E gjithë Fjala profetike e Perëndisë do të dalë e vërtetë!
1 Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë gjithmonë të interesuar në lidhje me profecitë biblike. Prandaj, sa u emocionuam kur mësuam se tema e Kongresit Krahinor të këtij viti do të ishte «Fjala profetike e Perëndisë»! Me padurim donim të dinim se çfarë ‘ushqimi në kohën e duhur’ kishte ruajtur Jehovai për ne. (Mat. 24:45). Ai nuk na zhgënjeu.
2 Pikat kryesore të kongresit: Fjalimi kyç i së premtes «Kushtojini vëmendje Fjalës profetike të Perëndisë» përfshiu një diskutim ndriçues të tregimit të shpërfytyrimit. (Mat. 17:1-9). Ai theksoi se pikërisht tani jemi në prag të kohëve më të mira, sepse gjendemi shumë shumë thellë në kohën e fundit, me sistemin e ri pikërisht përpara! Leximi në mënyrë të rregullt i Fjalës së Perëndisë është një aspekt i rëndësishëm të cilit duhet t’i kushtojmë vëmendje. Simpoziumi «Gjeni kënaqësi në leximin e Fjalës së Perëndisë» siguroi udhëzime praktike për ta bërë leximin e Biblës më dobiprurës e më të gëzueshëm.
3 Të shtunën pasdite, rishikuam arsyet se përse duhet të jemi të bindur që po jetojmë në ditët e fundit. A mund t’i kujtojmë të gjitha këto? Të dielën në mëngjes, profecia e Habakukut u bë e gjallë në sytë tanë, ndërsa mësuam se dita jonë është shumë e ngjashme me ditën e tij dhe se ngjarje kulmore do të ndodhin së shpejti kur Jehovai do të shkatërrojë të ligjtë dhe do të shpëtojë të drejtët. A e kemi kapur thelbin e dramës biblike rreth Jakobit dhe Esaut? Ne duhet të kërkojmë aktivisht bekimet e Jehovait, duke i rezistuar frymës së apatisë dhe indiferencës.
4 Një libër i ri tërheqës: Sa të emocionuar ishim kur morëm librin e ri, Kushtoju vëmendje Profecive të Danielit! Pa dyshim, tashmë jemi duke e lexuar këtë botim tërheqës. Oratori që e prezantoi atë tha: «Me përjashtim të disa hollësive, të gjitha profecitë në librin e Danielit janë plotësuar.» A nuk nënvizon ky fakt urgjencën e kohëve tona?
5 Programi i kongresit e ka forcuar shumë bindjen tonë, se të gjitha premtimet e Perëndisë që akoma nuk janë plotësuar do të dalin të vërteta. Përmes tij jemi nxitur të vazhdojmë t’u shpallim të tjerëve fjalën profetike të Perëndisë!