A po i përgjigjemi dashurisë së Krishtit?
1 Duke reflektuar për udhën e jetës së Zotërisë së tij, apostulli Gjon shkroi: «Duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.» (Gjoni 13:1) Gjatë sezonit të këtij Përkujtimi, mendimet tona drejtohen për nga shprehja më e madhe e dashurisë së Krishtit. Kësaj dashurie mund t’i përgjigjemi duke ushtruar besim te shpërblesa, duke marrë pjesë me zell në veprën e predikimit dhe, ashtu si Jezui, duke qëndruar «deri në fund».—Mat. 24:13; 28:19, 20; Gjoni 3:16.
2 T’i përgjigjemi dashurisë së Krishtit: Jezui ishte shumë aktiv gjatë javës së fundit të jetës së tij tokësore. (Mat. 21:23; 23:1; 24:3) Si imitues të Krishtit, edhe ne nxitemi nga dashuria për t’u ‘përpjekur energjikisht’ në shërbim të Jehovait. (Luka 13:24, BR) A mund të përfitojmë nga rregullimet e bëra për një aktivitet dëshmie shtesë gjatë prillit, duke harxhuar edhe më shumë kohë në shërbim?
3 Këtë vit, Darka e Zotërisë bie të mërkurën në mbrëmje, më 19 prill. Sa veta do të jenë të pranishëm në këtë rast domethënës? Në një masë të madhe kjo gjë varet nga ne. A kemi bërë një listë të atyre që kemi në plan të ftojmë, ku mund të përfshijmë studentët tanë të Biblës dhe të interesuarit e tjerë, të afërmit, ata me të cilët kemi marrëdhënie pune, si edhe shokët e shkollës? A i kemi kontaktuar dhe a u kemi ofruar një ftesë të përzemërt? A nuk do të ishte mirë t’i kujtonim ata përsëri disa ditë përpara Përkujtimit? A u nevojitet ndihma jonë për të ardhur në vendin ku do të mbahet Përkujtimi? Pleqtë do të ftojnë, gjithashtu, çdo person që është bërë jo aktiv në shërbim. Fakti që Përkujtimi do të mbahet në një mbrëmje të javës dhe jo në fundjavë, nuk e zvogëlon aspak rëndësinë që të gjithë të jenë të pranishëm në të.
4 Të vijmë të përgatitur: Është jetësore që të jemi të përgatitur dhe të kemi qëndrimin e duhur mendor kur jemi të pranishëm në Përkujtim. Pavli i këshilloi bashkëbesimtarët që të mbajnë parasysh seriozitetin e rastit. (1. Kor. 11:20-26) Gjatë studimit familjar të Biblës, mund të lexojmë Gjoni kapitujt 13 deri 17 të Ungjillit të Gjonit dhe më pas të ftojmë secilin anëtar të familjes që të tregojë se çfarë do të thotë për të flijimi i Krishtit. Të mos harrojmë të bëjmë edhe leximin e përditshëm të Biblës për javën e Përkujtimit!
5 Dashuria jonë për Krishtin është mjaft e thellë dhe vazhdon shumë më tej pas 19 prillit. Ne jemi të vendosur që ta tregojmë përgjithmonë dashurinë tonë për të! Kremtimi i Përkujtimit këtë vit, do të na ndihmojë që ta forcojmë këtë vendosmëri.