2 Anëtarët e familjes: Nganjëherë, një bashkëshort dhe baba që nuk është Dëshmitar i Jehovait mund të mos dojë që gruaja dhe fëmijët e tij të marrin pjesë në shërbimin publik. Kjo ishte situata në një familje në Meksikë. Gruaja e një burri bashkë me shtatë fëmijë hynë në të vërtetën. Në fillim ai ishte kundër, sepse nuk donte që familja e tij të predikonte dhe të ofronte literaturë biblike nga shtëpia në shtëpi. Ai mendonte se kjo ishte diçka që e ulte dinjitetin e tyre. Por gruaja dhe fëmijët qëndruan të palëkundur në vendimin e tyre për t’i shërbyer Jehovait dhe për të marrë pjesë rregullisht në shërbim. Me kalimin e kohës, burri filloi të shihte vlerën e pranimit të rregullimit të Perëndisë për veprën e predikimit dhe kështu ia dedikoi edhe ai veten Jehovait. U desh të kalonin 15 vjet para se ta pranonte të vërtetën, por, a do ta kishte bërë ndonjëherë këtë nëse familja e tij nuk do të kishte ngulmuar në privilegjin që kishte për të predikuar?—Luka 1:74; 1 Kor. 7:16.
3 Shokët e punës: Përpjekjet tona për t’u dëshmuar shokëve të punës mund të mos priten mirë nga disa. Një motër tregoi se kur në zyrë lindi një diskutim rreth fundit të botës, atë e tallën për shkak se u sugjeroi që të lexonin kapitullin 24 të Mateut. Megjithatë, disa ditë më vonë, një nga koleget e punës i tha se e kishte lexuar kapitullin dhe i kishte bërë përshtypje. Gruas iu la një botim dhe u bënë rregullime për të filluar një studim biblik me të dhe burrin e saj. Studimi i parë zgjati deri në dy të mëngjesit. Pas studimit të tretë ata filluan të ndiqnin mbledhjet dhe shpejt pas kësaj lanë zakonin e duhanit dhe filluan të merrnin pjesë në shërbim. A do të kishte ndodhur kjo nëse motra jonë nuk do të kishte bërë përpjekje për të ndarë shpresën e saj me të tjerët?
4 Shokët e shkollës: Nuk është diçka e pazakontë që të rinjtë Dëshmitarë të përjetojnë presionin e bashkëmoshatarëve në shkollë dhe të kenë frikë se mos të rinjtë e tjerë do t’i nënçmojnë për shkak se marrin pjesë në veprën e predikimit. Një e krishterë adoleshente në Shtetet e Bashkuara tha: «Unë druhesha t’u dëshmoja të rinjve të tjerë, sepse kisha frikë se mos më vinin në lojë.» Prandaj i shmangej mundësisë për t’u dëshmuar bashkëmoshatarëve të saj në shkollë dhe në territor. Si mund ta zhvillojmë forcën për t’i bërë ballë presionit të bashkëmoshatarëve? Të besojmë te Jehovai, duke kërkuar buzëqeshjen e tij miratuese. (Prov. 29:25) Të krenohemi për aftësinë që kemi për ta përdorur në shërbim Fjalën e Perëndisë. (2 Tim. 2:15) E reja e sapo përmendur filloi t’i lutej Jehovait duke i kërkuar që ta ndihmonte të kultivonte dëshirën për t’u folur shokëve të saj të shkollës. Filloi të jepte dëshmi joformale në shkollë, pati rezultate të mira dhe shpejt filloi t’i fliste kujtdo që njihte. Ajo nxori këtë përfundim: «Këta të rinj kanë nevojë dhe duan një shpresë për të ardhmen dhe Jehovai po na përdor ne që t’i ndihmojmë.»
5 Fqinjët: Ne mund të kemi fqinj ose të njohur të tjerë që acarohen disi me ne për shkak të asaj se kush jemi dhe se çfarë bindjesh kemi. Nëse kemi frikë nga ajo që mendojnë ata, le të pyesim veten: ‘A e dinë të vërtetën që çon në jetën e përhershme? Çfarë mund të bëj për të prekur zemrën e tyre?’ Një mbikëqyrës qarkor vërejti se janë arritur rezultate të mira kur fqinjëve u është dëshmuar çdo herë nga pak. Le t’i lutemi me përgjërim Jehovait që të na japë forcën dhe mençurinë e duhur për të vazhduar në kërkimin e personave me zemër të sinqertë.—Filip. 4:13.
6 Kundërshtarëve mund t’u pëlqejë kur thyhemi përballë presionit të bashkëmoshatarëve, por, a do të jetë kjo gjë në dobinë e tyre apo në dobinë tonë? Jezuin e kundërshtuan njerëzit në zonën e tij. Madje duroi vërejtje të ashpra nga gjysmëvëllezërit e tij. Por e dinte se mund t’i ndihmonte ata vetëm duke i qëndruar besnik udhës që Perëndia kishte caktuar për të. Kështu, Jezui «i ka qëndruar një të foluri të tillë kundërshtues nga mëkatarët kundër vetë interesave të tyre». (Hebr. 12:2, 3) Ne duhet të bëjmë po këtë gjë. Le të jemi të vendosur që ta shfrytëzojmë në maksimum privilegjin tonë për të predikuar mesazhin e Mbretërisë. Duke bërë kështu ‘do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë’.—1 Tim. 4:16.